Cdo femije lind me bakteret e tij

Cdo femije lind me bakteret e tij
Gjithnjë është menduar se fetusi jetonte në një botë sterile, të mbrojtur nga bakteret e shumta të nënës dhe se foshnja e përvetësonte florën e parë bakteriale të zorrëve në momentin e lindjes nga vagina e nënës ose mjedisi ku lindte. Mesa duket të gjithë lindim “të pistë” dhe se bakteret fillojnë të kolonizojnë zorrët kur jemi ende në mitër, duke ndikuar në sistemin tonë imunitar.

Disa prova të mundësisë që gjitarët zhvillojnë një mikrobiomë para lindjes vijnë nga studimet e kryera te minjtë e laboratorit, të publikuara para katër vjetësh. Tani kërkime të reja kanë treguar se e njëjta gjë ndodh edhe te qeniet njerëzore. Pilar Francino dhe kolegët e tij të Universitetit të Valencias mblodhën dhe ngrinë feçet e para të 20 foshnjave të sapolindura. Pasi hoqën shtresën e jashtme të çdo mostre, për të larguar mikrobet e marra pas lindjes, ekzaminuan ADN-në bakteriale. Ekipi gjeti bakteret e pranishme në jashtëqitje, madje kishte komunitete shumë të zhvilluara që mund të klasifikohen në dy kategori. Pothuajse gjysma e mostrave dukej sikur dominohej nga mikroorganizma që prodhojnë acidin laktik, si laktobacilet, ndërsa gjysma tjetër përmbante në veçanti një familje bakteresh të zorrëve, si Esherikia Koli. Elisabeth Bik, studiuese në Universitetin e Stendfordit në Kaliforni, mbeti pa fjalë nga studimi: “Ndoshta teknikat e mëparshme nuk ishin aq të rafinuara për të identifikuar këtë ADN bakteriale.”

Meqenëse mikrobioma mund të ndikojë në rrezikun e marrjes së disa sëmundjeve, ekipi i Pilar Francisco-s vlerësuan gjendjen shëndetësore të fëmijëve në moshën një dhe katërvjeçare, dhe për çudinë e tyre më të madhe, zbuluan se ata fëmijë të lindur me më shumë baktere të acidit laktik ishin më të rrezikuar që të zhvillonin simptoma si astma, ndërsa ata me Esherikia Koli ishin më të rrezikuar nga ekzemat. Këto komunitete të para bakteriale duket sikur, veç të tjerash, janë të lidhura me jetesën e nënës. Pothuajse të gjitha gratë e diplomuara të studimit sollën në jetë foshnja me mikrobiomë të dominuar nga bakteret e acidit laktik, ndërsa ato që kishin mësuar deri në moshën 12-vjeçare sollën në jetë fëmijë me mikrobiomë të dominuar nga bakteret e Esherikia Kolit.

Duket sikur edhe duhanpirëset e nxisin mikrobiomën e zorrëve, ndërkohë që konsumi i ushqimeve biologjike favorizon bakteret e acidit laktik. Gjithsesi studiuesit ende nuk janë të qartë sesi ndodh kalimi i baktereve nga nëna te fetusi, por ka gjasa që ndërmjetës të jetë placenta, edhe pse është vërejtur se bakteret janë të pranishme gjithashtu në gjakun që qarkullon në kordonin ombelikal, i cili lidh fetusin me placentën.

Të korrigjosh mikrobiomën

Edhe pse duhet të konfirmohen, rezultatet tregojnë se një grua shtatzënë mund të ndikojë në natyrën e mikrobiomës së foshnjës para lindjes. Madje mund të jetë momenti ideal për ta bërë, sepse bakteret e para që pushtojnë zorrët ndikojnë më pas te speciet pasardhëse. Një mikrobiomë e ndryshuar mund të shoqërohet me një sërë shqetësimesh, nga sindroma e zorrës së irrituar te obeziteti, por mund të ndikojë gjithashtu edhe te disa pjesë të personalitetit.

“Sipas meje, ka shumë mundësi që bakteret e para të ndikojnë si në zhvillimin e zorrëve ashtu edhe në sistemin imunitar të të sapolindurit”, thotë James Kinross, kirurg i “Imperial college” në Londër, i cili studion mikrobiomën e zorrëve. “Në qoftë se arrijmë të përcaktojmë se cilat janë bakteret më të rëndësishme, dhe cilat kanë pasoja në shëndetin dhe çrregullimet imunitare në të ardhmen, ne mund të ndërhyjmë që ato të jenë të pranishme para lindjes”, shpjegon Francino. “Gratë shtatzëna mund të provojnë duke ndryshuar dietën dhe mënyrën e jetesës”, shpjegon ai. Gjithashtu mund të studiohet edhe jashtëqitja e një të sapolinduri për të parashikuar çrregullimet e mundshme duke identifikuar bakteret që mungojnë dhe kështu të ndërhyhet duke administruar substancat probiotike për t’i zëvendësuar.

Gjithsesi fillimisht mjekët duhet të pranojnë idenë që lindim me baktere. “Sipas traditës mjekësore, fetusi është steril”, shpjegon Kirnoss. “Fakti që zhvillimi i zorrëve ndikohet nga bakteret e nënës është një hipotezë e habitshme. Kjo është një mënyrë krejtësisht e re për të menduar rreth sëmundjeve të njeriut”, përfundon studiuesi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama