Lorik Cana ka treguar në një intervistë të dhënë për faqen e UEFA-s të gjitha emocionet e tij për kualifikimin me Shqipërinë në Euro 2016. Ai është i bindur që kuqezinjtë do të paraqiten mirë, pasi mbajnë mbi supe përgjegjësinë e përfaqësimit të një kombi të tërë, ndërsa drejtohen nga një trajner i cili do të lërë gjurmë në historinë e futbollit të vendi tonë.
Për kualifikimin e parë të Shqipërisë në një Europian
"Kjo ka qenë një ëndërr për këdo, jo vetëm për ne futbollistët, por edhe për ata që e duan futbollin apo edhe ata që nuk e duan, pasi e dinë se çfarë përfaqëson kombëtarja jonë. Unë e di se sa shumë i rëndësishëm është ky ekip për vendin tonë, të mbledhur rreth një fanelle, rreth një simboli, dhe mesazhin që u dërgon të tjerëve, që ne shqiptarët mund t'i japim gjëra të mira Europës, kontinentit tonë, ashtu si edhe botës. Kjo është një arritje e shkëlqyer.
Objektivi ynë kryesor ka qenë të përfaqësojmë vendin tonë dhe të lumturojmë njerëzit tanë. Mes shumë viteve sakrificë, lodhjeje, humbjesh, fitoresh dhe luhatjesh, ne nuk jemi dorëzuar asnjëherë dhe kemi arritur që ëndrrat e shqiptarëve t'i bëjmë realitet".
Për influencën e De Biazit si trajner
"Ai e kuptoi që në fillim këtë punë dhe është një person i shkëlqyer që do të lërë shenjë në historinë e futbollit shqiptar.
Ai i është përshtatur mentalitetit shqiptar, duke marrë pjesët më të mira dhe duke lënë jashtë ato të këqijat. Ai gjithashtu na ka mësuar shumë gjëra. Unë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të dhe jemi munduar ta ndihmojmë në maksimum. Pjesa më e madhe e lojtarëve tanë flasin italisht dhe përkthejnë për të tjerët që nuk e dinë këtë gjuhë".
Mbi veshjen e fanellën kuqezi dhe mbajtjen e shiritit të kapitenit
"Të përfaqësosh kombin dhe njerëzit e tu të jep një ndjesi që është e vështirë ta përshkruash. Është diçka që të bën krenar, sidomos kur je munduar kaq shumë gjatë këtyre viteve për të arritur diçka të madhe. Por në të njëjtën kohë të jep edhe një ndjesi përgjegjësie. Ne do të mundohemi t'u tregojmë njerëzve se çfarë përfaqësojmë në fushë dhe jashtë saj, dhe kjo fillon nga unë, kapiteni. Unë duhet të jem i gatshëm.
Të luaj në Francë, që është si shtëpia ime e dytë, ku kam kaluar pjesën më të madhe të rinisë time dhe ku u rrita si futbollist në klube si PSG, Marseja e së fundmi Nanta, do të jetë diçka shumë speciale".
Rreth përballjes me organizatorët në Grupin A
"Franca ka qenë gjithmonë një prej favoriteve, sidomos tani kur ata kanë një skuadër shumë të fortë me një brez të ri, i cili po arrin suksese të mëdha pas një Botërori të mirë. Do të jetë shumë e vështirë për ne të luajmë kundër tyre pasi do të kenë mbështetjen e tifozëve".
Rreth objektivave dhe pritshmërisë së Shqipërisë në Euro 2016
"Çdo skuadër do të shkojë atje për të fituar dhe objektivi i Shqipërisë është i njëjtë. Nëse kjo është e mundur dhe cilat janë shanset tona, kjo është çështje tjetër. Ne duam të luajmë lojën tonë dhe të tregojmë vlerat që kemi shfaqur në vitet e fundit, gjërat që na ndihmuan të kualifikoheshim".