Buxheti rriten te ardhurat me 4. 9

Buxheti, rriten te ardhurat me 4. 9 %

Të ardhurat totale në buxhet u rritën me 4.9 % me bazë vjetore për periudhën janar-shkurt 2014, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave, duke përmirësuar ndjeshëm ritmet, në krahasim me janarin, kur performanca rezultoi negative (në janar të ardhurat ranë me 1.4 % me bazë vjetore). Të ardhurat tatimore, që zinin 88% të totalit të të hyrave në buxhet u zgjeruan me 5% për dy muajt e parë të vitit, duke arritur në 46.4 miliardë lekë.

 

Ndikimin kryesor në këtë rritje e shënoi ecuria e mirë e TVSH-së, e cila u zgjerua me 17%, apo 2.7 miliardë lekë (nga 2.1 miliardë lekë që u rritën të ardhurat nga tatimet e doganat në total), duke arritur në 18.3 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatim fitimi ndalën rënien e konstatuar në janar. Ato rezultuan 2.36 miliardë lekë për janar shkurtin 2014, pothuajse në të njëjtin nivel me dy mujorin e parë të vitit të kaluar. Në janar, të ardhurat nga ky zë ranë me 25% me bazë vjetore.

 

Sipas Ministrisë së Financave, ky rendiment negativ shpjegohet me faktin se një vit më parë, ky zë mblidhej ose biznesi e paguante çdo muaj kurse me ndryshimet ligjore, tani paguhet një herë në tre muaj. Si rrjedhojë, duhet pritur edhe ecuria e marsit për të gjykuar nëse rritja e tatim fitimit nga 10 në 15% (efektive që nga 1 janari 2014) do të reflektohet në më shumë të ardhura në buxhet.

 

Akciza ka vijuar rënien, duke ndjekur të njëjtën tendencë si janari, teksa tregtarët në dhjetor nxituan të importojnë më shumë karburante e cigare, në pritje të hyrjes në fuqi të taksave të reja. Të hyrat nga kjo taksë u tkurrën me rreth 22% me bazë vjetore, në 3.7 miliardë lekë. Megjithatë, rënia u ndal në shkurt. Të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë rënë me 7.3% me bazë vjetore, në 4.6 miliardë lekë. (në muajt e parë të 2013, qeveria e mëparshme përfshinte në llogaritjen e TAP edhe 30 mijë lekëshin e parë të pagës, kurse tani në janar 2014, ky nivel përjashtohet. Financat kanë planifikuar për gjithë vitin 2014, një rritje të të ardhurave në vlerë absolute me rreth 13%.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama