Frankfurti është panairi më i madh tregtar i librit, që do të thotë i botuesve; ndërsa Lajpcigu është panairi më i madh i publikut, i shkrimtarëve dhe lexuesve, që do të thotë i promovimit të librit. E takimi i librit me lexuesin në Lajpcig u mbyll të dielën. Për herë të parë në panairin më të madh të librit në Gjermani u prezantua edhe letërsia shqipe. Për Shqipërinë pjesëmarrja rezultoi dinjitoze, ku libri shqip u promovua gjatë ditëve të panairit me organizimin e aktiviteteve të ndryshme të zhvilluara me përfaqësuesit e shtëpive botuese shqiptare, por dhe të autorëve shqiptarë që ishin prezent në Lajpcig.
Shtëpia botuese ‘Onufri’ u prezantua në Panairin e Lajpcigut me botimet më të fundit dhe botimet më me vlerë që mund të ketë biblioteka e shqiptarëve. Kolana e plotë e Martin Camajt qëndronte në krah të asaj të Ismail Kadaresë, dy kolosë të letërsisë shqipe. Gjithashtu, pjesë e stendës së botimeve ‘Onufri’ ishte dhe botimi më i fundit “Statuet e Shkodrës”, e Luçia Nadin. Por botuesi i ‘Onufrit’, Bujar Hudhri, është kthyer nga Lajpcigu me “barrë” më të lehtë, sepse një pjesë e librave të tij ka munguar në “apelin” në fund të ditës. Por me sa duket, nga suksesi, qenka e vërtetë ajo thënia se suksesi i një autori kuptohet nga librat e vjedhur në panair. Kjo ka ndodhur me botuesin Hudhri në Panairin e Lajpcigut, ku disa prej librave të kolanës së Camajt, Kadaresë dhe “Statutet e Shkodrës” u “zhdukën” nga stenda ku ishin reklamuar autorët shqiptarë. Por Hudhri mendon se, pavarësisht kësaj, ai ka dalë i fituar, sepse kush dhuron libra- shprehet ai për MAPO-n - është gjithmonë i fituar.
Nga kolana me veprat e Martin Camajt mungonin vëllimet katër dhe gjashtë. Konkretisht vëllimi poetik i Camajt “Njeriu më vete e me të tjerë” dhe nga vëllimi i gjashtë veprat e tij: “Nema”, “Buelli” dhe “Palimpsest”. Gjithashtu, kush i ka marrë ka ditur të zgjedhë, duke marrë dhe disa prej librave më të fundit të Ismail Kadaresë, si dhe botimin luksoz të ‘Onufrit’, ku studiuesja Luçia Nadin ka përmbledhur "Statutet e Shkodrës". Pavarësisht “firo-ve”, Hudhri shprehet edhe për Deutsche Welle se ka mbetur i kënaqur nga prezantimi në Panair. “Për mua, që merrem veçanërisht me letërsinë shqipe, është diçka e veçantë që u prezantuam në këtë panair kaq të rëndësishëm të botës. Ne kështu u japim shans të huajve të njohin jo vetëm letërsinë, por edhe prodhimin e librave shqiptarë”.
Panairi i Librit në Lajpcig u hap për lexuesin nga data 17-20 mars dhe ketë këtë vit në qendër ishte letërsia ballkanike. Për herë të parë në panair, Shqipëria u prezantua me stendën e saj. Shkrimtarë nga 11 vende ballkanike u prezantuan në 100 aktivitete të ndryshme në katër ditët e panairit të Librit në Lajpcig. Përfaqësimi i Shqipërinë në Panairin më të madh të librit në Lajpcig u bë e mundur nga angazhimi i fondacioneve ‘S. Fischer’, ‘Robert Bosch’ dhe qeverisë gjermane, por edhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që arriti të përfshinte në këtë projekt edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për të mbështetur pjesëmarrjen e librit shqip në Gjermani.
Në një sipërfaqe 16 metra katrorësh u prezantuan përveç botimeve të shtëpisë botuese ‘Onufri’ edhe botimet më të fundit të katër shtëpive botuese të tjera shqiptare ‘Dituria’, ‘Omsca’, ‘Ideart’ dhe ‘Fan Noli’. Gjithashtu një vëmendje e veçantë iu dha edhe shkrimtarëve të afirmuar të viteve të fundit si: Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Ledia Dushi e Albana Shala, e cila për librin e saj të parë "Papa Dixhital" në vitin 2009 u shpall fituese e çmimit "Migjeni". Gjatë panairit është prezantuar edhe edicioni i dytë i antologjisë shumëgjuhëshe me titullin ‘Grenzverkehr’ (Qarkullim ndërkufitar), ku Agron Tufa dhe kolegu i tij maqedonas Nikola Maxhirov treguan këndvështrimet e tyre për Vjenën. Ledia Dushi dhe dy kolege, poetesha Stanka Hrastelj nga Sllovenia dhe Jelena Neleviç nga Mali i Zi, të shtunën iu përgjigjën pyetjeve provokuese të kolegut të tyre mashkullor, poetit gjerman Hans Thill, për dallimet gjinore dhe etnike në poezi.
Interes për letërsinë ballkanike
Vizitorët e Panairit të Lajpcigut kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm për letërsinë ballkanike. Një nga aktivitetet e librit iu kushtua tërësisht Ballkanit, nën titullin “Balkan rockt”. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ky aktivitet këtë vit ishte shtrirë në dy net. Gjatë dy netëve u prezantuan autorë nga vende të ndryshme të Ballkanit. Luljeta Lleshanaku lexoi poezi nga libri i saj "Fëmijët e Natyrës" e botimeve “Ombra”, që është botuar edhe në gjermanisht me të njëjtin emër në edicionin "Korrespondenzen".
Me poezi u prezantuan edhe Agron Tufa dhe Albana Shala, ndërsa Ardian Kyçyku lexoi një tregim me titullin ‘Grepi’, nga edicioni aktual i vëllimit “Guximi për të kujtuar”, një projekt i institutit ‘Goethe’. U prit me interes edhe prezantimi i antologjisë me autorë shqiptarë në gjuhën serbe "Nga Prishtina me dashuri" dhe asaj me autorë serbë në gjuhën shqipe titulluar "Nga Beogradi me dashuri". Dy antologjitë, synojnë të nxisin dialogun ndërmjet dy letërsive fqinje. Ato do të prezantohen edhe në Prishtinë dhe Beograd. Ndërkohë, ndërmjet leximeve, diskutimeve dhe filmave, kishte disa intermexo muzikore nga grupi shqiptar ‘Akustika’.