Jean-Baptiste Clamence ishte një avokat i respektuar në qarqet elitare të Parisit. Kauzat që mbronte e nxirrnin gjithmonë fitimtar, gëzonte simpatinë e femrave, miqve, fqinjit, shërbëtores. Clamence i përket asaj race avokatësh që edhe jashtë sallave të gjyqeve nuk e heqin kostumin e kravatën, as buzëqeshjen nga fytyra dhe janë po aq energjikë dhe të mirësjellshëm. Ja si tregon ai për veten: "Mirësjellja më shkaktonte gëzime të mëdha. Nëse kisha fatin, ca mëngjese që t'ia lëshoja vendin në metro apo në autobus, dikujt që e meritonte vërtet, të mblidhja përtokë ndonjë send që i kishte rënë ndonjë plake dhe t'ia jepja me një buzëqeshje që e njihja mirë, apo thjesht t'ia lija taksinë dikujt më të ngutur se unë, atëherë dita ime ishte e ndriçuar."
Albert Camus shkroi për një njeri si ky romanin "Rënia" ("La Chute",1956).
Në këtë kohë, Camus kishte botuar "I huaji" (1942), trajtesën filozofike "Miti i Sizifit" (1942) të cilat ai i quajti "Cikli i Absurdit" dhe pas tyre, cikli i quajtur "Revolta dhe Solidariteti", ku përfshihen "Murtaja" (1947), "Shtetrrethimi" (1948), "Të drejtët" (1949), "Njeriu i Revoltuar".
"Rënia" (Botimet "Tirana Times", 2010) është përkthyer nga origjinali frëngjisht nga Urim Nerguti.
Jean-Baptiste Clamence nuk ndryshon nga të ngjashmit e vet edhe pse fillimisht tenton me gjithë forcën e karakterit për të qenë në rregull me të tjerët dhe veten.
Sa herë që i duhet të mbrojë dikë në sallën e gjyqit, qoftë edhe pa e njohur saç duhet çështjen e tij, bëhet gati për fjalim të gjatë energjik dhe bindës. Buzëqeshja që nuk i ikën nga fytyra, i shërben për t'u ngjallur besim të pandehurit, të afërmëve të tij, kolegëve, gjykatësit, prokurorit.
Njeriu i Camus ka nevojë t'u buzëqeshë të tjerëve e t'i buzëqeshin, të shkëmbejë mirënjohje, vlerësim. Pa këto, ai do të ishte një qenie e mbushur me zemërim, e shpejt do të shndërrohej "në qen shkulmues".
Camus zbërthen natyrën e njeriut, nevojën që ka ai për të qenë i pranuar, i mbështetur, i vlerësuar. Tek disa kjo nevojë ekziston brenda një mase, të tjerët i merr përpara egoizmi, etja për të sunduar.
"Rënia" e fton lexuesin të reflektojë mbi natyrën e tij, mbi qenien e tij në botë, të kuptojë deri ku shkojnë kufijtë e lirisë së tij.
Në pjesën e dytë të veprës, tregohet sesi shkatërrohet personazhi i Camus. Nga nevoja për t'u ndier i vlerësuar, Clamence kërkoi të gëzonte respektin e të gjithëve, kërkoi majat, të sundonte mbi të gjithë dhe gjithçka, në një moment kur ndihet se ka gjithçka për të cilën ka luftuar, prestigj, para, sukses, famë, kënaqësi të çastit,
Clamence thotë: "Çdo njeri ka nevojë për skllevër, njëlloj si për ajrin e lirë. Të urdhërosh është të marrësh frymë. I fundit në shkallën shoqërore, ka ende bashkëshorten, apo edhe fëmijën. Nëse është beqar ka një qen. Shkurt, thelbësore është që të mund të nxehesh, por që tjetri të mos ketë kurrë të drejtë të përgjigjet."
Jeta e tij plot shkëlqim, ndryshon udhë, një natë duke shëtitur në urën e Senës. Një grua e re, thatime, e veshur me të zeza, që qëndronte pranë parmakut, i tërheq vëmendjen. Ikën dhe pa kaluar 50 metra dëgjon zhurmën e një trupi që kridhet në ujë dhe klithma që shuhet papritur. Ajo zhurmë nuk shuhet nga veshët e tij.
Pas kësaj dite, kudo e përndjek ndjenja e fajit.
Temën filozofike që analizon gjendjen njerëzore më vete dhe në marrëdhënie me të tjerë, kushtet, kufijtë dhe mundësitë ekzistenciale të individit, e gjen në krejt veprën e Albert Camus.
"Rënia" trajton në thelb konceptin e lirisë, koncept bazë në mendimin filozofik dhe në krijimtarinë e letrare të Nobelit të vitit 1957. Ai vë në gojën e Clamence këto fjalë: "Nuk e dija që liria nuk është një shpërblim, as një zbukurim që e festojmë me shampanjë, madje, as një qese ëmbëlsirash, që ju japin kënaqësi jargësh. Oh, jo, përkundrazi ajo është një torturë dhe një vrap i gjatë, i vetmuar, shterues."
Për misionin dhe fisnikërinë e zanatit
Në vitin 1957 Albert Camus vlerësohet me çmimin Nobel nga Akademia Mbretërore e Stokholmit për kontributin që dha në letërsinë e shek XX.
Në fjalimin e mbajtur në ceremoni që botohet në shqipe bashkë me romanin "Rënia", Camus flet për artin e tij dhe për misionin që ka një shkrimtar në kohën që jeton dhe shkruan. "Në të gjitha rrethanat e jetës së tij, në terr, apo përkohësisht i famshëm, shkrimtari mund ta rigjejë ndjenjën e një bashkësie të gjallë e cila do ta justifikojë, me kushtin e vetëm që ai të pranojë, aq sa mundet, dy barrat të cilat përbëjnë madhështinë e zanatit të tij: shërbimin e së vërtetës dhe shërbimin e lirisë. Ngaqë misioni i tij është të mbledhë numrin më të madh të mundshëm të njerëzve, ky mision nuk mund të pajtohet me gënjeshtrën, dhe me nënshtrimin, të cilat aty ku sundojnë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shumëzojnë vetmitë. Cilatdo qofshin pengesat tona vetjake, fisnikëria e zanatit tonë do të rrënjoset gjithmonë në dy zotime të vështira për t'u mbajtur: të mos gënjesh mbi atë çka di dhe të kundërshtosh shtypjen."
Albert Camus u lind më 7 nëntor 1913 në Mondovi, Algjeri. U rrit nga e ëma dhe gjyshërit sepse i ati humbi jetën në Luftën e Parë Botërore. Mbaroi studimet për filozofi në Algjer. Pas studimeve u largua drejt Parisit ku punoi gazetar për "Paris Soir". Në këtë kohë shkroi një ese për ekzistencën të titulluar "Dasma" (1939). Me mbarimin e Luftës, hoqi dorë nga gazetaria dhe angazhimet e vogla politike dhe botoi romanin që e bëri të njohur, "I huaji" (1942), pasuar nga vepra filozofike "Miti i Sizifit". Me artikujt që botonte në gazeta dhe me veprat "Murtaja" (1947), "Shtetrrethimi" (1948), "Njeriu i revoltuar" (1951), Camus kontribuoi në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe kundërshtoi me forcë pushtetet totalitare. Në kohën e luftës së Francës me Algjerinë, ai doli në mbrojtje të një paqeje civile, gjë që i kushtoi armiqësinë nga ana e francezëve të Algjerisë. Në veprat e fundit, "Mërgimi dhe Mbretëria" (1957), "Fjalimi në Suedi" (1958) "nxori në dritë probleme të ndërgjegjes njerëzore". Bashkë me Sartrin ai studiohet sot e gjysmë shekulli si përfaqësues i ekzistencializmit në letërsi. Vdiq në një aksident me makinë më 4 janar 1960, duke lënë në mes romanin "Njeriu i parë".