Lorik Cana e humbi mundësinë për t'u përballur me Francën në Europian, për shkak të kartonit të kuq ndaj Zvicrës.
Kapiteni kuqezi ka treguar emocionet e tij për takimin që ka ndjekur nga stoli. "Kur je në fushë, e heq adrenalinën dhe stresin që e ke. Jashtë është shumë e vështirë.
Zhgënjimi ishte shumë i madh në fund të asaj ndeshjeje, pasi ekipi dha shumë në fushë. Gjithsesi mbeti një festë e vërtetë futbolli. Duke parë atë qytet që unë e njoh mirë, plot me shqiptarë, plot me njerëz nga vendi im që silleshin në një mënyrë tepër të kulturuar, të gëzon.
Kjo edhe kur dihet se para disa ditësh pati ngjarje të shëmtuara mes tifozëve rusë dhe atyre anglezë në shkallët e stadiumit", ka deklaruar Cana për "Top Channel".
Kualifikimi - Mbrojtësi kuqezi është shprehur optimist dhe ka treguar se Shqipëria mund t'ia dalë që të marrë rezultatin e vetëm që i nevojitet.
Sipas tij, ka edhe një mision tjetër në këtë ndeshje, që Shqipëria të përfaqësohet denjësisht edhe në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve, pavarësisht se çfarë ndodh me llogaritë për kualifikimin.
"Ka mbetur një shans për ne për të kaluar fazën e grupeve, por fillimisht duhet të fitojmë me Rumaninë dhe më pas duhet të presim grupet e tjera.
Me 3 pikë kemi mundësi të mira, por Rumania është kundërshtar i fortë. Nëse futemi me mentalitetin e duhur, mund të fitojmë", ka deklaruar Cana.