Cani 400 milione USD me shume nga tatimet e doganat

Cani: 400 milione USD me shume nga tatimet e doganat

Buxheti i vitit 2014 parashikon një rritje me më shumë se 420 milionë dollarë tek të ardhurat, nëse krahasimin e bëjmë me vitin 2013. Në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave Shkëlqim Cani mbrojti projektin duke dhënë argumente për pjesën e të ardhurave.

Të ardhurat


Të ardhurat tatimore dhe doganore do të kenë një rritje prej 400 milionë dollarësh në buxhetin e vitit 2014. Por si do të arrihet kjo shifër? “Së pari janë treguesit makroekonomikë, siç është rritja reale e PBB-së që pritet në një nivel rreth 2 për qind, kurse nominale është diçka mbi 3 për qind dhe efekti është rreth 8 miliardë lekë. Lidhur me paketën e re fiskale pritet të gjenerojë 21.7 miliardë lekë. Kjo paketë është unike dhe më e thella në produkte e nxjerra nga një qeverisje. Nga përmirësimet administrative masat që do të merren dhe rritja e performancës do të gjenerojnë rreth 6.3 miliardë lekë”, tha Cani. Lidhur me miradministrimin, ministri tha se është parashikuar që lufta ndaj informalitetit dhe korrupsionit të marrin nivele të reja, në mënyrë që përftimi i ekonomisë të jetë real dhe dukshëm më lart sesa ka qenë në vitet paraardhëse.

Bode


Ish-Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka akuzuar qeverinë se rritjen e të ardhurave që ka parashikuar në buxhet nuk po e arrin përmes miradministrimit, por duke rritur presionin e taksave mbi biznesin dhe individët. “Paketa që sillni rrit presionin për informalitet dhe korrupsion dhe peshën për ata që paguajnë. Me 1.2 për qind rritje të nivelit të takës dhe me një angazhim të Crown Agents jo vetëm që nuk kemi rritje, por kemi ulje me 0.6 për qind të nivelit të mbledhjes së taksave te Doganat. Pra, në tërësi nuk kemi të bëjmë me një rritje të përmirësimit të administrimit, përkundrazi, kemi të bëjmë me përkeqësim”, tha Bode. Lidhur me këtë ai u shpreh se orientimi kryesor i qeverisë duhet të ishte ulja e informalitetit dhe jo rëndimi i barrës për ata që paguajnë tashmë taksat.

Debati ne komision


Shkëlqim Cani: Totali i të ardhurave në buxhetin e vitit 2014 parashikohet 363.9 miliardë lekë, ose afërsisht 26.1 për qind e PBB-së. 8.5 miliardë lekë janë të ardhura nga grantet, kurse 335 janë të ardhura tatimore dhe diçka mbi 20 janë të ardhura jotatimore. Ky buxhet ka 14.5 për qind rritje, krahasuar me atë të vitit 2013. Të ardhurat nga tatime dhe dogana janë 260.6 miliardë lekë, me një rritje prej 18.5 për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2013.


Ervin Koçi: Informaliteti llogaritet 35 për qind. Çfarë reformash strukturore dhe ndryshime ligjore parashikoni në mënyrë që të luftohet informaliteti?


Shkëlqim Cani: Në memorandumin e mirëkuptimit që kemi negociuar me FMN-në, ne prekim mbi 10 nga reformat strukturore që janë thelbësore për një sjellje ndryshe të ekonomisë shqiptare, ku mund t’ju përmend pensionet, energjinë, pronësinë.


Ridvan Bode: Në rritjen e të ardhurve të programuara për vitin 2014 do të jetë biznesi, i cili, duke paguar 7 miliardë lekë më shumë te tatimfitimi krahasuar me vitet e shkuara, do të pakësojë kapacitetin për të investuar apo hapur vende pune. Po kështu, në vitin 2014 qeveria fton qytetarët shqiptarë që të kontribuojnë nga pagat me rreth 12 miliardë lekë nga taksa të ndryshme dhe kjo i prek të gjithë, nga fermeri te menaxheri i kompanive. Këtu u tha që kjo është rritja më e madhe historike. Ka qenë një moment, viti 2007 dhe 2008, kur u ndryshua taksa e sheshtë dhe taksa e punës u përgjysmua, u ul tatimfitimi me 2.5 herë dhe u përgjysmuan të gjithë taksat e tjera. Në këtë vit u rritën të ardhurat në buxhet me 40 miliardë lekë nga efekti i përgjysmimit. Thuhet dhe sivjet që ka 40 miliardë lekë. Po, por në 2007 PPB-ja ishte më e ulët, tani është dyfish. Do të thotë që efekti i rritjes në këtë vit që po dyfishohen taksat është sa gjysma e atij viti që u përgjysmuan taksat.

Kunder Fullanit


Të ardhurat nga Banka e Shqipërisë, pra transferimi që i bëhet qeverisë nga kjo e fundit, duket se është bërë objekt debati. Për vitin 2014 BSH do të transferojë vetëm 17 milionë dollarë, ndërsa ndër vite ka transferuar 52 milionë dollarë. Ministri i Financave Shkëlqim Cani u shpreh dje se i është kërkuar sqarim BSH-së për këtë ulje të transferimit në 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama