Riviera Franceze, prej vitesh është sinonim i elegancës e pushimeve elitare. Kaq shumë e prekshme së fundmi edhe për të gjithë shqiptarët, që gëzojnë mundësinë e lëvizjes së lirë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Një eksperiencë për tu jetuar, e për tu zbuluar në çdo mënyrë që mund tju shkojë ndërmend, nga fluturimi me avion në destinacionin e preferuar apo edhe me makinë përgjatë bregdetit dalmat, ose fare mirë edhe nëpërmjet Italisë. Pikërisht këtë të fundit zgjodhëm për ta zbuluar në këtë udhëtim më revistën Mapo.
Menton
Menton- Perla e Francës. Është qyteza e parë, një ndër më të bukurat dhe më të preferuarat me të cilën përballemi sapo kalojmë kufirin Italian, nëpërmjet rrugës së njohur me destinacion Ventimiglia. Me dhjetra plazhe, të gjithë për t’u shijuar janë pamja kryesore e qytezës së Mentonit, ku përveç frëngjishtes gjuha e dytë më e folur është padyshim ajo italiane, çka e bën më të lehtë dhe të rehatshëm komunikin. Ky qytet i vogël, është gjithashtu i preferuari i vetë italianëve që janë turistët kryesorë e ndoshta të vetmit në rrugët e tij. Por, në këtë vend mësuam se një nga pjesët më të bukura për tu parë janë, kopshtet e tij përrallore të cilat janë të shtrira në disa pjesë të qytetit.
Monaco
Por nëse në Menton ndjemë tërësisht qetësinë e pushimeve të rehatshme, vetëm 5 minuta më larg parajsa tokësore e njerëzve të pasur e të bukur, Monaco shpaloset me tërë madhështinë e saj. Të pasurit e vërtetë të Monakos i takon fare lehtë në në Monte Carlo, ku gjëja që ndoshta do tju bëjë jo pak përshtypje është fakti se ekzistojnë taksi edhe të markës së famshme Bentley.
Monte – Carlo është pjesa më luksoze e Monakos, aty ku miliarderët e botës harxhojnë kohën me kazinonë e famshme, që ishte e ndërtuar në ambjentet e një kishe të vjetër. Ferrari, Bentley, Maserati, Rolls Royce e shumë më gjerë, nëse ke pasion makinat në Monte Carlo është vendi i duhur për ti shijuar ato. E nëse je dhe i apasionuar pas Formula 1, do tët bëjë përshtypje edhe pista e cila i kalon qytetit mespërmes saqë duket sikur ai është ndërtuar enkas për të qenë spektator i kësaj gare. Ajo që ofron gjithashtu Monte Carlo, e që pak e dinë është stina e mrekullueshme e koncerteve Monte Carlo Sporting Summer Festival. Sting, Lisa Minelli, Joe Cocker, Texas, Paul Anka e mjaft të tjerë janë yjet e mrekullueshëm që i gjeje këto ditë të nxehta vere në këtë vend të mrekullueshëm.
Duke kaluar Monaco-n në drejtim të Nicës padyshim nuk mund të mos ndalosh dhe admirosh qoftë edhe për një vizitë të shpejt fshatra të vogla të mrekullueshme të rivierës franceze si , Villefranche-sur-Mer, St-Jean-Cap-Ferrat, Beauleau-sur-Mer që e bëjnë qëndrimin në bregun e Kaltër të veçantë. Ato janë zona të vogla, ku dhe moria e turistëve është më e përqendruar, por shpalosin panairë të vegjël antikuaresh me bizhuteri, por dhe përpunime artizanale shumë të veçanta. Por padyshim, duhet të ndaloni e të harroheni në kopshtet e mrekullueshme të Villa Ephrussi de Rothschild në St-Jean-Cap-Ferrat, e cila do të sjellë një koleksion të mrekullueshëm antikuaresh dhe veprash arti të cilat i përkisnin Baroneshës Beatrice de Rothschild, një femër me shije të hollë. Plot 12 kopshte me tematika të ndryshme zbukurojnë vilën e ndërtuar në periudhën e Belle Epoque, në vitet 1905 – 1912. Eksperienca eshte e paharrueshme.
Nice
Pasi kaluam këto mrekulli, Nica është ndalesa e radhës për të gjithë të apasionuarit e gjallërisë, jetës së zhurmshme, lokaleve dhe plazheve pafund. Por ama, duhet të jemi të sinqertë është dhe qyteti i duhur për të shpenzuar më së miri sa më shumë para. Jo vetëm për çmimet që ju ofrohen në lokalet që gjenden në Promenade des Anglais shëtitoren më të famshme përgjatë detit të kaltër, por edhe për dyqanet, plazhet, parkimi, këtu çdo gjë ksuhton. Por qyteti më i madh i Rivierës Franceze krenohet edhe me trashëgiminë historike e kulturore, që do e gjeni në çdo cep të tij, nga ndërtesat e Belle Epoque, tek galeritë e artit dhe muzetë. Por mos harroni të kaloni padyshim në qytetin e vjetër, është një Nicë shumë e veçantë për tu jetuar mes “brasserie-ve” të këndshme e të shijshme. Këshillë e vlefshme është të shkoni më këmbë, nuk është një vend ideal për tu ngatërruar me makinën tuaj.
Kana
Festivali Ndërkombëtar i Fishekzjarreve ishte supriza me të cilën u përballëm në qytetin e mrekullueshëm e të famshëm të Festivalit të Filmit. Përgjatë bregut të gjatë e të zhurmshëm, Kana është një dashuri e vërtetë me butikët e saj luksozë, panaire te vogla, bareve dhe restoranteve. Sigurisht, nuk mund të mos bësh një foto si gjithë turistët e botës, në tapetin e kuq i cili mbetet i shtrirë përgjatë gjithë vitit në teatrin ku mbahet festivali i filmit.
Saint-Tropez
Nëse jeni njerëz që nuk stepeni dhe nuk demoralizoheni kur luksi kap majat, duhet të vazhdoni udhëtimin për Saint Tropez. Por ju garantoj, se do tju lërë gjurmë në memorien tuaj. Ky qytet i mrekullueshëm, i pozicionuar në një gji, ku parkonin minimalisht rreth 1 mijë jahte, të paktë sa të zinte syri në një pamje të parë, kishte një avantazh shumë të mire; vizitohej brenda pak orësh në këmbë. Ajo që duhet patjetër të vizitoni e që përmbnë famën më të madhe të Saint Tropez, janë plazhet e mrekullueshme. Ato janë kryesisht të pozicionuara në hapësira publike, por ka edhe zona tejet private ku mund të notoje përkrah Majkëll Douglas e Catherine Zeta Jones, të paktën të famshmit që mësuam se ndodheshin aty ato ditë.
Nëse doni doni hapësira mondane e nuk i kurseni paratë, shkoni në Club 55, Nikki Beach apo edhe La voile Rouge. Aty nata bëhet ditë e më gjerë…