Një qytetar nga Vlora është pronar i kartës SIM që ishte vendosur në telefonin e montuar me dy detonatorë në 200 gramë eksploziv që u gjet i vendosur në makinën e Besnik Dervishit te Kryeministria. Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mësohet se ka mbërritur dje informacioni i kërkuar në lidhje me pronarin e kartës që ndodhej në celularin e montuar në bombë. Pas përgjigjes së marrë, Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore, ka bërë verifikimin e pronarit të kartës.
Ai është një banor i qytetit të Vlorës, i cili, përveçse ka dëshmuar se nuk ka lidhje me ngjarjen, ka shpjeguar edhe faktin se numrin telefonik në fjalë e ka regjistruar në emër të tij më se një vit më parë. Burimet jozyrtare nga hetimi kanë thënë se dëshmia e këtij qytetari u verifikua edhe në rrugë të tjera dhe Prokuroria arriti në të njëjtin përfundim. Ky person, që figuron pronar i kartës SIM, nuk ka lidhje me vendosjen e eksplozivit pluhur në makinën e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi. Sipas të dhënave nga hetimi, mësohet se numri ishte blerë kohë më parë, por nuk përdorej nga pronari i tij prej më se një viti, edhe pse ishte ende në emër të tij.
BOMBA NUK SHPËRTHEU
Mekanizmi plasës i vendosur në automjetin e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi ka pasur një anomali. Prokuroria ka ngushtuar rrethin e vendeve të dyshimta për montimin e bombës nën makinë, duke ngritur dyshime se vendosja e saj është bërë te pallati ku banon Besnik Dervishi në Vlorë, teksa makina ka qenë e parkuar aty. Nga ana tjetër, është saktësuar se telefoni “Samsung” ka marrë dy SMS që janë gjetur të pahapura, edhe pse nuk dihet nëse mesazhet janë dërguar para apo pas vendosjes së celularit nën makinë bashkë me bombën me dy detonatorë.
Dyshimet janë se numri nuk është përdorur prej kohësh dhe pasi është vënë në përdorim së fundi, sapo telefoni ka hyrë në rrjet, kanë mbërritur edhe mesazhet. Bëhet fjalë për dy SMS të zakonshme të dërguara në seri nga vetë kompania për ofertat promocionale të saj me të cilat njoftohen periodikisht klientët sa herë që ka oferta. Megjithëse kanë mbërritur mesazhet, telefoni nuk ka bërë aktivizimin e bombës me 200 gramë eksploziv.
Sipas verifikimeve, dyshimi i parë është se lënda plasëse nuk është aktivizuar, pasi ndërtimi i saj ka qenë amator. “Celulari ka qenë i lidhur me dy detonatorë, ndërkohë që rryma që krijohet në momentin e thirrjes në telefon është mikro, pra është shumë e vogël. Në raste të ngjashme më parë është përdorur një përforcues amplifikator mes celularit dhe detonatorit për forcimin e mikrorrymës”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, dyshohet se në këtë rast rryma e prodhuar nga telefoni ka qenë e pamjaftueshme për dy detonatorët.