Celesa per tu harruar

Celesa per t'u harruar
Si lexues i Kafkës në Shqipëri, sot, ke një fatkeqësi dyfishe. Së pari je nisur ta gjykosh këtë shkrimtar si përfaqësues të një moderniteti dekadent, para 90s me frikë, adhurim të fshehur, dëbim, pas 90s me respekt pa kufi dhe pa dijeni, diktuar nga të tjerët.

Në shqip së shpejti vepra e plotë e Franz Kafkës në prozën e shkurtër

Një doktor fshati që zhvishet lakuriq dhe hyn në shtrat të të sëmurit pak para se ky të vdesë, arrin pastaj të kërcejë nga dritarja drejt e mbi kalin që ka futur kokën aty. Një djalë që mban hopa babanë plak për ta vënë në shtrat, babai që papritur kërcen në këmbë, i gjatë e i frikshëm dhe e dënon të birin me mbytje në lumë.

Një avokat që dikur ka qenë kalë beteje i Aleksandrit të Madh dhe tani e kalon kohën duke lexuar kodet legjislative të popujve të ndryshëm. Një shef prodhimi në një fabrikë veshmbathjesh i cili papritur gjen në dhomën e vet dy topa të vegjël që kërcejnë gjithë kohën mbi dysheme në mënyrë të pavarur, që i bëhen atij hije nga pas e që s'pushojnë së trokituri ditë e natë. Një mësues fshati i cili zbulon një urith të madh si nja dy metra, por që askush nuk ia beson monografinë shkencore për këtë problem, nuk ia besojnë as një simpatizantit të tij që vihet të shkruajë një monografi tjetër të pavarur po për këtë urith të cilin s'e ka parë kurrë, më saktë për mësuesin e fshatit që pa një ditë një urith të stërmadh. Një gjuetar nga Pylli i Zi në Gjermani i cili dikur në mesjetën e hershme vdiq pasi u rrëzua duke ndjekur një dhi të egër, por që nuk arriti të shkojë vërtet në botën e përtejme sepse ndodhi një gabim në drejtimin e lundrës që të çon aty prandaj endet nëpër shekuj i shtrirë në një vig brenda varkës së tij, flokë e mjekër kokolepsur.

Një komisioner që papritur një mëngjes zgjohet si një brumbull i stërmadh që s'arrin dot jo më të vishet e të shkojë në punë, por as të rrotullohet mbi bark; ashtu do të vuajë, duke u zvarritur brenda dhomës së tij, nganjëherë deri në dhomën e ndenjes te prindërit dhe motra, gjersa një ditë të ngordhë i goditur dhe i përbuzur. Këto janë disa nga subjektet ose pikënisjet e prozave të shkurtra të Franc Kafkës. Ato do të dalin për herë të parë të plota në shqip këtë vjeshtë në një vëllim rreth 600 faqesh që përfshin gjithçka shkroi si tregime, skica, ese shkrimtari hebre i gjuhës gjermane nga Praga.

Botimi do të ndjekë kritere filologjike, domethënë do të respektohen versionet e mirëfillta origjinale sipas dorëshkrimeve të Kafkës dhe sipas variantit përfundimtar për ato raste kur këto proza janë botuar sa ishte gjallë autori. Dihet se me vdekjen e tij më 3 qershor 1924, miku dhe shkrimtari tjetër hebre-gjerman nga Praga Maks Brod, nuk e respektoi dëshirën testamentare të Kafkës për t'i djegur gjithë dorëshkrimet e pabotuara, përkundrazi i botoi ato të plota dhe me një kujdes të veçantë prej miku dhe adhuruesi. Ky kujdes bëri që shpesh të botoheshin nga fletoret e Kafkës ai variant ose ai titull, të cilin Brodi mendoi se do të kishte zgjedhur edhe miku i tij sikur të ishte gjallë. Kështu p.sh. nga tri tekstet për gjuetarin Grakus, doli varianti i parë me titullin "Gjuetari Grakus"; natyrisht ky nuk mund të quhet kriter filologjik, pasi të trija variantet e tregimit kanë vlera më vete, edhe titulli nuk është i nevojshëm nëse autori nuk ka lënë një të tillë.

Në fillim të viteve 80 të shekullit të kaluar një grup filologësh dhe dijetarësh gjermanë të letërsisë përgatitën Botimin kritik të Kafkës. Këtu janë regjistruar gjithë shkrimet e tij sipas rendit kronologjik, është respektuar ortografia dhe pikësimi origjinal, madje në aparatin shoqërues botohen edhe frazat a pjesët të cilat Kafka i ka hequr më pas.Ky botim dhe përmbledhjet popullarizuese që e ndoqën atë nga shtëpia botuese Fischer janë në bazë të librit shqip që jemi duke përfunduar. Kur hyn në veprën e Kafkës ke kaluar një prag që s'ka të bëjë më me jetën e përditshme, me njohuritë e tua historike, filozofike ose religjioze. Ti ke hyrë thjesht në botën e tij ashtu siç hyn bie fjala në botën e mitologjisë greke kur merr në duar një përmbledhje me ato mite, ose sikurse lexon Dhiatën e Vjetër duke u hequr këtyre pjesët moralizuese apo didaktike.

Prej çastit që ke hyrë nuk duhet të habitesh më me asnjë pamje të personazheve, me asnjë kthesë të subjektit, madje as me kthesa ose zhvendosje në atë që quhet logjikë e shëndoshë e njeriut. Si lexues i Kafkës në Shqipëri, sot, ke një fatkeqësi dyfishe. Së pari je nisur ta gjykosh këtë shkrimtar si përfaqësues të një moderniteti dekadent, para 90s me frikë, adhurim të fshehur, dëbim, pas 90s me respekt pa kufi dhe pa dijeni, diktuar nga të tjerët. Së dyti, literatura sekondare për Kafkën në rreth 80 vjet qysh se i dha famën Brodi është rritur në mënyrë galopante, këndvështrimet dhe interpretimet kanë krijuar shkolla më vete, është e pamundur t'u shpëtosh atyre, sidomos kur kërkon ndihmë pasi futesh nëpër labirinte ku të duket se vetë nuk e gjen dot rrugëdaljen. Ndaj e quaj fatkeqësi, natyrisht në thonjëza. Sepse ky handikap është po aq edhe shajni, virtual. Ai mund të lihet tërësisht mënjanë dhe t'i vihesh leximit të Kafkës sikur të mos e kesh njohur kurrë më parë këtë autor dhe të mos kesh dëgjuar asgjë për të.

Ishte kjo qasje që përdora në leximin tim dhe punën e përkthimit. Kënaqësia ishte e jashtëzakonshme.

As nuk mund të krahasohej p.sh. me leximin e "Metamorfozës" në moshën e gjimnazit, kur detyroheshim ta fshihnim librin jo më nga shokët e dyshimtë të klasës, por edhe nga prindërit. Ndërkaq "Metamorfoza" ose më saktë "Shndërrimi" nuk kishte asgjë politike, madje ideologët tanë kanë qenë vërtet shumë naivë, sepse proza si këto fare mirë mund të interpretoheshin si tëhuajtje e njeriut në sistemin kapitalist dhe revoltë e shkrimtarit ndaj këtij sistemi etj. Sidoqoftë, leximi i pandikuar i Kafkës është i vetmi që të lejon ta hysh në botën e tij i çarmatosur. Vetëm kështu mund të hyhet. Maks Brodi shkruan diku: "Merrni vetëm gjuhën e tij! Gjuha e tij është e pastër si kristali, ndërsa në sipërfaqe nuk vëren ndonjë përpjekje tjetër përveç se dëshirës për t'iu përshtatur objektit. E megjithatë nën pasqyrën e hijshme të këtij lumi të kthjellët gjuhe rendin ëndrra, vizione me një thellësi të pamatshme.''

Gjuha është magjia e parë e Kafkës. Ajo është e saktë deri në skaj, ose përtej skajit. Dihet që gjermanishtja është gjuhë e fortë logjike, me ndërtime të rregullta ku ti i sheh konstruktet gjuhësore si të shihje strukturën e atomit, e ngjashme me latinishten në këtë vështrim.

Kjo në përgjithësi, ndërsa në veçanti është gjuha e administratës, e gjyqeve, e shkencës që ka mëtimin të funksionojë siç funksionojnë atomet brenda molekulës dhe molekulat brenda lidhjeve më të larta strukturore. Kafka, njeriu që ditën e kalonte si nëpunës i një shoqërie sigurimesh mes shkresave ku mëtohej pikërisht kjo saktësi maksimale e gjuhës dhe natën ia kushtonte krijimeve, përdori pikërisht gjuhën e ftohtë administrativo-shkencore për të veshur ëndrrat, fantazitë, vizionet dhe makthet e tij. Përse e bëri këtë?

Por le të përmendim shkurt disa nga orvatjet që janë bërë për të interpretuar veprën e tij, enigmatike edhe sot e kësaj dite, për të dhënë çelësin që do të lehtësonte hyrjen në labirintet e tij, sikurse është labirinti i Ligjit, labirinti i Kështjellës, ai i Udhëheqjes së murit të madh, labirinti i hulumtimeve të Qenit etj. etj. Është njëherë interpretimi psikanalitik. Ai niset nga raporti i vështirë i Franc Kafkës me të atin, e sidomos nga Letra e famshme drejtuar babait. Për përfaqësuesit e këtij interpretimi është i qartë kompleksi i Edipit te shkrimtari, inferioriteti që ndjeu ai gjithë jetën ndaj t'et dhe përpjekja për të shpëtuar nga shtypja e babait autoritar përmes letërsisë.

Më 1931 Hellmuth Kaser botoi një studim psikanalitik të Kafkës me titullin "Franz Kafkas Inferno", ku gati gjithë interpretimet e Brodit kalohen në filtrin psikanalitik. Arrihet deri aty sa p.sh. skena e majmunit që surb raki te tregimi "Raport për akademinë" shihet si "ringjallje e kënaqësisë së fazës orale, veçse gota nuk është thimthi i nënës por penisi i babait" etj. Nabokov me të drejtë i quan këto interpretime dokrra (humbug për ata që bug - brumbullin e Metamorfozës e quajnë simbol për kompleksin e inferioritetit ndaj babait) dhe kujton se Kafka vetë psikanalizën e quante "një gabim të pashpresë", një tablo me ngjyra të trasha të botës, ku detaji humbet. Nabokov është edhe ai një adhurues i Kafkës, madje deri aty sa i quan Tomas Manin ose Rilken "xhuxhmaxhuxhë dhe shenjtorë suvaje në krahasim me të".

Interpretimi teologjik i detyrohet më së shumti Maks Brodit. Ky sheh p.sh. te "Kështjella" simbolin e Mëshirës që nuk mund të arrihet. Edhe "Procesi" edhe "Kështjella" janë për Brodin shfaqje të Perëndisë, pra si Gjyqësi dhe si Mëshirë. Për teologun e mirënjohur hebre Martin Buber Kafka futet në labirintet e një bote kaotike, e cila ka megjithatë një rend të brendshëm i cili mund t'i zbulohet njeriut vetëm në qoftë se ky pranon fajësinë. Për interpretuesit katolikë, Kafka është gjithmonë në kërkim të Shelbuesit, por nuk mund ta gjejë atë, sepse ai Shelbuesin (Jezu Krishtin) nuk e pranon.

Të shumta janë edhe përpjekjet për interpretim filozofik. Teodor Adorno e sheh Kafkën në traditën e iluminizmit ateist, bashkëkohës të tij e rendisin me ekspresionistët, ndërsa për Alber Kamynë, është shkrimtar i mirëfilltë surrealist. (këto të dhëna kryesisht nga Joerg Dieter: "Shndërrime, përpjekjet për interpretim të Kafkës", 2001).

Le t'i kthehemi edhe një herë pyetjes së mësipërme: Përse e bëri këtë? Përse përdori gjuhën e saktë e të ftohtë për të dhënë ëndrra e vizione? Përgjigja mendoj është vetë krijimi. Kafka duhej të shkruante; në një letër të vitit 1903 për një mik të rinisë, Oskar Pollak, ai thotë: "Prej një kohe të gjatë nuk është shkruar më asgjë. Më ndodh kjo gjë: Zoti nuk do që unë të shkruaj, por mua më duhet të shkruaj. Prandaj është një lart-e-poshtë pa fund. Por meqë Zoti është më i fortë, kjo punë është shumë më tepër fatkeqësi sesa mund ta mendosh." Duhet të përfytyrojmë një njeri me fantazi dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme.

Njëkohësisht duhet të përfytyrojmë një shkrimtar shumë të pakënaqur me atë që është shkruar deri më aty, sidomos nga ajo që quhej letërsia realiste ose natyraliste e fundshekullit 19. Kafka e kuptonte fare mirë se bashkëjetesa e njerëzve, sistemet që ka krijuar njeriu, vetë historia e njerëzimit ka në thelb absurditete me të cilat mund të matesh jo duke i pasqyruar ato "në mënyrë realiste", por duke krijuar botë paralele përmes letërsisë, po aq absurde, me një dukje pa aq të rregullt - sikurse është e rregullt gjuha - sa ç'kërkon shoqëria dhe njeriu të duken logjikë. Ose edhe më thjesht, Kafka kap dhe shkruan ëndrra. Kjo është si të thuash pjesa më e lehtë e misionit që ndjen në vetvete. Sepse pjesa më e vështirë është krijimi i botëve që nuk ekzistojnë, si përqeshje e kësaj që ekziston. Tek po bie, me sa duket, në gabimin që kanë bërë një numër pararendësish të mi njohës e admirues të Kafkës, duke dhënë një çelës të ri për leximin e tij, më mirë po e mbyll këtu duke dhënë një shembull nga pjesa më e lehtë për t'u depërtuar në veprën e tij, riprodhimi i ëndrrave, me një tregim që ka po këtë titull


Një ëndërr
Franc Kafka
Jozef K. pa në ëndërr:

Ishte një ditë e bukur dhe K. donte të dilte shëtitje. Mirëpo as dy hapa nuk kishte bërë, kur u ndodh në varreza. Rrugicat e atyshme ishin krejt artificiale, të spërdredhura e jo-praktike, porse ai rrëshqiti në një rrugë të tillë si të ishte një rrymë e harbuar, me një qëndrim të pezullt e të patundur. Që së largu ia nguli sytë një tume varri me dhè të freskët, ku donte të ndalte. Ajo tumë gati e tundonte e i dukej se gjithë nguti nuk i mjaftonte për të arritur në kohë aty. Tumën ia mbulonin flamuj prej pëlhurash që valaviteshin e përplaseshin pas njëra-tjetrës me forcë të madhe; flamurmbajtësit nuk dukeshin por me sa kuptohej mes tyre sundonte gazmend i madh.

Ndërsa vështrimin e kishte ende të hedhur larg, papritur pa se gati-gati e kishte tani pas vetes po të njëjtën tumë varri, përbri vetes në rrugë. Kërceu me nxitim mbi bar. Meqë rruga vazhdonte të ecte si e çmendur nën këmbën që hovi, ai u kalamend dhe ra mu përpara tumës në gjunjë. Prapa varrit qëndronin dy burra që mbanin mes tyre në ajër një gur varri; sapo që u shfaq K., ata e ngulën gurin në dhè dhe qëndruan aty si të murosur. Menjëherë doli prej një shkurrnaje një burrë i tretë, të cilin K. e njohu menjëherë si artist. Kishte veshur vetëm pantallona dhe një këmishë të kopsitur keq; mbi krye kishte një kësulë kadifeje; në dorë mbante një laps të zakonshëm me të cilin po vizatonte në ajër figura, ndërkohë që avitej.

Me këtë laps vajti sipër te guri; guri ishte shumë i lartë, nuk i duhej fare të kërrusej, vetëm të përkulej, ngaqë tuma e varrit, mbi të cilën nuk donte të shkelte, e ndante prej gurit. Po rrinte pra mbi majë të gishtave dhe dorën e majtë e kishte mbështetur mbi sipërfaqen e gurit. Me disa lëvizje të shkathëta ia arriti të shkruante me atë laps të rëndomtë gërma të arta; shkroi: "Këtu prehet - ". Secila gërmë dukej e pastër dhe e bukur, e gdhendur thellë e krejt në ar. Si i kishte shkruar të dyja fjalët, ai vështroi praptas drejt K.; K. që po e ndiqte me afsh vazhdimin e atij mbishkrimi, as nuk po e përfillte burrin por e mbante vështrimin veç mbi gur.

Dhe vërtet burri u vu ta vazhdonte mbishkrimin, por diku kishte një pengesë, e lëshoi lapsin dhe u kthye përsëri nga K. Tani edhe K. e vështroi artistin dhe vuri re se ai e kishte humbur krejt toruan, por arsyen pse nuk dinte ta thoshte. I ishte zhdukur krejt gjallëria e mëparshme. K.-në kjo e hutoi; këmbyen me njëri-tjetrin vështrime të shushatura, diku mes tyre ndodhi një keqkuptim i shëmtuar, të cilin asnjëri nuk mundej ta zhbënte. Krejt pa vend filloi të rrahë tani edhe një kambanë e vogël nga kapela e varrezave, por artisti valaviti dorën përpjetë e ajo pushoi.

Pas një hopi ia nisi përsëri, veçse këtë herë ultas e pa ndonjë ngutje, pas pak pushoi; u duk sikur desh vetëm të provonte kumbimin e vet. K. nuk po ngushëllohej dot për gjendjen e artistit, dënesi gjatë ndër duart e mbledhura mbi fytyrë. Artisti priti gjersa K. më në fund u qetësua e pastaj vendosi, meqë nuk gjeti ndonjë rrugëdalje tjetër, të vazhdonte të shkruante.

Vija e parë që hoqi për K.-në ishte çlirim, porse artisti e ndërpreu me mund të madh; shkrimi tani nuk ishte më i bukur, e sidomos dukej qartas që mungonte ari. Vija vazhdoi e zbehtë dhe e pasigurt, veçse gërma doli mjaft e madhe. Ishte një J., pothuajse kishte përfunduar, kur artisti i xhindosur goditi me njërën këmbë mbi tumë, aq fort sa dheu fluturoi përpjetë.

Më në fund K. e kuptoi; nuk kishte më kohë t'i lutej atij; zuri të rrëmonte me të gjithë gishtat dheun që thuajse nuk i rezistoi fare; gjithçka dukej e parapërgatitur; ishte ngritur përsipër veç sa për dukje një kore e hollë dheu. Menjëherë prapa saj u hap një gropë e madhe me mure të pjerrëta, ku K., i kthyer në kurriz prej një rryme të butë, u zhyt i tëri.

Ndërkohë që u ndodh poshtë dhe mundi ta drejtojë kokën mbi zverk, i thithur nga ajo thellësi e padepërtueshme, emri i tij rendi përmbi gur me zbukurime të hatashme.

I magjepsur nga ajo pamje, u zgjua.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama