Butrint
Mbyllet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar Teatror "Butrint 2000".
Në 5 net u prezantuan: "Ëndrra e një nate vere" e Teatrit Shtetëror të Shën Pjetërburgut "Vera Komissarzhevskaya" me regji të Aleksandër Morfov, "Net Shopeniane" e teatrit të Krakovit "Nikoli Theatre" me regji të Mikolaj Wiepriew, "Romeo dhe Zhuljeta" e Teatrit Kombëtar të Operetës në Bukuresht "Ion Dacian" me regji të Kero, bashkëprodhimi i teatrove të Shkupit dhe Prishtinës me regji të Slobodan Unkovskit dhe "Elektra" prodhim i Teatrit Kombëtar Tiranë me regji të Adonis Filipit.
Idetë e Morfovit për teatrin prunë një Shekspir të freskët dhe bashkëkohor. Tri orë në skenën e Butrintit, aktorët rusë reflektuan një mënyrë të veçantë interpretimi, ku bashkoheshin vetëdija, instinkti, forca e brendshme, energjia. Rezultate të një pune të vazhdueshme.
"Net Shopeniane" ishte një orë leksioni 40 minutëshe mbi lëvizjen, plastikën, ndjesitë e brendshme të aktorit, nga përvoja e regjisorit polak Mikolaj Wiepriew. Interpretuesit rumunë të teatrit "Ion Dacian", nën regjinë e Keros, sollën traditën e një teatri pak të njohur dhe të aplikuar në Shqipëri, teatrit muzikor. 70 aktorë në skenë treguan sesi vokali dhe interpretimi flasin të njëjtën gjuhë në një spektakël.
Në "Peer Gynt" e Slobodan Unkovskit ishte e vështirë të shquaje ide origjinale dhe përvojë unike teatri.
"Elektra" e Filipit ishte po ajo që u pa Tiranë, dhe aktorët nuk i kishin hequr apo shtuar asnjë grimë maskave të tyre.
Po çfarë prezantoi "prapaskena", takimet, diskutimet, konferencat?
Këto të fundit ishin me pikatore, u zhvilluan vetëm dy konferenca në 5 ditë, për shfaqjen "Ëndrra e një nate vere" dhe "Peer Gynt". Vijoi tradita e vlerësimeve të fryra të artistëve shqiptarë rreth përshtypjeve "të jashtëzakonshme" duke e lënë pa fjalë të ftuarin. Mungesa e komenteve me vend dhe e pyetjeve apo fjalimet e gjata që nuk kanë të bëjnë me shfaqjen, nuk i dhanë mundësi regjisorit bullgar Aleksandër Morfov, të tregonte rreth konceptit të tij mbi teatrin dhe punën me aktorët, dy anë të dukshme në shfaqjen që ai drejtoi. Për performancën e këndshme "Net Shopeniane" që dëshmonte për kërkime origjinale në teatër, nuk u pa e nevojshme zhvillimi i një takimi që vetë regjisori polak dhe tri aktoret e tij e kërkuan.
Komentet rreth shfaqjeve dilnin nga xhepat, atëherë kur artistët gjenin ambjentin e tyre, mes miqsh, ku ndahen përherë opinione të përbashkëta dhe të gjithë janë dakord për gjithçka, dhe ku përherë i rrahin shpatullat dhe i shtërngojnë duart vetëm njeri-tjetrit.
Jashtë këtij "çarku" disa e kanë fare të kollajtë të dalin, të përmbysin komentin që kanë bërë pak më parë, të mohojnë, apo të mbrojnë idetë e tyre sipas njeriut që kanë përballë. Në këto kushte, ku edhe takimet shihen si të tepërta në një kohë kur bregdeti pret për t'u shijuar, kuptohet sa të pamundura mund të bëhen diskutimet për projekte dhe shkëmbime përvojash mes trupave të dy shteteve.
Regjisori polak Wiepriew, i rrahur me të tilla eksperienca, i kërkoi vetë takimet me artistët shqiptarë, të cilët menduan se do të ishte më mirë komunikimi me postë elektronike, meqë është edhe në modë. Spektatori vazhdon të jetë po i njëjti, ai që vjen falas në teatrin antik, i padisiplinuar dhe që argëtohet më shumë kur ndodh ndonjë gjë "jo e zakontë" dhe skandaloze në skenë. Duket sikur i vetmi sektor që punonte më vete në gjithë festivalin ishte profesori Rudolf Schäefer dhe Orestia Kapidani, me punën profesionale që kanë bërë në fotografimin e shfaqjeve.
Në mbyllje të festivalit, drejtori i Teatrit Kombëtar të Operetës në Rumani, Razvan Ioan Dinca tregoi për "Shekullin" për katër vitet që e drejton këtë teatër. Ai thotë se është me rëndësi të ruhet tradita e këtij teatri muzikor të themeluar që më 1945 dhe të zhvillohen dimensione të reja që ta tërheqin publikun.
Dinca flet sesi administrohen buxhetet dhe teatrin e tij dhe si thithen ato nëpërmjet marketingut, një departament që rri i mbyllur në çelës në Teatrin Shqiptar. Intervistat e këtyre ditëve me administratorë të teatrove të huaj, kanë pasur edhe këtë qëllim: të krahasohet një përvojë e ndenjur e teatrit tonë me përvoja që përpiqen t'u përgjigjen kërkesave të sotme estetike dhe ta mbrojnë teatrin nga tronditjet e krizave ekonomike apo proceseve të zhvillimit.
Zoti, Dinca vetëm në shfaqjen "Romeo dhe Zhuljeta" u ngjitën në skenë një numër i madh interpretuesish. Sa njerëz punojnë në teatrin tuaj?
Ne kemi 280 të punësuar dhe 100 bashkëpunëtorë. Bëjmë një numër të madh performancash. Tani në repertor kemi 22, muzikale, opereta, danc teatër dhe koncerte. Dy tip koncertesh, opereta dhe muzikale dhe koncerte me orkestër. Jemi të vendosur në qendër të Bukureshtit. Mbështetemi nga Ministria e Kulturës në Rumani, 90 për qind të buxhetit. Edhe 10 për qind është vetëfinancim. Thithet nga biletat.
A është i mjaftueshëm ky buxhet?
Jo sepse kemi festivale shumë të rëndësishme. Një prej tyre është "Jeta është e bukur", festival ndërkombëtar për spektakle muzikore. Për festivalin marrim mbështetje edhe nga Bashkia.
Sa rëndësi i jepni departamentit të marketingut?
Kemi një menaxher të veçantë për marketingun. Ai bën një marketing të fuqishëm. Ekspozitat me fotografi, afishe nga festivali, video, projekte janë me rëndësi. Pjesë e marketingut janë konferencat në televizion dhe radio.
Sa përfitoni nga biletat në një vit?
Në një vit përfitojmë 500.000 euro në vit. Nuk është si teatrot në Hungari, Sllovaki, por për në Rumani është mirë.
Ç'doni të thoni më këtë?
Sepse nuk kemi ndonjë traditë të mirë të shitjes së biletave. Çmimi i biletës është shumë i ulët.
Rumania numëron rreth 20 teatro. Si e tërheq "Ion Dacian" publikun?
Vijnë shumë njerëz sepse është një teatër muzikor. Është i vetmi teatër që ka në repertor operetën dhe muzikalin. Është e rëndësishme për ne sepse ka një mision, për të bërë të njohur këtë lloj gjinie.
Udhëtoni nëpër Evropë?
Jo shumë sepse ne jemi një staf i madh njerëzish. Është shumë e vështirë të udhëtosh me 150 njerëz. Është po ashtu e kushtueshme.
Jeni të hapur për të ftuar aktorë, regjisorë nga shtete të tjera?
Aktorët jo. Kurse regjisorë dhe dirigjentë po. Ne jemi pjesë e organizatës Teatri Muzikor Evropian (European Music Theatre), bashkë me tri teatro të tjerë në Evropë, e Budapestit, të Pragës dhe Shën Pjetërburgut. Ne përfitojmë për të bërë bashkëprodhime, për të shkëmbyer shfaqje, për festivale, për të këmbyer artistët, për të bërë lobing.
Ka një histori të gjatë teatri i Operetës në Bukuresht. Si është zhvilluar me kohën?
Kemi një histori 60-vjeçare. Njëri prej njerëzve më të rëndësishëm është Ion Dacian, emrin e të cilit mban teatri. Vitet e arta të këtij teatri janë mes 1960 deri më 1980. Sepse në kohën e komunizmit u mbështet dhe u zhvillua nga regjimi i kohës. I kushtohej shumë vëmendje. Por artistikisht u rrit në kohën e Ion Dacianit. Pas komunizmit opereta nuk ishte shumë mirë sepse Çaushesku e shkatërroi ndërtesën e Operetës. Për këtë arsye ne lëvizëm në Teatrin Kombëtar në qendër të Bukureshtit, që nuk është hapësira e duhur për operetën, ku nuk ka akustikë shumë të mirë dhe të natyrshme. Aty jemi edhe tani, por po përpiqemi të ndërtojmë një ndërtesë të re.
Cili është muzikali që keni në projekt?
"Notre Dame de Paris" me artistë nga Parisi.
"Peer Gynt" sonte në Festivalin e Ohrit
Pas festivalit "Butrint 2000", "Peer Gynt" i Ibsenit, me regji të Slobodan Unkovskit, shfaqet sonte në qendrën kulturore "Grigor Prlicev" të Festivalit "Vera e Ohrit". Aktorët e Teatrit Kombëtar të Shkupit, Kosovës dhe aktorja Yllka Mujo nga Teatri Kombëtar Tiranë tregojnë për tri orë rresht jetën e Per Gyntit.
"Uni Pergyntian" që Ibseni përmblodhi tek ky personazh i shek. XIX është një koncept i njeriut që lufton për të ruajtur veten dhe kur e ka kundër gjithë botën. Bileta për ta parë "Peer Gyntin" sonte kushton 300 dinarë.
"Elektra" po ajo
Skena rrëshqitëse e amfiteatrit të Butrintit nuk ishte favorshme për aktorët e tragjedisë "Elektra", me regji të Adonis Filipit, shfaqja që mbylli edicionin e 11-të të Festivalit të Butrintit. Regjisori mund t'i kishte shmangur incidentet e aktorëve, duke e bërë skenën më komode pa i përdor kësaj here "ashklat" që mbulonin gjithë sipërfaqen e skenës. Dhe me siguri që kuptimi i tragjedisë nuk do të zbehej.
Ishte po e njëjta mënyrë interpretimi që u evidentua në Teatrin Kombëtar dhe "Elektra" "u zvarrit" me të njëjtën monotoni në skenën në të një tjetër skenë. Veç kësaj, e shfaqur në fund të festivalit, trupa shqiptare kaloi pa u parë dhe komentuar nga kolegët e teatrove të huaja. Nuk mund të thuhet se festivali ndihmoi në këmbimin e përvojës.