Një koncert event, qysh në titull: “RockEconomy”. Kësaj radhe, objektivi kryesor i ‘Molleggiato’-s (kështu e quajnë italianët kërcimtarin elastik të skenës) ishte ekonomia dhe kriza që e kërcënon atë. Adriano Celentano kthehet të ekzekutojë përsëri live, tetëmbëdhjetë vjet më vonë, në një koncert të shumëpritur, të zhvilluar në dy net radhazi, 8 dhe 9 tetor, në Arenën e Veronës. Në krah të tij, nuk kish si të mungonte edhe Gianni Morandi, miku i të gjitha kohërave, që kësaj radhe i takon “t’i kthejë nderin”, pasi bashkë gati sa s’e shpërthyen skenën e Sanremos në shkurtin e shkuar.
Një skenografi gati monumentale. Një hyrje sportive, si gjithmonë. Adriano mbante në kokë një kapuç që duket se ia kishte marrë me xhiro vajzës së tij Rosita-s dhe, pa e zgjatur shumë, nis të këndojë “Svalutation”. Pastaj është radha e “Rip it up”, e cila u pa e pavdekshme në “La dolce vita” të Federico Fellinit. Ca më tej, gjëmimi i “Si è spento il sole”, nuk kish si të mos emociononte pothuajse të gjithë të pranishmit aty. Ishte e qartë se vitet ’70 nuk duan të dalin kurrë nga moda, e aq më pak kur bëhet fjalë për muzikën. Por ama ka hapësirë edhe për të tashmen, për prodhimet me të reja të Adrianos, si “La cumbia di chi cambia”, pjesa që në Sanremon e fundit shkaktoi një bujë të jashtëzakonshme. Pas “L’emozione non ha voce”, ishte radha e “Io sono un uomo libero”. Adriano këndon ulur. Forma fizike nuk kish si të ishte e njëjtë me atë të herës së fundit, 18 vjet më parë. Grinta ama ishte e njëjta. Do të mjaftonte të dëgjoje “Pregherò”, - kushtuar atëherë ‘djaloshit’ Paolo Bonolis – për ta besuar.
Hera e parë ishte 18 maji i vitit 1957, në ‘Palazzo del Ghiaccio’ të Milanos. Kohë të zanafillës së Rock and Roll-it dhe imitimit të Jerry Lewis-it. E fundit, në pallatin e sportit ‘Forum d’Assago’, më 18 nëntor të 1994, mes një turme brohoritëse, hite që bënë epokën dhe, të zakonshmet, të pashmangshmet polemika. Që sigurisht nuk do të mungonin edhe kësaj radhe, në Arenën e papërsëritshme të Veronës.
Rock-Economy, një binom i vështirë për Celentanon
Kur këndon, i vetëm apo në duet, duartrokitje, thirrje që e mbështesin, ndonjë lot që shkëputet aty-këtu. Por kur flet, apo bën të flasin mysafirët “seriozë”, ovacione për sloganet anti-krizë, pak shfryrje mërzie nëpër të...,në këtë pikë shpërthejnë fishkëllima padurimi. Spektakli i transmetuar drejtpërdrejt në Canale 5, nisi me aktorin Valerio Amoruso dhe gazetaren e TG5 Cristina Biachino që lexonin pjesë nga analizat e ekonomistëve me famë botërore si Jeremy Rifkin dhe Serge Latouche. “Lumturia nuk mund të matet me prodhimin e brendshëm bruto” dhe, më tej akoma “Ne duhet të duam një shoqëri në të cilën ekonomia nuk është fundi përfundimtar i jetës...”.
Përfundimisht, duhet pranuar, pritej më shumë “Rock” sesa “Economy” në kthimin e bujshëm në koncert të Adriano Celentanos, plot 18 vjet më pas. Derisa ai mbërtheu mikrofonin në dorë, Arena e Veronës, mbushur përplot si rrallëherë, e priti si një profet. Por, kur veshi rrobën e profetit, duke ia drejtuar mikrofonin ekonomistit të ftuar Jean Paul Fitoussi, ai bindi më pak, dhe nuk shpëtoi as pa ndonjë “buuuu...” zhgënjyese.
Retorikat dhe tekstet e harruara
Për fat, shfaqja hapet nën banerat muzikorë, si të ishte një koncert tradicional. Niset nga talking blues “il mondo in mi 7”, viti i hijshëm 1966. Retorikat e sotshme të Adrianos nacionalist nuk ndryshojnë nga ato të djeshmet, përfshi këtu lapsuset. “Si ka mundësi që bota është kaq e shëmtuar? Po! Kemi qenë vetë ne, pikërisht ne, që e kemi shkatërruar këtë kryevepër që rri pezull në qiell, në qiell, në qiell! Lexoj që në tokë ka gjithmonë një luftë, por ama, për fat, kemi mbërritur në hënë, ndërkohë që këtu ka ende uri, ka ende uri!”. Ndërkaq, nga njëri varg në tjetrin ai nuk harron të shpotisë edhe gazetarët (“Shikoni se ç’shkruajnë për Al Banon që është ulur aty, në radhën e dytë...”).
Dhe ja ku vjen pjesa e dytë. Është radha e të famshmes “Soli”, shkruar për atë vetë nga Toto Cotugno në vitet shtatëdhjetë. Por Adriano harron tekstin... dhe, kur e sheh veten në vështirësi, nis e përshëndet publikun. Në këngën e tretë, vjen edhe shkarja e dytë: është duke kënduar “L’arcobaleno”, por papritur ndalet tek strofa që ka përpara dhe ja plas duke qeshur “Nuk arrij ta lexoj dot...”. Por ata vazhdojnë ta duan shumë mitin e tyre të muzikës, ndaj, salla shpërtheu për të pritur tangon “Storia d’amore”, që Adriano gjithmonë e këndon i ulur.
Yuppi Du dhe predikimet ambientaliste
Një “Yuppi Du” për të prezantuar pjesën e dytë, e ndjekur nga balerinë e figurantë që luajnë e vërtiten pa pushim. Është radha e të qenit serioz, ndaj Adriano përpiqet të grish edhe njëherë me një thirrje fantazmë kundër krizës. Tema e momentit, gjithsesi, ishte mbrojtja e ambientit. “Jemi pjesë të një motori të shpërndarë gjithandej, që nuk e gjen më rrugën drejt një jete ndryshe nga ajo që po jetojmë tani”, por “është koha e duhur për ta zhdukur këtë sistem apatik jetese”. Ambientalizmi i Celenanos, kthehet e rrotullohet e përfundon në qytet: “Ç’vlerë do të kishte të jetoje në një apartament me të gjitha komfortet e mundshme nëse ai apartament do të ishte i vendosur në një lagje të rënduar?”...dhe, sikur të ishte duke bërë një klasifikim të idealeve për të cilat ia vlen të jetosh: “mendoj se pas dashurisë, e cila është në vend të parë, vjen bukuria e mjedisit ku jeton. Apartamenti i vërtetë është aty jashtë, aty ku njerëzit shkëmbejnë një përshëndetje...”. Dhe në fund, një utopi ëndërrimtare: “Mendoni pak, një komb i tërë që ëndërron... Nëse jeni shumë që ëndërroni, atëherë nuk ka ëndërr që nuk mund të realizohet”.
“RockEconomy” ishte i bukur për sa kohë ai këndoi...
Nuk ishte e lehtë të pranohej, aq më pak nga vetë italianët, fanatikët e tij të përjetshëm. Monologu anti-krizë i Celentanos, ishte shumë pranë blof-it. Shumë pak ide, dhe aq më pak të sakta... Aq sa, që në minutat e para të monologut, ndieje menjëherë nostalgjinë e një çasti më parë, kur ai këndonte.