Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur ke përballë një artist profesionist dhe me aq shumë përvojë siç është Cekja, një artist që si karburant të shpirtit të tij ka humorin. Në këtë intervistë, Cekja na rrëfen për fi llimet e jetës së tij artistike, karrierën dhe sukseset në vite. Edhe pse është një artist që i është përshtatur dhe i ka rezistuar plot sukses kohës, Cekja thotë se në drejtim të pagës, “më mirë dhe më të vlerësuar kemi qenë në kohën e monizmit”. Ndërsa thumbon politikanët dhe deputetët e parlamentit shqiptar, të cilin e quan “parlaestradë”, humoristi Cekja thotë se atyre duhet t’ju vijë zor e turp që u kanë marrë profesionin e i kanë lënë pa punë.
Si po i përballon Cekja këto ditë të nxehta vere?
Në këto ditë të nxehta të verës edhe krijimtaria fi llon dhe bie. Zakonisht artistët në këtë kohë, që ndryshe quhet periudhë qetësie, i largohen vapës dhe shkojnë për pushime drejt detit, liqeneve apo në vende të tjera ku bën freskët. Por unë në këtë moment ndodhem akoma në Berat, nuk kam ikur me pushime. Tani jam i angazhuar me një koncert që do të jepet në datën 26 të këtij muaj, në lagjen Uznovë, një nga lagjet periferike të qytetit-muze. Koncertin e kam me këngëtaren vlonjate Poni, e cila siç dihet është një artiste shumë e njohur dhe që ka një karrierë dhe bagazh shumë të mirë artistik. Më pas, në 1 korrik, me të gjithë familjen time do të shkoj për pushime në Sarandë.
Kush është pija juaj më e preferuar, në këto ditë kur temperaturat e larta të ndezin edhe nga brenda?
Pa përmendur pijet e tjera freskuese, të cilat nuk para i pëlqej fort, për mua pija freskuese më e preferuar është dhalla. Në Skrapar thonë: ‘Dhallë o dhallë, unë hidh ujë, ti prapë i bardhë’. Dhalli përherë është faqebardhë, ndaj për mua ngelet pija freskuese më e mirë dhe e ka hallall.
Ju dukeni gjithmonë në humor; a ka edhe çaste shqetësimesh dhe prishje të humorit Cekja?
Pa dyshim që ka edhe momente të prishjes së humorit. Nuk ka se si të jesh gjithmonë në humor. Humori është profesioni im, por jashtë profesionit edhe unë përballem me shqetësime, probleme, ashtu si gjithë të tjerët, pavarësisht profesioneve që kanë. Pra, nuk do të thotë që, po të jesh humorist je gjithmonë në humor. Njeriu ka edhe halle, probleme familjare e shoqërore, të përkujdesjes për fëmijët, etj. Nuk mund të them se kam probleme madhore, siç mund të kenë të tjerët, por gjithsesi, edhe ne artistët jemi pjesë e këtij realiteti dhe shoqërisë ku jetojmë dhe ku zhvillojmë aktivitetin tonë artistik. Por humori është i lidhur edhe me anën ekonomike të artistit. Nëse një artist i humorit nuk është mirë nga gjendja ekonomike, nuk ka se si t’i burojë humori, ndryshe humori do jetë i shtirur dhe paksa fallco, paksa anemik, dhe jo origjinal.
Kur e ka filluar rrugën e artit Cekja dhe kush është roli i parë që keni luajtur?
Zanafillën time si aktor e kam në qytetin e Përmetit dhe e kam filluar në moshën 6 apo 7-vjeçare. Kanë qenë vitet 1958, ’59, ’60 e në vazhdim. Në këtë kohë babai im ka qenë me punë, ushtarak në Përmet, kohë kur unë jam aktivizuar me grupin artistik të Shtëpisë së Oficerëve të këtij qyteti. Më pas, duke u rritur, në moshën 13-14 vjeç jam aktivizuar me grupin e Shtëpisë së Kulturës të Përmetit, por gjithmonë si fëmijë, bëja humor dhe pak nga të gjitha zhanret e tjera. Ndërkohë që jetoja në Përmet, duke qenë se isha nxënës i “shkëlqyer” në mësime, babai më dërgoi për të punuar në uzinën mekanike të prodhimit të armëve dhe municioneve në Poliçan. Aty kam punuar rreth tre vjet dhe në vitet ’71-’74 kam shkuar në Estradën e Ushtarit. Aty kam aktruar 3 vjet, kohë e cila për mua ka qenë një shkollë e vërtetë arti, sepse ajo estradë kishte në përbërje të saj profesionistë shumë të mirë.
Roli i parë që ju ka mbetur në mendje?
Roli i parë që kam luajtur ka qenë “Pijaneci”. Ka qenë një rol që më kishte mbetur në mendje gjatë kohës që jetoja në Përmet. Në këtë qytet kishte ardhur Estrada e Gjirokastrës. Bashkë me disa fëmijë të tjerë jemi fshehur dhe kemi qëndruar prapa skene, të futur në disa dërrasa që ndodheshin brenda sallës ku do jepej shfaqja. Kemi qëndruar aty nga ora 9:00 e paradites deri në orën 18:00 të pasdites. Rrinim të fshehur për të parë shfaqjen e Estradës së Gjirokastrës.
Nga kjo shfaqje më kishte ngelur në mendje një aktor që luante rolin e pijanecit. M’u fiksua në mendje ai rol. Nuk e mbaja mend të gjithë tekstin e materialit ndaj, duke e përfytyruar rolin, ndërtova materialin me fjalët e mia. Këtë rol e kam luajtur kur shkova në qytetin e Poliçanit dhe kur shkova në Estradën e Ushtarit. Pra, “Pijaneci” ka qenë roli im i parë si humorist në formim e sipër dhe që i takon viteve ’70-të.
Cili ka qenë shpërblimi që keni marrë nga e gjithë puna juaj deri më sot dhe a është e vërtetë se para viteve ’90-të, artistët dhe aktorët kanë qenë më shumë të vlerësuar se sa tani?
Në fakt, unë ia kam parë hajrin profesionit tim dhe është gjynah të qahem. Pas viteve ’90-të, më shumë lekë kam marrë, nëse nuk gabohem, në vitet ’98, ’99, 2000. Ishte reklama ‘Gërvisht dhe fito’ me Hygerta Sakon. Kanë qenë rreth 9 reklama, me 7-8 milionë lekë secila, aq sa nuk i kisha menduar ndonjëherë. Më pas kam filluar me kasetat, me xhirimet në studio private, të cilat kanë qenë shumë të paguara në atë periudhë kohe. Jeta artistike ka vazhduar me koncerte jashtë shtetit.
Në Greqi, për katër vite rresht, thuajse çdo fundjavë kam dhënë koncerte me këngëtarët: Poni, Eli Fara, Ylli Baka, Maya, Shpat Kasapi, Ermal Fejzullau e shumë këngëtarë të tjerë shqiptarë. Kur kemi qenë më të vlerësuar?! E vërteta është se, në drejtim të pagës, më mirë dhe më të vlerësuar kemi qenë në kohën e monizmit. Po të krahasojmë pagën, në raport me shpenzimet, e përpara viteve ’90-të, me pagën e shpenzimet në kohën e sotme, më rezulton se paguheshim më mirë në sistemin e kaluar. Sot jemi në vitin 2012.
Tani kthehemi prapa në kohë, në periudhën që quhet koha e diktaturës. Unë kam rreth 3 vjet që punoj në këtë institucion, pra në Qendrën kulturore “Margarita Tutulani”. Përpara viteve ’90-të rroga ime ka qenë 9200 lekë (të vjetra) dhe mos të harrojmë, në atë kohë unë isha pa arsim përkatës. Rroga ime ishte gati e barabartë me atë të babait tim, që ishte ushtarak në rangun ‘komandat batalioni’. Ai merrte 10 mijë lekë. Në atë kohë kishte një klauzolë të veçantë për artistët, që thoshte: Talentet e artit të trajtohen në mënyrën më maksimale, me pagë sikur të jenë me arsim të lartë. Sipas asaj page, i bie që sot të marr 920 mijë lekë, por në fakt unë nuk marr as çerekun e asaj rroge.
Thuhet se humori i sotëm ka shumë banalitet; mendoni se është i pranueshëm ky lloj banaliteti?
Grotesku është i pranueshëm në art, por unë nuk jam për humorin banal. Shpeshherë abuzohet, duke futur në humor fjalë banale. Humorin nuk e zbukurojnë fjalët banale, por fenomenet që goditen nëpërmjet humorit. Pëllumb Kulla i madh, regjisor dhe shkrimtar, thoshte se, në qoftë se aktori arrin të përdorë banalitet, në qoftë se aktori fillon e zhvishet në skenë dhe arrin të heqë brekët përpara shikuesve, atëherë ky është fundi i artit të tij.
Tani, pas shumë vitesh punë dhe shumë roleve të spikatura, jo vetëm në skenën e humorit, por edhe në atë të komedisë dhe filmit, mendoni se e keni arritur kulmin e karrierës tuaj?
Jo, artisti nuk ka të ngopur me punën e tij. Asnjëherë artisti nuk duhet të thotë se ka arritur majën, sepse po pati arritur majën duhet të fillojë të tatëpjetën. Kështu që artisti është gjithmonë në kërkim, gjithmonë në krijimtari. Artisti është në aktivitet, deri sa t’i punojë mendja, goja dhe këmba. Kësisoj, artisti nuk ngopet asnjëherë me atë që ka bërë, por është në kërkim të asaj që do të bëjë në përditshmëri dhe në të ardhmen.
Ju, veç skenës, jeni edhe një folës shumë i mirë në bisedat e lira; kjo është dhunti juaja apo është mundësi që jua ka dhënë arti?
Është një pyetje e rrallë dhe që nuk më është bërë ndonjëherë, ndaj edhe do përgjigjem me shumë sinqeritet. Në periudhën e rinisë sime, madje edhe atë të rinisë së vonshme, në moshën 30-40 vjeç unë e kam pasur shumë të vështirë të flas dhe sidomos të jepja intervista. E gjitha ajo që ju konstatoni te mua është frut i përvojës time artistike, takimeve të shumta dhe bisedave me shokët dhe miqtë e mi. Pjesëmarrja në shumë biseda dhe rrethe shoqërore të të gjitha niveleve, nga më i ulëti deri në rrethet intelektuale, më kanë shërbyer për të marrë shumë prej tyre. Në këto takime kam marrë ato që më interesojnë dhe kam lënë ato që nuk më duhen. Në formimin kulturor të gjithsecilit është e rëndësishme se me kë rri, me kë flet dhe nga kush mëson. Nisur nga eksperienca ime, them se jeta është shkollë e madhe për gjithçka, por varet se si e trajton atë.
Si njohës i mirë i humorit, kur mendon se bëhej humor më i mirë, para viteve ’90, apo sot?
Do ta them me plot gojën, sepse nuk kam ndonjë ndjesi apo preferencë politike për ndonjë nga partitë. Humori i dikurshëm ka qenë më i mirë, më preciz, ka qenë humor shumë i goditur dhe shumë i zgjedhur, dhe pa diskutim ka qenë humor që trajtonte fenomenet dhe problematikat që shqetësonin njerëzit, ndaj edhe ishte shumë i pëlqyer. Çdo humor trajtonte një problem të caktuar dhe nuk ishte humor për humor, siç ndodh sot në shumë raste.
Ne sot mund të flasim për gjithçka, por kjo nuk do të thotë që kemi bërë humor të mirë. Nëse në humor, – ashtu si në fushat e tjera, siç janë drama, komedia, poezia dhe çdo zhanër, – nuk ka një problem të caktuar, një mesazh që duhet dhënë, nuk mund të bësh dot art. Humori që nuk trajton një fenomen apo problematikë nga jeta e qytetarëve është i destinuar të “vdesë”, të harrohet. Kohës nuk i rezistojnë të gjitha veprat apo rolet. Do jetojë vetëm ai humor që trajton fenomenet, hallet dhe shqetësimet e njerëzve. Artisti mund të bëjë 100 ose 200 vepra apo role, por i mirë është ai artist dhe ajo vepër që i reziston kohës. Sot, veç artistëve të vërtetë kemi edhe plot artistë sezonalë.
Të tillë ka si në fushën e krijimtarisë, dramaturgjisë, këngës apo edhe humorit, por artist i mirë është ai që është artist jetëgjatë. Sa më shumë i reziston kohës, sa më shumë punon dhe mbetesh në mendjen e spektatorëve. Vetëm atëherë artisti ka bërë diçka, ka lënë një gjurmë. Ky mund të thuhet se është artist i mirë. Artistë sezonalë kanë dalë dhe do të dalin me lopatë, siç po ndodh sot, sidomos me këngëtarët. Sot ka dalë një shprehje shumë e madhe: “Çfarë po bën?; -Jam këngëtar”. Mjafton të bësh disa këngë, një klip, mjafton të shkurtosh fundin, ta kthesh në minifund, mundësisht të dalësh edhe me të mbathura në skenë, të dalësh edhe gjysmë lakuriq dhe kujton se po bën gjë të madhe, kujton se po bën art, por në fakt po lë një shije shumë të hidhur dhe e ke humbur davanë pa filluar akoma.
Unë, në të gjithë karrierën time artistike do veçoj filmin “Një baba tepër”. Për mua, është një nga skenarët dhe realizimet më të bukura të karrierës sime artistike. Pse? Sepse është film tragji-komik. Prindërit kanë fëmijë, por edhe fëmijët kanë prindër. Ne sot jetojmë në një realitet, kur shumë njerëz kanë ikur duke i lënë prindërit vetëm. Babë e nënë i kanë lënë në duar të fatit, në duar të Zotit dhe në mënyrën më skandaloze. Kjo është dramë shumë e madhe e prindërve shqiptarë. Po ka edhe më keq, siç ndodh në filmin “Një baba tepër”, ku mua të ‘mjerin’ nuk më merrte asnjëri nga djemtë, se nuk i linin as ato lanetkat, nuset.
Mendoni se politika dhe humori parlamentar në veçanti jua ka ulur çmimin e punës dhe se po ju konkurron në mënyrë të pandershme?
(Qesh) Kjo është shumë e vërtetë. Ka kohë që në Shqipëri parlamenti po luan një rol të jashtëzakonshëm, një rol të pazëvendësueshëm, një rol që ne humoristëve na ka nxjerrë në hije. Sepse i gjithë humori ka kaluar në duart dhe gojën e politikanëve dhe parlamentarëve tanë. Humor banal, hakërrim, zhargon nga të gjitha llojet. Veç fjalëve të “zgjedhura” ata aktrojnë me kokë, me duar dhe me këmbë, në foltore dhe nga vendi; të gjitha i gjen në parlaestradën tonë. Parlamenti ynë është bërë si ‘Portokallia’, por për t’u identifikuar më mirë le të quhet ‘parlaportokalli’. Deputetët tanë, ligjvënësit tanë, që na marshin të keqen, kanë shkelur ligjin, po na konkurrojnë në mënyrë të pandershme. Ata janë kthyer në humoristë shumë të mirë dhe si të tillë, na kanë lënë pa punë e pa para. Ne njoftojmë për shfaqje, qytetarët na thonë: “Jo, nuk vijmë dot, se do shikojmë gallatparlamentin”. Deputetët na kanë marrë profesionin. T’u vijë turp që po konkurrojnë në mënyrë të paligjshme.
Cila është këshilla juaj për aktorët e rinj?
Unë nuk jam pedagog arti që të jap këshilla, por nga përvoja ime artistike do t’u them atyre që kanë dëshirë për artin dhe duan që të bëhen aktorë, se nuk mund të jesh artist pa pasur ndjenjë e shpirt artisti, sepse pa to del shumë shpejt jashtë skene, pasi je fallco. Ndodh që mund të kesh ndjenjë dhe dashuri për artin, por që të bëhesh artist, veç talentit duhet edhe punë. I madhi Kadri Roshi thoshte se, për t’u bërë artist duhet 1% talent dhe 99% punë. Puna është rrënja që ushqen të gjitha profesionet.