“Enti Rregullator i Energjisë, edhe gjatë periudhës së tretë rregullatore 2012-2014, vendosi të ruajë të njëjtat çmime, si edhe sistemi tarifor me dy blloqe, duke lënë në fuqi një çmim 7.7 lekë kilovatori për konsumatorët që konsumojnë deri në 300 kilovatorë dhe për konsumatorët që konsumojnë mbi këtë masë, çmimi i energjisë elektrike është 13.5 lekë kilovatori”, bëri me dije Eduart Elezi, drejtor juridik i ERE-s.
Çmimi që KESH i shet energjinë CEZ-it u rrit nga 1.48 lekë për kWh në 2.83 lekë, ndërsa tarifa për transmetimin e energjisë nga OST u rrit nga 0.6 në 0.65 lekë. Kjo do të thotë se CEZ mori në realitet ulje çmimi. Kompania ka një bilanc me humbje që nga koha kur u privatizua. Ajo është ankuar sakaq në Sekretariatin e Energjisë në Vjenë kundër qeverisë shqiptare. Opinioni i Sekretariatit nuk ka fuqi ligjore, por mund të shërbejë si një argument në procese gjyqësore.
Qeveria shqiptare ka nënshkruar në vitin 2009 një deklaratë, ku garanton që çmimi i energjisë do të pasqyrojë koston. Enti Rregullator është teorikisht një institucion i pavarur, por gjatë historisë së saj ka dëshmuar se është thjesht një zyrë e qeverisë. Ndërsa CEZ kërkonte rritje çmimi, ERE thotë se kompania nuk po bën mjaftueshëm për të arkëtuar faturat dhe për të ulur humbjet në rrjet