Me shumë gjasa, Bylisi luan ndeshjen e fundit në Superiore, teksa në rastin më të mirë për të paktën një vit do t'i duhet të jetë larg saj.
Edhe pse matematikisht shanset nuk janë humbur, ballshiotët do të shkojnë të dorëzuar në ndeshjen me Vllazninë në Shkodër, pasi edhe fitorja nuk u bën punë nëse nuk mundet Laçi nga Tërbuni në fushën e vet.
Ndaj, duke parë këtë ekuacion praktikisht të pamundur, llogaritë po nisen të bëhen me Kategorinë e Parë. Edhe pse Bylisi këtë sezon ka akuzuar shpesh gjykimet dhe makinacionet për ta nxjerrë nga kategoria, nuk mungojnë edhe "mea culpa"-t në këtë kamp, edhe pse drejtuesit s'i pranojnë hapur gabimet e bëra.
Thuhet kështu, pasi mallakastriotët këtë sezon kanë bërë gabime të pafalshme, siç janë humbjet në shtëpi ndaj dy rivalëve direktë: Flamurtarin dhe Vllazninë. Madje, ndaj vlonjatëve është pikërisht ajo humbje në shtëpi që i penalizon në përballjet direkte, ku nëse do të dilnin me pikë të barabarta do të ishin kuqezinjtë që do të shpëtonin.
Përpos tyre, në Ballsh rëndojnë edhe dy humbjet ndaj Tërbunit në dy fazat e para, teksa në atë të luajtur në Pukë morën edhe një ndëshkim nga ana e Komisionit të Etikës. Këto humbje sfumojnë edhe surprizat që kanë bërë ndaj pretendentëve, siç ishte fitorja në Tiranë ndaj Partizanit që synon titullin kampion. Ndaj, nëse Bylisi sot do të kishte këto pikë ndaj përballjeve direkte, situata do të ishte ndryshe dhe ndoshta Superiorja do të ishte siguruar edhe matematikisht.