TIRANE, 18 Tetor/ATSH/- Kryetari i Komisionit për Dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Ilir Meta kërkon ndryshimin e programit të punës dhe kalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe respektimin e vendimit nr. 32/2015 të Kuvendit të Shqipërisë.
Për adresimin e fenomenit të kriminalizimit të jetës publike, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, dy iniciativa ligjore dhe konkretisht: p/ligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", sëbashku me relacionin shoqërues; si dhe p/ligjin "Për dekriminalizimin e institucioneve publike, nëpërmjet ndalimit të ushtrimit, zgjedhjes apo emërimit në funksione publike të personave me rekorde kriminale", sëbashku me relacionin shoqërues.
Në letrën drejtuar kreut të Kuvendit, Bylykbashi shprehet se të dyja këto iniciativa ligjore përfshihen tërësisht brenda fushës së veprimit të Komisionit të Posacëm Parlamentar të ngritur me vendimin nr. 32/2015. "Mirëpo, në kundërshtim me vendimin nr. 32/2015 të Kuvendit si dhe me nenin 24 të Rregullores së Kuvendit, në Programin e Punës së Kuvendit dhe Kalendarin e Punimeve, janë përcaktuar si struktura përgjegjëse për shqyrtimin e tyre, Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit. Në këtë pikë, sjellim në vëmendjen tuaj se këto struktura do të ishin përgjegjëse për shqyrtimin e këtyre iniciativave vetëm në rast se Kuvendi nuk do të kishte ngritur një strukturë të posacme (siç është Komisioni i Posacëm). Mirëpo, në kushtet kur në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës dhe nenin 24 të Rregullores së Kuvendit, është vendosur ngritja e një Komisioni të Posacëm që ka për objekt të veprimtarisë së tij zbatimin e çështjeve të trajtuara në rezolutën e miratuar nga Kuvendi në datën 24.12.2014, atëherë në Programin e Punës dhe Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, duhet të përcaktohet si strukturë përgjegjëse për shqyrtimin e të dyja iniciativave pikërisht Komisioni i Posacëm i ngritur me vendimin nr. 32/2015", shkruan Bylykbashi.
Sipas tij, mosndryshimi i programit dhe kalendarit të punës së Kuvendit, do të pamundësonte mbledhjen e Komisionit të Posacëm Parlamentar dhe de facto do të bënte nul vendimin nr. 32/2015 të Kuvendit, duke shkelur në këtë mënyrë edhe marrëveshjen politike të 24 Dhjetorit 2014. "Në këto kushte, kërkojmë miratimin menjëherë të ndryshimit në programin dhe kalendarin e punimeve, me qëllim që t'i hapet rrugë vijimit normal të punës së komisionit të posaçëm parlamentar dhe përmbushjes prej tij të veprimtarisë për të cilën është ngarkuar nga Kuvendi", thuhet në letrën drejtuar Metës./a.gjonaj/./a.g/