TIRANË, 20 tetor/ATSH/.- Kryetari i komisionit parlamentar për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit, Oerd Bylykbashi deklaroi sot në një prononcim për mediat, se çështjet që lidhen me dekriminalizimin janë kompetencë e këtij komisioni dhe e askujt tjetër.
Duke përsëritur qëndrimet për këtë problematikë, deputeti i Partisë Demokratike kundërshtoi shqyrtimin nga komisioni i Ligjeve të dy nismave ligjore, që lidhen me dekriminalizimin, dhe që siç tha ai, "përfshihen tërësisht brenda fushës së veprimit të komisionit të posaçëm parlamentar".
"Duhet të ketë një ndarje të qartë dhe të kuptohet se dekriminalizimi është kompetencë e komisionit të posaçëm dhe e askujt tjetër", theksoi Bylykbashi.
Partia Demokratike, përmes deputetit Bylykbashi, iu drejtua të shtunën me një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku i shprehte shqetësim për reformën e dekriminalizimit, për të cilën thotë ai, po anashkalohet komisioni i posaçëm, i ngritur mbi marrëveshjen e partive të mëdha.
Sipas deputetit demokrat, njëkohësisht kryetar i këtij komisioni, në programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit, si struktura përgjegjëse për ndryshimet kushtetuese dhe hartimin e ligjit të dekriminalizimit janë caktuar Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve.
Sipas opozitës, kjo e bën nul komisionin e ngritur dhe shkel marrëveshjen e 24 dhjetorit. Ndaj, PD i kërkoi kryeparlamentarit Meta të heqë nga përgjegjësia e ndryshimeve ligjore këto dy struktura parlamentare, që do të kishin detyrimin e hartimit të drafteve për dekriminalizimin, vetëm në rast se nuk do të kishte një komision të posaçëm të ngritur pikërisht për këtë çështje. /a.s//m.m/