Celet sezoni turistik nga Saranda ne Vlore

Celet sezoni turistik nga Saranda ne Vlore

Ky sezon turistik ka nisur nga Jugu i vendit. Qyteti i Sarandës dhe Vlorës janë gjallëruar këtë fundjavë nga veprimtaritë argëtuese, ku qytetarë, drejtues të pushtetit lokal, miq e të ftuar, kanë uruar në ditën e parë të çeljes së sezonit turistik për një sezon të mbarë. 

 

Ministrja Eglantina Gjermeni, e cila gjendet në Sarandë këtë fundjavë për çeljen e sezonit turistik, zhvilloi takime me Kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa dhe deputeten e zonës, Luiza Xhuvani, ku diskutoi për koordinimin e punës në ditët në vijim.

 

Këtë vit, Saranda është më e përgatitur se kurrë për të pritur një fluks të shtuar turistësh, ka theksuar Çipa. Sipas tij, këtë vit qyteti ofron disa risi të tjera, janë shtuar sipërfaqet e gjelbra si dhe ka përmirësime të ndjeshme në infrastrukturën turistike. Po ashtu, Çipa vuri në dukje se do të ketë përmirësime të ndjeshme të furnizimit me ujë, ushqimet do të jenë bio dhe me çmime konkurruese. 

 

"Këtë vit nuk do të ketë ujëra të ndotura sepse ka filluar impianti i përpunimit të këtyre ujërave, do të ketë plazhe publike me sipërfaqe të shtuara. E gjithë sipërfaqja që është në Gjirin e Sarandës, nga Butrinti e deri tek porti do të jenë plazhe publike të administruara nga Bashkia’, deklaroi ai. 

 

Qyteti ka 119 asete arkeologjike, të cilat do të jenë më të frekuentuara këtë vit falë edhe infrastrukturës, por edhe mbështetjes që është dhënë nga Ministria e Turizmit dhe qeveria. Vitin e kaluar Sarandën e kanë vizituar rreth 500 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit autoritetet parashikojnë që ky numër të rritet me rreth 20%.

 

Po dje është çelur edhe në Vlorë hapja e sezonit veror për turistët. Me rastin e këtij eventi, Bashkia e qytetit bregdetar kishte organizuar një serë aktivitetesh. Agjencia Kombëtare e Turizmit ka qenë pjesë e axhendës për organizimin e veprimtarisë dhe ka çelur një ekspozitë fotografike, ku kanë qenë të shfaqura imazhe fotografike të peizazheve më të bukura të bregdetit të Vlorës.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama