Referencë për këtë nismë është modeli i kostove BULARIC, i cili parashikon që në një periudhë 2-3 vjeçare të gjitha shërbimet të orientohen drejt kostos së ofrimit eficient në një treg konkurrues. Sipas AKEP, objektivi imediat me këtë metodologji është se brenda pranverës së vitit 2011 të arrihet që tarifat e shërbimeve celulare të ulen deri në 30 për qind, duke i çuar në mesataren e rajonit dhe të dilet nga situata e sotme, ku ato janë mbi këtë mesatare.
Lidhur me këtë të fundit, duhen pasur parasysh edhe një sërë zhvillimesh në tregun e telefonisë celulare, siç është efekti i futjes së operatorit të katërt celular, implementimi i shërbimeve të gjeneratës së tretë UMTS/3G dhe atij të ndryshimit të operatorit, por jo të numrit. Kjo nismë për të ulur çmimet për telefoninë celulare, ku Shqipëria qëndron mbi rajonin vjen edhe si angazhim i AKEP-it në kuadër të raportit të progresit të BE-së për vitin 2010 dhe të "Memorandumit Ekonomik për Shqipërinë" të Bankës Botërore, ku kërkohet që të implementohen modelet për të bërë të mundur ofrimin e shërbimeve bazuar në kosto.