Ai lëviz nëpër trafikun e vështirë dhe të mbushur të qytetit të Meksikës me shumë vështirësi edhe për faktin që makina e tij paraprihet dhe pasohet nga shumë makina shoqëruese. Edhe pse në pamje të parë mund të të japë përshtypjen e një miliarderi të zakonshëm që ka huqet e një njeriu të një sëre të tillë, Carlos nuk është aspak i tillë. Zakonisht i pëlqen që ta ngasë vetë makinën edhe pse kjo mund të jetë e rrezikshme.
Pasuria e tij është shuma më e lartë monetare që ka një njeri i vetëm sot në planet: 53.5 miliardë dollarë. 71-vjeçari jeton në një shtëpi modeste me 6 dhoma që ndodhet një kilometër larg zyrës së tij dhe nuk ka asnjë lloj interesi në hobitë për të cilat shquhen miliarderët e tjerë siç janë blerja e jahteve të shtrenjta, e makinave super të shtrenjta, apo e shtëpive luksoze në çdo cep të botës. Edhe veshjet i ka më se modeste për të vazhduar me orën e dorës që nuk është aspak e shtrenjtë për statusin e tij financiar. I vetmi fiksim që mund të ketë për sa i përket përdorimit të gjërave të shtrenjta janë purot kubane, një lloj shumë i veçantë dhe me të vërtetë i shtrenjtë.
Një kuti me këto puro qëndron gjithmonë mbi tryezën e tij të punës. Ndërkohë, në muret e zyrës së tij të punës ka edhe shumë vepra arti që të bëjnë të mendosh menjëherë se ke të bësh së paku me një admirues të veprave të artit. Kjo është e vërtetë. Shumë shpejt në kryeqytetin e Meksikës do të çelet një muze i madh me vepra të rralla arti të cilin Carlos do ta quajë me emrin e bashkëshortes së tij që tashmë ka vdekur, pra do të jetë në emër të saj. Ai është shumë i pasionuar ndaj veprave të mëdha të artit.
Në korridoret dhe zyrat e biznesit të tij të zë syri kopje të “mëshirës” së Mikelanxhelos, piktura të Van Gogh, Renoir apo El Greco. Në brendi të zyrës është edhe një skulpturë e Rodin dhe kjo është vetëm një nga 380 pjesët e koleksionit të tij të artit të cilin ai ka vendosur ta ekspozojë në një ambient që do t’u kushtohet pikërisht veprave të mëdha botërore.
Carlos Slim e ka bërë pasurinë e tij përmes një konglomerati kompanish veçanërisht kompanish që kanë të bëjnë me telekomunikacionin. Vitin e kaluar, sipas “Forbes”, ai ia kaloi për pasuri edhe Bill Gates duke u shndërruar në njeriun më të pasur në botë kryesisht falë suksesit në kompaninë celulare “Movil”. Për herë të parë në 16 vitet e fundit, njeriu më i pasur i botës nuk është amerikan. Slim ka edhe kompani dhe biznese të tjera ndër të cilat mund të përmendim bankat, tregtitë, minierat, ndërtimin, restorantet, median dhe sigurimet.
Kritikët e tij thonë se ai drejton shumë biznese që janë shndërruar në monopol duke shkatërruar shpirtin e konkurrencës dhe mundësinë që edhe të tjerët të marrin pjesën e tyre në treg dhe mbi të gjitha duke detyruar çmime të caktuara ndaj produkteve të caktuara. Po sipas tyre, ai ka përfituar nga privatizimet e lira të shumë aseteve me vlerë shtetërore. Ndërsa mbështetësit e tij thonë se ai është një biznesmen i vërtetë i modës së vjetër që ka nuhatje dhe guxim për të bërë investimet e duhura në vendin e duhur. Ai ka kaq shumë prona dhe pasuri sa me të qeshur pohon se as vetë nuk e di saktësisht se cilat prona janë në tërësi në emrin e tij. Duke qenë se bizneset e tij përfshijnë fusha të gjera të jetës, njerëzit e quajnë veprimtarinë e tij “Slimlandia”.
Ai është një djalë i qytetit të Meksikës. Ka lindur në një lagje që është e dashur për të në të cilën ka kujtime shumë të mira nga koha kur luante bejsboll. Edhe sot e kësaj dite është një fanatik i kësaj loje dhe di gjithçka për të dhe për skuadrat e kampionatit. Edhe vetë ka luajtur deri vonë dhe kjo lojë, sipas tij, është një nga hobitë dhe gjërat që i ka pëlqyer gjithmonë që të bëjë në kohë të lirë. Shtëpia e tij e fëmijërisë është një shtëpi dykatëshe, e rindërtuar e rrethuar tashmë me një mur të lartë dhe nga roje.
Është shtëpia në të cilën Carlos ka jetuar për 20 vjet, por ndërkohë vazhdon që të jetë shumë pjesë e jetës së tij dhe e familjes së tij. Kur djali i Carlos 43-vjeçar u martua në tetor, festa u organizua në kopshtin e kësaj shtëpie të vjetër. Carlos është një njeri shumë nostalgjik dhe shumë besnik ndaj dashurive të rinisë së tij. Në këtë shtëpi ka kaluar një pjesë të mirë të jetës dhe kujtimet më të bukura të rinisë ndaj është shumë i malluar kur flet për të dhe thotë se është një nga gjërat më të çmuara për nga vlera shpirtërore që posedon.
I ati i tij ka emigruar në Meksikë nga Libani në vitin 1902 pas rënies së Perandorisë Otomane. Në vitin 1911 ai hapi një biznes të vogël të cilin më pas me shumë përkushtim dhe punë e shndërroi në një biznes të suksesshëm. U martua me vajzën e dy emigrantëve libanezë, babai i të cilës publikoi gazetën e parë në arabisht në Meksikë për komunitetin e emigrantëve arabë. Vetë Carlos që në fillim të jetës së tij ka qenë shumë i qartë se ç’rrugë duhet të merrte. Në këtë mënyrë i ka ndjekur që në moshën 12-vjeçare hapat e të atit në biznes duke i qëndruar pranë dhe duke përfituar nga përvoja e tij dhe nga mënyra se si operonte me mallrat dhe njerëzit. Ishte i ati që e mësoi se sa e rëndësishme ishte mbajtja e një libri personal llogarish në të cilin ai duhet që të shënonte gjithçka, edhe gjërat më të vogla në mënyrë që të kishte parasysh të gjitha veprimet dhe situatën më mirë se të tjerët. Është një këshillë të cilën Slim e ka ndjekur gjatë gjithë jetës dhe që rezulton shumë e suksesshme.
Kështu, në zyrën e Carlos nuk gjen kompjuter, sepse ai i mban të gjitha të dhënat që i duhen nëpër blloqe. Është shumë i kujdesshëm në mbajtjen e tyre dhe i mëson edhe të tjerët se sa e rëndësishme është që të mbash çdo gjë në rregull dhe të shënuar. Një tjetër veçori që e ka trashëguar nga fëmijëria dhe që i ka shërbyer për formimin e personalitetit është edhe arti. Ai thotë se prindërit e tij nuk ishin artistë vetë, por parapëlqenin që ta rrethonin veten nga gjëra të bukura, nga piktura dhe antikuarë. Ndaj shtëpia e tij e lindjes është e mbushur me sende të tilla që i kanë edukuar anën estetike nëpër vite. Ai vetë ka studiuar inxhinieri në Universitetin e Meksikës në të cilin sipas tij gjithashtu kishte shumë vepra arti nëpër mure dhe nëpër sallat e leksioneve. Ai mban mend edhe piramidat asteke, të cilat i ka parë kur ka qenë i vogël për një vizitë me prindërit e tij.
Ai është krenar për meksikanët që i kanë bërë këto mrekulli. Slim ka qenë shumë i pasionuar pas historisë, kozmografisë dhe algjebrës dhe për fat ai thotë se vendimi i tij është shumë i pasur me kulturë dhe gjurmë të së shkuarës që do të bënin krenar çdo njeri. Për sa i përket jetës private, Slim vazhdon që të ruajë një dashuri të madhe për gruan e tij që tashmë nuk është më gjallë. Me të u njoh në moshën 24-vjeçare, sepse ajo ishte vajza e një mikeshe të mamasë dhe pas një periudhe miqësie u martuan në vitin 1966. Carlos vazhdon që t’i mbajë në tryezën e punës fotot e dasmës ku e shoqja shkëlqen me fustanin e saj të bardhë. Po në tryezë ka edhe një tjetër foto të së shoqes.
Është një foto e vjetër po duket se ka një domethënie të veçantë për Slim. Ai vetë i referohet të shoqes si “dashuria e jetës sime”. Çifti pati gjashtë fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë në perandorinë e të atit. Slim thotë se e shoqja kishte një ndjeshmëri të jashtëzakonshme ndaj artit dhe se këtë muze të rëndësishëm do ta ngrejë për të përjetësuar kujtimin e saj. Pasi rrëfen se gjatë muajit të mjaltit e kanë kaluar kohë duke bërë vizita nëpër muze dhe galeri arti nëpër gjithë Europën dhe më pas në të gjitha udhëtimet që kanë ndërmarrë bashkë nëpër vende të ndryshme të botës kanë shëtitur nëpër galeri dhe muze. Ishte e shoqja, sipas Slim, ajo që i mësoi atij se si të shijonte një skulpturë. Pikërisht gjatë udhëtimit të parë të muajit të mjaltit çifti bleu edhe veprën e parë të koleksionit të tyre të pasur, një pikturë flamande të cilën tashmë Slim e ka në studion e punës.
Për pak ditë muzeu që ai e ka ndërtuar me shumë përkushtim dhe dashuri do të çelë dyert dhe përveç tij dhe miqve të afërt të tij do të kenë mundësinë e shijimit dhe admirimit të veprave të rralla edhe turistët e shumtë të Meksikos dhe të gjithë artdashësit e kryeqytetit.