Ministri i Financave Shkëlqim Cani pohon se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe ka tre burime kryesore të rritjes ekonomike. Shtimi i kapitalit përbën burimin e parë për të cilin ministri u shpreh se sa më shumë para t’i shkojnë ekonomisë, aq më të mëdha janë premisat për rritje ekonomike. Me gjithë rëndësinë që ka buxheti i shtetit në këtë drejtim, Cani theksoi se 80% e ekonomisë shqiptare mbështetet nga biznesi privat. Pra, më tepër interes ka që burimi të jetë nga privati sesa nga shteti, nga buxheti. Burimi i dytë në favor të rritjes ekonomike është rritja e produktivitetit, u shpreh Ministri i Financave duke vënë në dukje industri të mëdha në vend që e kërkojnë këtë rritje.
Tjetër burim i rritjes ekonomike në Shqipëri sipas tij, është aktivizimi ose riaktivizimi me eficencë i avantazheve krahasuese natyrore, pasi Shqipëria gëzon një pozitë të mirë gjeografike, me pasuri natyrore. Cani përmendi rëndësinë e stabilitetit makroekonomik pa të cilin rritja ekonomike do të vihej në dyshim. Ai tha se stabiliteti makro, duke qenë një tërësi treguesish dhe punë e zhvilluar në kohë, kërkon shumë mund, kohë dhe kosto për tu rivendosur. Një tjetër faktor kryesor në rritjen ekonomike është përmirësimi i klimës së biznesit. Ai u shpreh se ashtu siç studentët shohin me dyshim për çdo shfaqje në jetën ekonomike të vendit, ashtu dhe investirorët e huaj apo vendas, të cilët nuk kanë bindjen që ekonomia shqiptare është drejt përmirësimit, do të vënë ne dyshim hapin drejt investimit. Pra, sipas ministrit klima e investimeve dhe rikthimi i besimit janë tepër të rëndësishme për të siguruar rritje e progres të ekonomisë shqipëtare.
Për këtë arsye, është marrë zotimi që deri në fund të qershorit të rishikohen të gjitha procedurat tatimore e sidomos ato doganore, në kuadër të klimës së bashkëpunimit. Ministri Cani tha se biznesi ka nevojë për një riorganizim e riformatim të shoqatave të tyre. Kjo pasi ashtu siç ai përmendi dhe më lart, 80% e rritjes ekonomike në vend vjen nga biznesi. Borxhet, jepen 1.1 miliardë dollarë në 2014-ën “Nënvlerësimi i krizës ekonomike gjatë qeverisjes së kaluar ka krijuar një borxh të vërtetuar tashmë prej 720 milionë dollarësh dhe se si buxhetet afatmesëm 3-vjeçarë, pothuajse në pesë vitet e fundit janë rishikuar gjithnjë e në ulje”, tha ministri. Nga një mesatare të rritjes së ekonomisë prej 6%, vitin e kaluar është shënuar një rritje prej vetëm 0.4%. Për këtë arsyeje, qeveria aktuale ka marrë zotimin për të shlyer të gjitha detyrimet ndaj biznesit në mënyrë që ekonomia shqiptare të rimëkëmbet. Për 2014-n është planifikuar që rreth 1.1 miliardë dollarë të shkojnë për investime dhe shlyerje detyrimesh të prapambetura për të rivënë në kapacitet të plotë biznesin.
Pagesat për shlyerjen e detyrimeve ndaj privatit do të nxisë biznesin të shtojë investimet, të rrisë numrin e të punësuarve, prodhimin, konkurrencën dhe për pasojëtë shkaktojnë ulje çmimesh, u tha ministri studentëve. Në vazhdim të kësaj logjike, ai tha se ulja e çmimeve si dhe krijimi i vendeve të reja të punës sigurojnë rritje të mirëqenies. Gjithashtu, një tjetër efekt i shlyerjes së detyrimeve është dhe ulja e nivelit të kredive të këqija i cili arriti ne nivelin 24%, një shifër tepër e lartë që pengon agresivitetin e bankave për të dhënë kredi. Cani u shpreh se pritshmëritë për gjysmën e dytë të këtij viti janë që të gjithë këta faktorë, përfshi dhe uljen e kredive të këqija, të vijnë në përmirësim. Ky përmirësim ekonomik do të bëjë të mundur që bankat të bëhen agresive për të dhënë kredi dhe do të mundësojë një ristart në ekonominë shqipëtare duke arritur kështu një rritjë ekonomike prej 2.1 % gjatë vitit 2014, ndërsa deri në vitin 2016 pritet një rritje prej 4%-4.5% , që do të ishte një nivel i kënaqshëm për Shqipërinë.