Byron monument jo per zakon
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
Ndërmjet Laprakës dhe njërës prej rrugëve hyrëse të Tiranës ka për të pasur një homazh për Bajronin. Skulptori Vladimir Llakaj prezanton idenë: asnjë takim me paraqitjen figurative të shenjave klasike të poetit Një terreni të vështirë i shkon një shenjë e thjeshtë që llogarit hapësirën dhe nuk iu hyn në hak pretendimeve për formën skulpturore.
Monumenti që i bën homazh poetit romantik anglez - udhëtari nëpër Shqipërinë e varur, i bënte homazh të rreptëve bij të shqipes me një këngë të "Çajld Haroldit", - do ketë pak a shumë këtë formë që prezantojmë në foton kryesore.
Autori, Vladimir Llakaj (1967), na njeh me punën që e shpalli fitues, ndërmjet ish profesorëve të tij të skulpturës, 11 pjesëmarrësve të konkursit kombëtar "Një shenjë për Lord Bajronin", i zhvilluar në dhjetor 2010 nga Bashkia e Tiranës.
Propozimi i Llakajt ishte një bocet ku paraqitet mbi piedestal emri "Byron" i shkruar në 4 faqe të monumentit, që do ta ketë vendin në hyrje të rrugës "Lord Bajron", ndërmjet Laprakës dhe njërës prej rrugëve hyrëse në Tiranë.
Siç duket, vepra nuk ka asnjë lidhje referenciale me portretin e famshëm të piktorit Thomas Phillips (1770 - 1845) i cili e paraqet George Gordon Byron (1788-1824), me kostumin që ai bleu në vitin 1809 kur erdhi në Shqipëri e prej nga nisi endjet në vendet afër nesh të pushtuara nga perandoria otomane.
Leximi në kohë i emrit të Bajronit, skulptori Vladimir Llakaj, pedagog i Plastikës në Fakultetin e Arteve Figurative, thotë se mund të bëhet edhe kështu.
Tirana nuk është qyteti që u jep mundësi artistëve ta shprehin veten. Ishte konkursi për Bajronin mundësi për t'u shprehur apo sa për të lënë një gjurmë në një rrugë si shumë rrugë të Tiranës?
Është pse i pari konkurs që shoh unë nga Bashkia, m'u duk serioz dhe që nuk lë hije dyshimi.
Në përgjithësi lë për të dëshiruar mënyra e organizimit, e pikasjes së të resë në art, sidomos në skulpturë. Një pjesë e konkurseve për veprat e artit në hapësirat publike kanë pasur për të zgjedhur për më mirë. Dhe të jemi të sinqertë, njohjet mbi skulpturën në mjedisin tonë, nuk janë aq të mira sa për shembull, mbi pikturën.
Mund të na e prezantoni veprën tuaj?
Jam një nga njerëzit që mendoj se nuk ka kuptim arti për art, që arti duhet të jetë dhe funksional, që ta sjell shoqërinë në situata të reja, në gjendje mendore dhe shpirtërore të ndryshme nga ajo që shoqëria jeton për momentin. Pra duhet ta ketë edhe këtë pjesë, përveç kërkesave të veta për zhvillimin në vetvete të artit.
Në ç'mënyrë e lexoni ju një imazh apo një shenjë kur e vendosni në një situatë të re?
Ndryshimin këtu e bën ana formale e veprës. Duket si një fjali e thjeshtë por këtu është çelësi i ekzistencës së skulpturës. Skulptura si art tredimensional, dallohet nga artet e tjera për konkretizimin e këtij tredimensionali në realitetit. Kjo anë formale duhet të jetë shprehëse në të gjitha kohërat, të gjejë mbështetje, dashuri, të gjejë kontakt, mendor dhe shpirtëror me të gjithë njerëzit.
E keni konceptuar veprën në varësi të vendit, që do të thotë se është një lloj instilacioni që në një vend tjetër nuk do të rrinte.
Vepra monumentale duhet ta marrë parasysh vendin në të cilin ndodhet, anën arkitektonike, hapësirat fizike. Edhe në rastin kur nuk i përshtaten, vepra në vetvete duhet të bëjë që këto të rindryshojnë, t'i shkojnë veprës s madhe.
Deri tani dimë se nuk do të jetë një vepër klasike. Mund të na zbuloni diçka më shumë?
Në këtë rast unë mendova që të mos mbështetemi në zgjidhje të para, por të gjejmë një zgjidhje tonën, të jetë e personalizuar. Unë këtë jam munduar të bëjë. E dija që rrezikoja kur prezantoja një bocet të tillë: të prezantosh një figurë si Bajroni dhe të mos mbështetesh në të shkuarën.
Jo në shenjat me të cilat identifikohet kjo figurë në artet figurative dhe në përfytyrimin që ato kanë imponuar për poetin?
Në këtë rast vepra në vetvete nuk ka asnjë figuracion të personazhit, por ka vetëm emrin e tij të ngritur në një piedestal. Te kjo vepër Bajroni ka lënë vetëm emrin që është ngritur në volume skulpturore. Këto volume duhet të arrijnë të japin madhështinë e tij si për botën dhe për letërsinë romantike dhe sidomos për ne. Është një nga njerëzit e rrallë që ka folur të vërtetën për shqiptarët.
Është një zgjidhje simbolike?
Mund ta quajmë edhe simbolike. Me fjalën janë marrë shumë pak tek ne, për të ngritur madhështinë e saj si në rastin e fjalës Neë Born në Kosovë. Emri "Byron" konfigurohet në katër anët dhe nuk konfigurojnë thjesht në emër. Unë e kam konceptuar në disa materiale, inoks, bronz, alumin. E kam parë vendin me shumë kujdes dhe dimensioni minimal duhet të jetë 5 metra, mbi bazamentin që duhet të mbështesë potencën që i shkon këtij lloj vertikaliteti.
Vendi ku do të vendoset është një pikë indiferente: pa hapësirë, makina, njerëz, pluhur, zhurmë...
Dallon një metropol në atë rrugë.
Është një zonë e qarkulluar shumë dhe duket sikur kjo vepër i mungon. Imagjinoj që kur vepra të vendoset, do të duket sikur ka kohë që qëndron aty. E mendoj shoqëruese të ecjes së pashtershme të makinave, njerëzve dhe që kjo figurë vertikale do t'i ngacmojë herë pas here. Ky është synimi i artit: në një moment të caktuar të përditshmërisë të shohësh diçka të veçantë që të bën dy minuta të mendosh .
Njeriut i mungon ky kontakt në hapësirë me artin.
Kryeqyteti ka mungesa të theksuara të skulpturës së parkut, po edhe të skulpturës historike. Tirana ka sheshe bosh, ka vende që duhen mbushur. Qytetarët e një qyteti, edukimin direkt e marrin nga veprat e artit dhe arkitektura. Kjo pasuri e përditshme e edukon njeriun dhe është ky funksioni i artit për të cilin ju fola pak më lart.
Këndet në Tiranë ku vendoset vepra e artit duket sikur i bën e njëjta dorë. Ju çfarë vini re?
Vërej që ka një kontradiktë. Një pjesë e mendojnë në mënyrë konservatore problemin dhe pjesa tjetër në mënyrë bashkëkohore. Që të dyja nxitohen nga pak. Konservatorët kanë të drejtë kur thonë se jo çdo gjë hidhet poshtë, ndërsa bashkëkohorët kërkojnë të vrapojnë më shumë se ç'duhet. Duhen provuar të gjithë dhe duhen marrë në konsideratë artistët që kanë nivel. Tentativa për të zbuluar është çelësi i zhvillimit të artit në një vend. Pra shteti duhet t'i vërë qëllim vetes të shohë a janë artistët apo flenë gjumë. Në këto njëzet vjet janë krijuar vepra jetëshkurtra. Janë mbajtur keq, por leximi i tyre në rrjedhën e kohës, i nxjerr të vjetruara para kohe.
Po sepse kur janë realizuar dhe miratuar ato vepra ka munguar vlerësimi dhe gjykimi i kritik mbi to. Asnjë vepër nuk lexohet deri në fund në kohën që ajo realizohet. Ajo ka diskutime, dhe janë ato diskutime që vijnë mbas një kohe të caktuar të cilat i japin fytyrën e vërtetë veprës. Mungon ajo pjesë e njerëzve që e dallojnë potencialin e një vepre dhe kanë kompetencat profesionale për të argumentuar nëse këto vepra që prezantohen do të kenë jetë shumë të shkurtër ose shumë të gjatë, nëse prezantojë diçka të re apo janë një kopje e të vjetrës, e cila e ka kryer funksionin e saj diku tjetër. Ndërsa njerëzit janë të prirur të kërkojnë diçka tjetër, duan ndryshim, zhvillim.
Në rezultatin e konkursit i vihet theksi mundësive financiare të kufizuara. A janë aq të kufizuara sa të nxjerrin pengesa realizimin e projektit tuaj?
Për mua është e dhimbshme të mos realizohet një vepër, por nuk është fare e rëndësishme në një aspekt: kur shikon që ne kemi probleme madhore me ekzistencën e përditshme. Në këtë luftë shpirtërore, politike, ai tharmi i artit që stimulon dhe ndez gjëra të tjera, kam frikë se nuk merret shumë në konsideratë. Por një vepër e tillë nuk kërkon aq shumë para sa për t'u trembur. Vetëm kostoja e realizimit shkon 30 milion lekë të vjetra. Kurse për vete nuk do doja asgjë.
Ku jeni shkolluar?
Jam rritur në qytetin e Fierit. Kam ndjekur Liceun aty. Më pas Akademinë e Arteve për Skulptura monumentale, me pedagogët Kristaq Rama dhe Ilmi Kasemi. Në mars 1991 emigrova me anije drejt Italisë. Kisha qenë më parë dëshmitar edhe i lëvizjeve studentore. Studiova në Bolonjë në Akademinë e Arteve. Më duket se është gjëja më serioze që kam bërë. Këto që sapo përmendët janë ngjarje të rëndësishme historike që do të meritonin homazhe në vepra monumentale: lëvizja studentore, eksodi i madh gjithashtu.
Këto janë momente historike që jo vetëm kanë ndryshuar rrugët tona por janë si të thuash prova të trupit kombëtar, çfarë mentaliteti kemi ne në të vërtetë. Të jem i sinqertë kam krijuar një admirim për popullin tim, për njerëzit e mi, për bashkëqytetarët e mi. Ekziston mentaliteti që nuk dimë të bëjmë asgjë, që edhe kur koha, historia na ka trysnuar deri në kockë, ne nuk paskeshim vepruar me norma dhe me një energji njerëzore të admirueshme. Dua të them që meritojmë më shumë. Duhet që atë energji që kemi ta orientojmë, përndryshe gjithçka do të shkojë në dëmin tonë.