Cabej ne letrat nga Kosova

Cabej në letrat nga Kosova
Letërkëmbimi i studiuesve të Kosovës me prof. Eqrem Çabejn. Një kërkim nga arkivat personale, ndërton historinë e një komunikimi të kufizuar në kohën e izolimit politik të kolegëve shkencëtarë. Gjuhëtari Begzad Baliu nga Universiteti i Prishtinës ka bërë një kërkim në letërkëmbimet e studiuesve nga Kosova me albanistin shqiptar, prof. Eqrem Çabej (1908-1980).

Lektori i Fakultetit të Edukimit, i cili ka hartuar e botuar më 2006 edhe "Bibliografia e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë, 1952-2002", i referohet një bashkëpunimi me histori, që nis në vitet '70 deri në ditët e fundit të gjuhëtarit, nga shtrati i një spitali në Romë. Letra dhe kartolina, të dërguara nga Kosova dhe nga qytete të ndryshme të botës, në një kohë kur "letërkëmbimi, si për studiuesit e Kosovës ashtu edhe për ata të Shqipërisë ishte me pasoja".

Prof. ass. dr. Baliu ka bërë një kërkim në arkivat personale të letërdërguesve, ka pasur dhe ndihmën e të bijës së prof. Çabejt, Brikena Çabej. Letërkëmbimi ku diskutohen çështje gjuhësore, historike, etnologjike, kulturore po dhe familjare, nis vitin 1970 me rastin e fillimit të punës për botimin në Prishtinë të Studime gjuhësore, në gjashtë vëllime.

Ishte vendosur ndërkaq një marrëdhënie bashkëpunimi mes Universitetit të Tiranës Universitetit të sapothemeluar të Prishtinës. Në vitet 1971-1973 prof. Çabej, që siç shkruan Baliu, shihej "më shumë se një Profesor universitar, më shumë se një shkencëtar me përmasa kombëtare dhe evropiane, bëhet një hero, për të mos thënë një mit, që përcillet nga studentët, profesorët dhe intelektualët shqiptarë nga Universiteti në hotel dhe anasjelltas". Në këtë kohë mbante një sërë ligjëratash në Universitetin e Prishtinës, ligjërata që u botuan (pas vdekjes) vetëm më 2008 si libër më vete, "Hyrje në Indoeuropianistikë".

Baliu vëren që kartolinat, letrat përgëzuese (kryesisht për Vitin e Ri) dhe letrat "e punës", "nisin nga një intimitet i skajshëm kolegial, me cilësorë e epitete nga më të lartat dhe nga më të ndryshmet. Për diskursin e komunikimit është me shumë interes të lexohen vetëm paragrafët e parë a të fundit, të mesazheve të tyre, si: "Shumë i nderuari Profesor", "Na mori malli të shihemi".


(Rexhep Ismajli), "Fort i dashur shoku Prof. Eqrem Çabej (Hasan Mekuli)", Duke pritur me kënaqësi e mburrje përgjigjen Tuaj (Skënder Gashi), "Fort i dashur mik", "I nderuari për jetë profesor i dashur Eqrem Ça¬bej", "Tungjatjeta i nderuari shoku Prof. Eqrem Ça¬bej" (Haxhi Krasniqi), "I dashur dhe i nderuari Z. Profesor", "Seher gehrter Herr Professor" (Zef Mirdita), "Përqafime", "Me lot në sy" (Mehmet Shurdhani), "I ndershëm Z. Profesor" (Mehmet Gjevori) etj.."

Dërgohen nga Budva e Malit të Zi, nga Poreçi i Kroacisë, nga Roma, nga Zagrebi, nga Parisi, nga Prizreni, nga Beogradi, nga Dibra, nga Gjer¬ma¬nia Demokratike, nga Jena (Gjer¬mania Demokratike), nga Londra, Petro¬va¬ci (Kroacia), nga Pre¬she¬va, nga Ru¬ma¬nia, nga Sfeti Ste¬fani (Mali i Zi), nga Zara, nga Kryshevci i Serbisë, nga Mynihu, nga Bukureshti, nga De¬ça¬ni, nga Lenggries i Gjermanisë. Letra profesorësh, gjuhëtarësh të rinj, studiues të letërsisë, folklorit, etnologjisë, arkeologë dhe historianë, po edhe lexues të veprës së tij, i shkruajnë prof. Çabejt gjithnjë në adresën e tij zyrtare në Tiranë.

I shkruajnë Anton Çetta, Anton Nikë Berisha, Eric Hamp, Gani Bobi, Hasan Mekuli, Haxhi Krasniqi, Ibrahim Rugova, Isa Bajçinca, Ismail Dumoshi, Ismajl Doda, Mehdi Bardhi, Mehmet Gjevori, Murat Blaku, Nazmi Shurdhani, Rexhep Ferri, Rexhep Ismajli, Rrahman Dedaj, Skënder Gashi. Komunikimi me Gashin përfshin një nga pak letra të fundit për prof. Çabejn, ku i shkruan për probleme të thelluara gjuhësore (sufiksat sllavë të toponimisë). Gashi i kishte shkruar: "Gëzohem shumë që tani shëndeti ju shkon mbarë.

Ky gëzim nuk është vetëm i imi porse i të gjithë neve që të Ju shohim punëtorin e palodhshëm dhe njëkohësisht burimin e pashtershëm të këshillave të papërtueshme dhe të ndihmës së pakursyeshme për të gjithë që përpiqen t'ia shtojnë kalasë së dijes albanistike edhe nga ndonjë gurë." Gjuhëtari i përgjigjet nga shtrati i spitalit ku vdiq më 13 gusht 1980. Begzad Baliu e sheh këtë letërkëmbim si fenomen të epistemologjisë në vijim të një tradite brenda studimeve albanologjike.

"Shumë çështje të diskutueshme të fatit të krijuesve shqiptarë të Rilindjes Europiane (Bardhi, Budi, Bogdani), janë trajtuar dhe madje vazhdojnë të rizbulohen mbështetur kryesisht në epistemologjinë e tyre apo të bashkëkohësve të tyre, e cila në rrethanat e reja ka marrë vlerën e dokumentit", shkruan ai.

Tradita konsolidohet në periudhën e Rilindjes Kombëtare kur elita ndodhej në një gjeografi tjetër dhe të largët nga atdheu. Baliu shënon që "vlerësimi i rëndësisë së epistemologjisë nuk ka munguar, por është theksuar kryesisht vetëm në kontekst të pasurisë së saj: letërkëmbimi i pasur i Jeronim de Radës, Sami Frashërit, Elena Gjikës dhe sidomos Faik Konicës.

Gjurmime të kësaj pasurie pjesërisht janë bërë edhe në arkivat personale, shkencore dhe shtetërore të albanologëve të proveniencës austro-gjermane: Gustav Majer, Norbert Jokli etj., ndërsa konsiderohet e një interesi të veçantë epistemologjia shumë e pasur e studiuesve dhe krijuesve të gjysmës së parë të shekullit XX." Me kërkimet që studiuesi i Universitetit të Prishtinës ka bërë sidomos në epistemologjinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, thekson rëndësinë e letërkëmbimeve për studimet albanologjike.

Në rastin e komunikimit të studiuesve të Kosovës me Eqrem Çabejn, vë në dukje se ai komunikim "bëhet në rrethana politikisht, kombëtarisht dhe kulturalisht të vështira, për të mos thënë të kontrolluara nga shumë institucione politike, shkencore dhe shtetërore. Ai nis në fillim të viteve '70, pak vite pasi kishte filluar botimi i studimeve të tij për personalitetet, letërsinë arbëreshe, letërsinë e vjetër, dhe sidomos vendin, gjenezën dhe formimin të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, por shtohet në mënyrë të veçantë pas ribotimit të librit "Për gjenezën...", dhe me të filluar të iniciativës për botimin e veprave të plota të tij në Prishtinë."

Pritej që ky letërkëmbimi i shkencëtarit gjuhëtar me albanologë dhe linguistë nga e gjithë bota shkencore, të botohej me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, por nuk u bë e mundur. Është domethënëse që vepra e tij e plotë me vlerë themelore për kulturën shqiptare,
ka dalë vetëm në Kosovë në vitet '70, si dhe në një ribotim të mëvonshëm po atje. Por akoma jo në Shqipëri, megjithëse viti 2008 u shpall "Vit i Çabejt".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama