Carshia antike e Shkupit per here te pare me nje librari ne gjuhen shqipe

'Carshia' antike e Shkupit, per here te pare me nje librari ne gjuhen shqipe
“Çarshia”, është lagjja më e antike në Shkup. Kjo pohohet jo vetëm nga historianët por një dëshmi faktike janë dhe ndërtesat dhe rrugicat që të çojnë në këtë lagje. Kjo zonë,  për shekuj me radhë është banuar nga shqiptarët dhe sot e kësaj dite, ajo banohet vetëm prej tyre. Aty shqiptarët e kahershëm kanë pasur dyqanet e tyre tregtare, madje diku në një rrugicë lagjeje, historiani Skënder Asani, na tregon se pikërisht në njërën nga rrugicat e “Çarshisë”, ka pasur dyqanin e tij Nikolla Bojaxhi,  i ati i “Nënë Terezës.

Shqiptarët vijojnë të ruajnë  të njëjtat tradita, në mirëmbajtjen e rrugëve, ndërtesat karakteristike, baret dhe kafenetë. Të njëjtën gjë vijojnë dhe brezat e rinj, sot pas shumë shekujsh,  si paraardhësit e tyre.  Aty kanë shtëpitë, bizneset, lokalet kafetë dhe hotelet e tyre.  Banorët e “Çarshisë”, tregojnë se në të gjithë Shkupin kjo është zemra e qytetit, një nga lagjet më antike dhe me vlerë, që vlerësohet shumë, jo vetëm nga shqiptarët, por dhe nga vizitorët e huaj, të cilët bujtin në çdo kohë. Në një nga rrugicat kryesore që gjendet shumë pranë memorialit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti por edhe shumë pranë sheshit me të njëjtin emër, e që pritet të jetë më i madhi në zemër të Shkupi, do të përurohet një qendër kulturore.

Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, aty do të ketë një librari me libra shqip. Të rinjtë shkupianë tani do të mund të gjejnë dhe të lexojnë libra në gjuhën shqipe, në mënyrë që këtë gjuhë ta çojnë përpara duke e përcjellë ndër breza të pastër ashtu siç edhe është gjuha letrare shqipe. Inteligjentët, studiuesit dhe historianët gjithçka në shqip do ta kenë në shtëpinë e tyre. Nuk do t’u duhet më të vrapojnë drejt Tiranës, për të gjetur librat shqip. Tashmë një libër i sapo publikuar në Tiranë menjëherë do të gjendet dhe në Shkup, me të njëjtin çmim dhe cilësi. Thjesht libri shqip po udhëton drejt tyre.

Vetëm ditët e fundit nga shtëpia prestigjioze botuese “Max”, janë tërhequr qindra libra nga kjo librari, që pritet të inagurohet këto ditë. Historiani nga Shkupi, Skënder Asani tregon mbi këtë risi që miku i tij Norik Selmani ka ndërmarrë. Historiani pohon se, libraria do të përurohet së shpejti, pasi godina e saj është në përfundim e sipër të rikonstruksionit e vendosur pikërisht në një nga lagjet kryesore të “Çarshisë”.  Një librari e parametrave moderne dhe e madhe, e para që do të çelet në këtë lagje dhe do të përurohet me emrin e lagjes “Çarshia”. Kjo Librari do të përmbajë gjithçka në shqip.

“Shkupi është njohur si kryeqendër e mbretërisë Dardane, e më pas ipeshkfisë Shkup – Prizren, e më vonë i vilajeteve të Kosovës. Deri më 1980-ën, është konsideruar si qyteti më i madh me popullsi shqiptare në botë, me një histori dhe kulturë të pasur. Këtu kanë lindur dhe kanë shtrirë veprimtarinë e tyre, shumë personalitete të kulturës dhe historisë shqiptare, si: Perandori Justiniani, Pjetër Bogdani, Nënë Tereza dhe shumë të tjerë . Shkupi rezulton që gjatë historisë e deri më sot, të mos ta ketë zyrtarizuar kulturën dhe të kaluarën e tij historike. Tashmë do të jetë një mundësi zyrtarizimi për këtë qytet”, shpjegon historiani Asani.

Ç’do të përmbajë kjo librari?

Dhjetëra e mijëra nxënës e studentë nga Shkupi  nuk kanë pasur mundësi të kenë një librari në gjuhën e tyre. Tashmë ato do të kenë mundësi të gjejnë dhe të blejnë  libra jo vetëm të autorëve nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe botime të autorëve të huaj botërorë të përkthyer në Shqip.” Hapja librarisë, “Çarshia”, do të jetë një mundësi e mirë, që studentët dhe intelektualët gjatë gjithë historisë së tyre  të shfrytëzojnë për studimet dhe kërkimet e tyre,  një librari jo vetëm me autorë shqiptarë por edhe autorë botërorë. Kjo do të shërbejë jo vetëm për ngritjen profesionale por edhe për ngritjen e vetëdijes kulturore dhe kombëtare. Ka qenë e vështirë që në Shkup të gjeje libra shqip, duhet të kujtojmë këtu që në periudhat e transitit nëse të gjenin një libër të tillë mund dhe të pasohej me burg. Kjo është dhe një nxitje që libri shqip të lexohet”, pohon historiani, Asani. Shqiptari nga Shkupi, tregon , se kjo librari do të shërbejë dhe më shumë si një qendër kulturore. Në të jo vetëm do të promovohen librat e autorëve shqiptarë nga Shqipëria por edhe nga Kosova.

“Çarshia ” jo vetëm Librari

Shqiptarët e Shkupit, pohojnë se “Libraria Çarshia’, do të shërbejë më së shumti si një qendër kulturore.  Në të nuk do të jenë të pranishëm vetëm shkrimtarët dhe autorët shqiptarë që do të promovojnë botimet e tyre. Në këtë qendër arti do të realizohen dhe mbrëmje poetike dhe letrare. Artistë të ndryshëm do të kenë mundësi të realizojnë ekspozita me punime të tyre,  ku artdashësit shkupian do të kenë mundësinë ti  ndjekin dhe të njihen nga afër me realizimet e tyre artistike. Po kështu do të realizohen dhe mbrëmje të ndryshme me muzikë ku do të ftohen artistë nga trojet shqiptare. Këto ditë pritet që kjo librari të përurohet dhe me praninë e Presidentit të Shqipërisë, Z. Bamir Topi. Ndërsa i pari autorë shqiptar, që do të promovojë librat e tij do të jetë ish –ministri dhe shkrimtari, Besnik Mustafaj përfundon gjatë rrëfimit të tij historian, Asani.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama