Prodhimi i Brendshëm Bruto i bazuar në blerje arrin në 25 miliardë dollarë. Pak kohë më parë, Ministria e Financave publikoi në dokumentin afatmesëm të buxhetit se Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë i shqiptarëve në fund të 2011-ës ka arritur në 4555 USD. Në fakt kjo shifër nuk përfaqëson PBB-në e bazuar në blerje, por në treguesin tradicional mbi të cilin matet rritja e një vendi, që përfaqëson mallrat dhe shërbimet me çmimet korrente gjatë një viti. Ndërkohë që CIA për të njëjtën periudhë publikon se PBB për frymë e shqiptarëve është 3249 dollarë më shumë sesa ajo që deklaron Ministria e Financave. Të dhënat e Shërbimit Inteligjent të SHBA-së mbështetin zhvillimin e ekonomisë reale.
Të dhënat e CIA-s në lidhje me madhësinë e ekonomisë sonë janë më të larta se ato zyrtare për faktin se, sipas këtij institucioni ekonomia informale në vendin tonë është 50 për qind e totalit. Prandaj sipas CIA-s, të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë sa dyfishi i deklarimeve zyrtare. “Rritja ekonomike para krizës ka qenë rreth 8 për qind, ndërsa pas krizës financiare të vitit 2008 këto ritme kanë rënë në 3”, thuhet në përmbledhjen e CIA-s për ekonominë shqiptare. Sipas institucionit në fjalë, qeveria ka marrë masa që kanë ulur kurbën e krimit dhe së fundi ka adoptuar një reformë fiskale, e cila ka reduktuar ekonominë e zezë dhe ka nxitur investimet e huaja.
Sipas CIA-s, ekonomia është furnizuar dukshëm nga të ardhurat e emigrantëve të cilat zënë rreth 8 për qind të GDP-së, nga rreth 15 për qind që zinin para vitit 2008, të cilat kanë ndihmuar gjithashtu në frenimin e thellimit të deficit tregtar. CIA vë në dukje se bujqësia që punëson gati gjysmën e forcave të afta për punë, mbetet ende pak e zhvilluar kryesisht nga problemet e pronësisë së tokave. Ndërsa furnizimi me energji, sipas CIA-s mbetet i varur nga prodhimi në hidrocentrale, por interesi i investitorëve të huaj është shtuar për këtë sektor. Ndërtimi i termocentralit të Vlorës do të ndihmojë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike. CIA në përmbledhjen e saj thekson se Shqipëria, gjithashtu është duke përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe atë hekurudhore, që të dyja së bashku kanë një barrierë për investimet dhe rritjen ekonomike. “Shqipëria ka pësuar rritje të borxhit publik duke arritur në kufijtë e limitit 60 për qind. Ndërkohë që lidhja ekonomike me Greqinë dhe Italinë, vende të përfshira tashmë në krizë, kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit”, – thuhet në raport
Treguesit kryesorë të ekonomisë sipas CIA-s
Ekonomia informale 50%
Të ardhurat për frymë 7800 USD
Renditja globale: 129
PBB 25.2 mld USD
Renditja globale: 117
Rritja ekonomike 2%
Renditja globale 150
Papunësia 13.3 %
Renditja globale: 138
Mbledhja e taksave/ PBB 25.4%
Renditja globale 122
Borxhi publik/PBB 58.9 %
Renditja globale: 42
Inflacioni 3.5%
Renditja globale 87