Me plazhe të cilëve nuk u duket kurrë fundi, qytete plot sharm, jahte magjepsës dhe me një mori personazhesh të famshëm, Riviera Franceze e mban ende gjallë “La Belle Epoque”. Destinacione përrallore si St-Tropez, Nice, Cannes, Antibes, Fréjus & St-Raphael, Villefranche-sur-Mer, St-Jean-Cap-Ferrat, Menton apo Grasse e bëjnë qëndimin në bregun e Kaltër unik dhe zor të harrueshëm.
Nëse bregu i kaltër është pjesë e planeve tuaja verore, ne ju ftojmë në një udhëtimi virtual ku do të ndalemi në pikat më të frekunetuara nga jug-perëndimi deri në veri-lindje të bregut:
Ndalesa e parë: Saint-Tropez (kufiri mes Bregut të Kaltër dhe Provencës)
Nëse Brigitte Bardot kalon gati gjithë vitin në këtë vend, duhe të ketë një arsye! Çdo guidë turistike për Saint-Tropez-in ju tregon se duhet të keni më shumë para se dëshirë për ta vizituar, dhe, për fat të keq… nuk gabohen.
Megjithatë, edhe ju mund ta shijoni mondanitetin e qytetit pa patur domosdoshmërisht jahtin tuaj privat, pa patur 10 karta krediti dhe pa qenë modele.
Ku të shkoni në Saint-Tropez:
Qyteza vizitohet brenda ditës në këmbë kështu që pas shëtitjes në këmbë, qëllimi juaj kryesor janë plazhet:
Plazhet e Saint-Tropez:
Mu në hyrje të St. Tropez ka një plazh jashtëzakonisht komod tek i cili shkohet edhe në këmbë, por të gjithë joshen e preferojnë me shumë palzhin me rërë të imët të Ramatuelle dhe Pampelonne. Mes hapësirave publike ka edhe zona tejet private ku kridhen në ujë të famshëm e të pasur të të gjitha prerjeve.
Nëse doni të keni Naomi Campbell-in në tavolinën pranë jush, ju këshillojmë bare buzë detit shumë mondane si Club 55, Nikki Beach apo edhe La voile Rouge. Ky i fundit është më i çmenduri me festa nga muzgu në agim.
Veç kësaj mos u skandalizoni nga natyralistët që mund të ndeshni përgjatë shëtitjes tuaj në breg. Në St. Tropez gjithçka lejohet.
Çfarë nuk duhet të humbisni në St. Tropez:
Mos ia kurseni vetes një shëtitje me anije përgjatë bregut të St. Tropez. Mund të merrni një barkë me qera në Suncap www.suncap.fr. Pikëndalesa që ne ju këshillojmë është Sainte-Maxime.
Si të shkoni në St. Tropez
Shumica e turstëve shkon në St.Tropez nëpërmjet detit. Por, nëse i gjithë udhëtimi bëhet me avion nga Tirana, duhet pasur parasysh që do behen 2 ndalesa në Evropë (nuk ka fluturim vetëm me 1 tranzit). Mund të fluturohet deri në Nisë dhe pastaj fluturohet me një linjë low cost nga Nisa për në St.Tropez, aeroporti St.Tropez “La Mole”. Gjithashtu nga Nisa për në St.Tropez mund të shkohet edhe me tren, autobus, taksi apo makinë me qëra. Linjat e transportit publik janë gjithnjë më të leverdisshmet.
Nice – Nisa, mbrëtëresha e Bregut të Kaltër
Nëse doni të shpenzoni “për mirë” ca para… këtë lërjani Nisës në dorë!
Qyteti më i madh i Rivierës Franceze nuk krenohet vetëm me plazhet e kaltra por edhe me trashëgimninë historike e kulturore.
Ku të shkoni në Nisë:
Vieille Ville – pjesa e qytetit të vjetër. Nëpër të gjarpërojnë rrugica të ngushta nga 1.5 metra dhe ndërtesat jo më të larta se 5 kate vishen me ngjyra të forta, ndryshe nga boje-kremi i qyteteve të tjera.
Populluar nga shumë tregëtarë me dyqane ushqimesh, rrobash të lira dhe kozmentikash artizanale, qyteti i vjetër ngjan më shumë si një pazar i madh… por mbresëlënës ama.
Promenade des Anglais – përgjatë detit mund të shplodhni shikimin në shëtitoren më të famshme të bregut të kaltër. Asfalti i kuq të kujton se shëtitorja është dhe vendkalimi ideal për një xhiro me biçikletë.
Në fund të shëtitores ju shafqet kodrina Colline du Chateau, e cila ngjitet me shkallë që do t’ju shpien tek pjesa e mbetur e kështjellës nga ku duket gjiri Baie des Anges, qyteti i vjetër dhe porti i Nisës. Prapa kullës mund të shijoni edhe pamjen e parkut dhe kaskadës. Marramendase!
Il Vieux Port – porti i vjetër, i gjithi i ndriçuar, dhuron një pamje të mrekullueshmë nga ku mund të sodisni jahtet e tragetet që nisen për në Korsikë.
Për muzedashësit në Nisë:
Musee Matisse – Një përmbledhje e shkëlqyer e piktuarve dhe skulpturave të piktorit francez Henri Matisse. Orari 10:00 – 16:00. Hyrja falas. Linjat e autobusëve: 15,22,17,20.
Musee Mark Chagall - mund të gjeni kryesisht vepra me frymë fetare, frymëzuar nga Bibla. Po ashtu edhe një koleksion me maozaikët e famshëm të xhamave për dritare të punuara nga Chagall. Hyrja 8.50 €. Orari 10:00 – 18:00. Linjat e autobusëve: 15 dhe 22, stacioni “Musée Chagall”
Plazhet në Nisë:
Deti ka ngjyrën më të kaltër në të gjithë Rivierën Franceze dhe bregu është me guralecë, si në jug të Shqipërisë, ndaj këshillat se si të ecni mbi të janë të tepërta.
Baret dhe restorantet buzë detit janë relativisht të kushtueshme. Një pijë shkon nga 4 deri në 15 euro dhe një drekë nga 20 deri në 40 euro për person.
Nuk duhet të largoheni nga Nisa pa:
Provuar ushqimin më të mirë në jugun e Francës. Jo rastësisht Nisa njihet edhe si parajsa e kuzhinës franceze. Ne ju këshillojmë të mos largoheni pa provuar: Socca (palaçinkë e pjekur me qiqra), Niçoise Salad (sallatë me sardele të kripura), Farcis (pjatë tipike e Nisës me prime të mbushura me mish), Pissaladière(tartë e kripur në formë pice) dhe verën Rosé për të shoqëruar të gjitha këto pjata.
Monaco – Monte Carlo
Një qytet muze-luksi me panairin më të madh të makinave.
Vizita në principatën e Monakos do t’ju bëjë të ndiheni të privilegjuar për momentet që do të kaloni.
Qyteti i shtirë në kodër dhe i ndarë në kate, nuk i lejon vetes që për ta përshkuar, të përdoren vetëm rrugët apo shkallët. Për t’u ngjitur nga një nivel tek tjetri përdoret edhe ashensorin publik. Madje edhe kalaja ka ashensorin e saj nga ku mund të zgjidhni të zbrisni në katin e Muzeut Oqeanografk, në katin e Kopshtit Japonez apo në atë të Pallatit të Princit të Monakos. Nëse jeni me fat, do t’ju gostistin me verërat më të mira, prodhime vendi – dhe mos kini frikë të pini, Monako nuk ka nevojë për paratë tuaja!
Pista e Formula 1 i kalon qytetit mespërmes saqë duket sikur ai është ndërtuar enkas për të qenë spektator i kësaj gare. Ferrari në Monako është makina më e zakonshme që do të shihni rrugëve.
Monte Carlo
Të pasurit e vërtetë të Monakos mund t’i takoni në Monte Carlo. Pjesa më luksoze e Monakos, aty ku miliarderët e botës kanë ngritur “haremin” e tyre me kazinonë e famshme në mes.
Për të hyrë në Monte Carlo Casino, përveç parave do t’ju nevojitet pasaporta dhe një veshje deri diku e zgjedhur. Hyrja në hollin magjepsës të kazinosë është falas, ndërsa për t’u futur brenda pagesa është 10 €.
Për t’u ditur:
Nëse jeni me rroba të thjeshta do të ndiheni sikur nuk keni as të drejtën ta prekni atë qytet, por kjo nuk duhet t’ju shqetësojë sepse të vetmit njerëz që do ndeshni rrugëve janë turistët… si ju!
Nëse e vizitoni Monakon me makinë, mos u shqetësoni për parkimin, pasi e gjithë Monako dhe Monetekarlo në veçanti, ka një nëntokë të tërë për parkimin e makinave
Vizita një ditore në:
Nuk ka rëndësi ku jeni vendosur me hotel. Një ditë nga pushimet tuaja kushtojani vizitës në qytete e bregdete që do t’i japin tjetër shije përvojës tuaj francojugore:
Kana – Nuk është vetëm qyteti i festivalit të filmit. Është mekat të vizitosh rivierën e të lësh pa parë Kanën. Me një bregdet po aq të pasur e të zhurmshëm sa pjesa tjetër Kana, është shtëpiza e shumë festivalëve, panairëve, dyqaneve luksoze, bareve dhe restoranteve. Të apasionuarit e filmit, pranë pallatit ku mbahet festivali, mund të shohin edhe gjurmët e duarve që kanë lënë aktorët vit pas viti gjatë festivaleve. Mos harroni aparatin!
Menton – njohur si Perla e Francës, shumë pranë kufirit me Italinë. Me dhjetra plazhe, të gjithë për t’u admiruar, Mentoni njihet për kopshtet e tij përrallore, një arsye mëse e vlefshme për të kaluar një ditë në këtë qytezë.
Grasse – Njihet si kryeqyteti i parfumeve. Nëse keni nuhatje të fortë do të dalloni mbi 2000 aroma të ndryshme në qytet. Këtu prodhohet 2/3 e parfumeve të Francës, gjë që i sjell qytetit fitime marramendase.
Të thëna në vesh:
Shumica e qyteteve vizitohen në këmbë, ndërkohë që mes njëri-tjetrit ata lidhen lehtazi me linjat urbane – bileta e autobusit kushton 1 euro.
Ekziston një linjë e ngadaltë që lidh të gjitha qytetet nga Menton në Nisë, nga Nisa ne Kanë dhe nga Kana në San Trope: Bileta kushton 3 euro.
Të ngasësh makinën në Bregun e Kaltër është njësoj si të ngasësh makinën në Shqipëri sepse ndonjëherë për vetëm 40 metra distancë të duhet të bësh 1 km.
4 gjëra që nuk i dini për Côte d’Azur
Emri i është vënë nga shkrimtari Stéphen Liégeard në librin e tij të 1887 “La Côte d’azur”. Shkrimtari u lind në pjesën franceze të Côte-d’Or, dhe përshtati emrin e bregdetit jugor francez duke zëvendësuar fjalën “d’or” me “d’azur”
Në gjysëm e parë të shek. të 20-të bregu popullohej nga artistë si Pablo Picasso, Henri Matisse, Edith Wharton, Somerset Maugham dhe filizofi Aldous Huxley. Në ditët e sotme persona të famshëm si Elton John apo Brigitte Bardot kanë nga një shtëpi në këtë zonë.
Bregu i kaltër është shtëpiza e 163 kombësive të ndryshme me 83962 residentë të huaj.
Nuk ka rrugë të drejta në Rivierën Franceze. Çdo rrugë bën pjesë në një sistem të ndërlikuar rrugësh të ngushta.
3 restorantët më të mirë në Bregun e Kaltër
Chez Palmyre – Nisë
Kuzhina: Franceze tradicionale, me menu dite
Çmimi: 14€ personi
Adrs: 7 rue Fodere, 06300 Nisë
Le Salon des Independants – Kanë
Kuzhina: delikatesa, franceze, mesdhetare.
Çmimi: deri në 30€ personi
Adrs: 11, rue Louis Perrissol, 06400 Kanë
Mirazur – Menton
Kuzhina: Franceze
Çmimi: 15€ – 60€ personi
Adrs: 30 avenue ARISTIDE BRIAN, 06500. Menton