CERN konfirmon - zbuluam grimcen e Zotit

CERN konfirmon -  zbuluam 'grimcen e Zotit'
Gjuetia për grimcën Higgs, ose të ashtuquajturën “Grimca e Zotit”, që mban universin të bashkuar – ka marrë fund. Shkencëtarët e CERN (Këshilli Europian për Kërkimet Bërthamore) në Zvicër, kanë bërë të ditur zbulimin e grimcës para një audience në të cilën ndodhej edhe vetë profesori Higgs, i cili ishte i pari që sugjeroi ekzistencën e grimcës katër dhjetëvjeçarë më parë.

Zbulimi është hapi më i madh i arritur nga fizikanët që prej dhjetëvjeçarësh dhe mbush një hapësirë të madhe dhe kyçe në të kuptuarit e atomit. Në këndvështrimin afatgjatë, zbulimi mund të çojë edhe në përftimin e teknologjive të reja të avancuara. Profesor John Womersley, shefi ekzekutiv i shkencës dhe teknologjisë në CERN, tha se zbulimi është konfirmuar dhe se kjo ishte një ditë shumë e rëndësishme për shkencën në përgjithësi. Profesor Higgs, i cili është 83 vjeç, u pa me lot në sy gjatë ceremonisë së njoftimit dhe më pas deklaroi se e konsideronte të jashtëzakonshëm faktin që gjithçka që po ndodhte, po ndodhte ndërsa ai është ende gjallë, diçka që nuk e kishte besuar më parë.

Zëdhënësi i laboratorit deklaroi se bëhej fjalë për zbulimin e një grimce të re dhe mund të konsiderohet si një nga zbulimet më të mëdha të 40 viteve të fundit në fushën e fizikës dhe të shkencës në përgjithësi. Dhe në fakt, bëhet fjalë për një kërkim që ka zgjatur 40 vjet. Masa e grimcës është 125 giga elektron volt dhe është bazike në mënyrën e shpjegimit të formimit të universit. Shkencëtarët janë shprehur të qartë, se bëhet fjalë për grimcën e shumëkërkuar, e cila përputhet për sa i përket frekuencave dhe masës me grimcën e supozuar Higgs, që është pjesë e Modelit Standard.

Deri më sot, ekzistenca e kësaj grimce ka qenë gjithmonë një teori. Ishte viti 1964, kur shkencëtari britanik Peter Higgs nxori spekulimin e parë për ekzistencën e saj dhe dha shpjegimin hipotetik se përse universi ishte i formuar me yje dhe planetë pas Big Bangut, që supozohet të ketë ndodhur 13.7 miliardë vjet më parë. Ky njoftim vjen pas një “gjuetie” që ka zgjatur në mënyrë intensive prej një dhjetëvjeçari në CERN, në përshpejtuesin më të shtrenjtë në botë që ka një vlerë prej 10 miliardë dollarësh. Ky përshpejtues është 27 kilometra në formë unazore, 100 metra nën tokë. Një vit më parë, shkencëtarët morën disa shenja në lidhje me mundësinë e zbulimit, të cilin e kanë konfirmuar dje. Por, gjatë vitit të fundit, e kanë rritur shpejtësinë e përplasjes grimcore që qëndronte dhe në thelb të eksperimentit të zbulimit të kësaj grimce. Duket se më në fund, përpjekjet e tyre të gjata janë shpërblyer.

E megjithatë, sipas shkencëtarëve, kjo grimcë hedh dritë vetëm mbi një aspekt të universit, atë të ndërtimit të modelit të krijimit të lëndës, e cila përbën vetëm 4% të universit. Ndërsa pjesa tjetër e universit përbëhet nga energjia dhe lënda e errët dhe mbetet ende një mister i madh shkencor, si dhe një sfidë e madhe për të gjithë.
 
Dosja e Grimcës së Zotit

Çfarë është grimca Higgs?

Modeli standard i fizikës kuantike hedh bazat në lidhje me ndërveprimin e grimcave elementare dhe forcave në univers. Por teoria nuk arrin dot që të shpjegojë se në çfarë mënyre grimcat e fitojnë masën e tyre. Grimcat, ose copëzat përbërëse të materies kanë madhësi të ndryshme dhe mund të jenë më të mëdha, ose më të vogla se atomet. Elektronet, protonet dhe neutronet, për shembull janë të gjitha grimca atomike që përbëjnë atomin. Shkencëtarët besojnë se grimca Higgs i jep materies masën e saj. Ekspertët dinë që copëzat, ose grimcat elementare si kuarket dhe elektronet janë themeli në të cilin është ndërtuar edhe materia në këtë univers. Ata besojnë se grimca e “pakapshme” Higgs u jep grimcave të tjera masën dhe në këtë mënyrë, mbushet edhe një nga “vrimat e zeza” të teorisë së fizikës.

Si mendohet se funksionon kjo grimcë?

Grimca Higgs është pjesë e një teorie që së pari u propozua nga Peter Higgs dhe të tjerë në vitin 1960 dhe shpjegon se si grimcat përftojnë masën e tyre. Teoria propozon se e ashtuquajtura fushë energjie Higgs ekziston kudo në univers. Ndërsa grimcat mblidhen rreth kësaj fushe ato ndërveprojnë dhe duke ndërvepruar tërheqin grimcat Higgs, të cilat grumbullohen rreth grimcave me shumicë.

Përse gjetja e saj është e rëndësishme?

Edhe pse zbulimi i kësaj grimce mund të mos na thotë gjithçka në lidhje me funksionimin e universit, zbulimi do të mbushë një “gropë” të madhe në terinë e Modelit Standard që ka 50 vjet që ekziston. Sipas specialistëve, grimca Higgs është edhe copëza e fundit që mungon nga teoria që shpjegon natyrën thelbësore të universit.

Përse është quajtur “grimca e Zotit”?

Kjo nofkë shumë popullore për këtë grimcë u krijua për titullin e një libri të botuar nga nobelisti Leon Lederman. Por është një titull për të cilin ai nuk ishte dakord dhe se varianti i tij fillestar ishte “Grimca e mallkuar”. Sipas autorit kjo grimcë nuk ka të bëjë fare me Zotin.

Si i kanë kryer studimet shkencëtarët?

Ironikisht Modeli Standard nuk parashikon as për vetë këtë grimcë një masë të saktë. Përshpejtuesit e grimcave të tilla, si ai në Zvicër, përdoren për të kërkuar në mënyrë sistematike grimcat në një shtresë masash. Përshpejtuesi, për shembull, përplas dy burime energjie me grimca nënatomike të quajtura protone, të cilat lëshohen me shpejtësinë e dritës kundër njëra-tjetrës. Kjo gjeneron një tërësi grimcash, të cilat krijohen vetëm në rastet e përplasjeve të tilla të mëdha të energjive. Ka shumë mundësi që Higgs të mos observohet kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shkencëtarët e përshpejtuesit përmes matjeve janë të sigurt se tashmë kjo grimcë ekziston, domethënë duket të ekzistojë sipas llogaritjeve.

Përshpejtuesi i CERN-it nuk është makineria e parë që “gjuan” grimca. Një tjetër përshpejtues i përdorur në CERN nga viti 1989 deri në vitin 2000 e përjashtoi mundësinë e ekzistencës së Higgs, por, më pas, në vitin 2011, gjërat ndryshuan dhe përshpejtuesi i ri përmes metodave të reja dha shpresa dhe, më në fund, edhe rezultatin e shumëpritur nga ata që kanë besuar gjithmonë në ekzistencën e kësaj grimce.

Çfarë pritet që të ndodhë?

Shumë fizikanë profesionistë do të thoshin se zbulimi i kësaj grimce, në të njëjtën formë që është parashikuar edhe në teori, do të ishte një zhgënjim. Por edhe pas zbulimit të kësaj grimce misterioze ekzistojnë sërish njëmijë e një mistere dhe të panjohura të cilat do të vazhdojnë që të mbajnë në aktivitet shkencëtarët dhe mendjet e tyre. Veçanërisht shumë pyetje ka dhe do të ketë edhe për modelin Standard. Në fund të fundit, ky model shpjegon materien që ne njohim, ose në formën që e njohim ne deri më tani, por ka shumë arsye për të besuar se materia është vetëm një pjesë shumë e vogël e lëndëve që përbëjnë universin dhe këtu pikërisht fillon edhe misteri i madh i gjithësisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama