Censura midis Shiles dhe Karibdes

Censura, midis Shilës dhe Karibdës

Me fitoren e demokracisë në vendet më të zhvilluara, kjo mundësi për të botuar lirisht gjithçka u bë realitet, ose pothuajse. Sepse u hoq censura e institucionalizuar nga shteti dhe hynë në fuqi ligjet e tregut të lirë. Pra, botimi, si veprimtari tregtare filloi të kushtëzohet nga marrëdhënia kërkesë-ofertë. Sot, botuesi është i detyruar të marrë parasysh shijet dhe përgatitjen e lexuesit, çka nuk është se garanton pavarësinë e veprës dhe pamundësinë e ndërhyrjes në të, me ndryshimin se nuk mund të veprohet pa pëlqimin e autorit.


Megjithatë nuk do të thotë se në vendet demokratike nuk kanë ndikuar edhe arsye të tjera, ideologjike, morale për të ndërhyrë në veprat. Në një dramë italiane të viteve ‘50 të shekullit të kaluar, nën presionin e Vatikanit, nuk u lejua linja e një kryepeshkopi me prirje homoseksuale. Në këngët që jepeshin në Tv italian hiqeshin vargje ku flitej për “karfica flokësh gjetur në mëngjes në livadh”. Dhe tallej Ugo Tonjaci me Rai- n se nuk lejonte të thuhej fjala dashnore. Atëherë artisti ia priste: Nuk do të themi më “amante della buona musica”, por “marito della buona musica”.

Në filmat amerikanë vazhdon edhe sot dhunimi i kryeveprave letrare për hir të happy end-it, parimit që shikuesi të ngelet i kënaqur. (Le të kujtojmë mbylljen e filmit Dëborë në Kilimanxharo, ku e gjithë logjika artistike shpie (siç është në roman) në vdekjen e protagonistit. Ndërsa për çudi, në film shohim se ai shpëton.)

Kur flasim për praktikën e censurës në Shqipëri, na vjen në mend së pari koha e regjimit të A.Zogut. Kujtojmë se si ndaloheshin të hynin në Shqipëri poezitë e Nolit, si edhe përkthimi i tij i Don Kishotit për arsye të parathënies që godiste regjimin. Si u ndaluan Vargjet e Lira të Migjenit, që lexoheshin si letërsi ilegale. Si u mbyll gazeta “Bota e re” dhe revista “ABC”, organe të cilave pushteti u trembej, se mund të ndikonin për të nxitur rininë kundër rendit në fuqi. Një rast tjetër censure: Musa Juka, Ministër i Brendshëm në atë kohë, e pati thirrur në Tiranë Cuk Simonin, drejtorin e revistës “Cirka”, që botohej në Shkodër, për t’i hequr vërejtjen. Revista kishte botuar një shkrim për një rrugë me gropa në Shkodër, dhe Juka e kërcënoi drejtorin se po të vazhdonte me shkrime të tilla, revista mund edhe t’i mbyllej.

Nga ana tjetër, në ato vite qe e mundur të botohej vepra par excellence e realizmit socialist: romani Nëna i Gorkit. Dhe në shtyp mund të kritikoheshin deputetë e ministra (deri në një farë mase), por të mos prekej figura e monarkut.

Në kohën e pushtimit italian dihet se në Italinë fashiste ekzistonte institucioni i censurës në Ministrinë Italiane të Kulturës, që patjetër do të vigjëlonte edhe në Shqipërinë e robëruar. Sa për të sjellë një shembull, përsëri nga përvoja e revistës “Cirka“: drejtorit të saj iu kërkua nga autoritetet fashiste që t`ia kontrollonin lëndën para botimit. Kjo nuk u pranua nga C. Simoni dhe kështu revista nuk e pa më dritën e botimit.

Dhe vimë më së fundi te periudha 50-vjeçare e regjimit monist.

Me kalimin e viteve, sa më shumë dukej se e ndiente veten të plotfuqishëm pushteti, po aq ndiente edhe dobësi e frikë, sado paradoksale të duket kjo. Dhe prandaj aq më shumë rëndonte forca e tij ndaluese në lirinë e fjalës e të shtypit. Në vitet ‘50-‘60 librat e letërsisë së huaj mund të botoheshin ose jo, por mund të lexoheshin në bibliotekat. Dhe, kur botoheshin, nuk ndërhyhej në ta. Në vitin 1973 pati një orientim shumë të përcaktuar e të hollësishëm lidhur me kriteret e fondit të rezervimit në biblioteka të librave të përkthyer, si edhe të botimit të këtyre: ato nuk duhej të botoheshin “en bloc”, “të mos udhëhiqemi nga mania për ta botuar librin të tërë, edhe kur ka 3 të mira e 5 të këqia”, ishte orientimi. Një orientim që shpinte në një praktikë krejt të re e shumë të dëmshme në botimin e letërsisë së huaj.

Rrjedhoja më e keqe e kësaj praktike nuk qe cungimi i disa veprave, se atyre u vjen koha të botohen të plota, pra një e keqe e përkohshme, sidoqoftë. E keqja më e madhe, me rrezatim afatgjatë, qe cënimi i një respekti që ishte pothuajse i shenjtë nga ana e redaksive: nderimi për veprën dhe autorin, për gjithçka që kishte hedhur në letër ky.

Kur shohim sot se me sa lehtësi dhe mendjelehtësi ndërhyhet madje edhe në kryeveprat, na vjen në mend se qe ai udhëzim i mbrapshtë i Plenumit IV që filloi t’i lejojë çdo të papërgjegjshmi të bënte ç’t’i pëlqente me veprat që i binin në dorë. Dhe sot puna ka arritur deri aty sa botohen përkthime të cunguara romanesh, që madje edhe përshtaten për lexuesin shqiptar, pa lejën e autorit. Ose ndërhyhet jo vetëm duke hequr po madje edhe duke shtuar nga xhepi (!) në kryevepra autorësh klasikë.

Siç dihet, çdo krahasim çalon, ashtu si edhe titulli i këtij shkrimi, i cili është një metaforë e gjendjes qe nuk lejon kompromis e rrugëdalje. Ndërsa njëra gjymtyrë e metaforës qëndron fort me të dyja këmbët: pra, Shila është tamam Partia-Pushtet që mund të të gllabëronte vërtet, Karibda, në këtë rast, është e kundërta: dashuria për librin.

Pra, jo një kërcënim, një frikë, një shtrëngim nga jashtë, por një ndalesë e brendshme, që vinte nga respekti për veprën. Kishte raste (libra) kur duhej flijuar patjetër një pëllumb që të mund të kalohej ngushtica. Në raste të tjera mund të ishte fjala edhe vetëm për një pendë pëllumbi, psh kur redaksia ishte e detyruar të hiqte vetëm një frazë ose një paragraf, por nuk ndodhte gjithnjë kështu.

Disa vepra të botuara në ato vite vetëm me një ribotim integral fitojnë vlerën e tyre të plotë. Si psh romanet Kloshëmerle (G.Shëvalje), Komedianët (G.Grin), Kapedan Mihali (Kazanzaqis), Ku ishe ti Adam (H.Bëll) etj. Përsëri edhe krahasimi i heqjes së një fraze me heqjen e një pende pëllumbit, çalon. Se vepra letrare nuk është një bashkim mekanik pjesësh të veçanta, por një tërësi organike. Heqja e një pjese cënon të tërën.

Ndërsa qëndron me vlerë të plotë metafora e Shilës e Karibdës për rastet kur redaktori merrte anën e pushtetit. Ose ngaqë ishte i indoktrinuar, ose sepse për të, për arsye të tjera, botimi i një libri të mirë nuk ishte një akt dashurie. Kështu, autori mbetej i vetëm mes dy cerberëve, dhe përfundimi kuptohet mirëfilli: gjymtim i plotë i trupit të veprës të mbetur pa mbrojtje.

Në përputhje me atë politikë izoluese veçanërisht të rreptë të diktaturës me markë shqiptare, edhe censura në botimet e letërsisë së huaj në Shqipëri qe më e fortë se në vendet e tjera të bllokut komunist, me përjashtim të Kinës gjatë periudhës së të ashtuquajturit revolucion kulturor. Censura ndiqte politikën e ditës. Ajo çka pranohej në vitet ‘50, nuk lejohej më në vitet ‘70-‘80.

Për shembull, ide të tilla marksiste si mundësia e marrjes së pushtetit nga ana e klasës punëtore edhe me rrugë parlamentare, nuk mund të pranoheshin më nga një parti që i kishte shpallur revizioniste ato parti komuniste që nuk e përjashtonin këtë mundësi. Kështu që, një ide e tillë nuk mund të lihej në një vepër, megjithëse kjo ishte shkruar në përputhje me ideologjinë proletare.

Trembej nga shumë gjëra Partia-Pushtet. Trembej sidomos nga një ideologji e mirëfilltë e klasës punëtore. Prandaj edhe u shqetësuan në Sektorin e Shtypit të KQ nga një pohim i Gorkit në një përmbledhje artikujsh: “Të kesh frikë nga ndikimet e huaja do të thotë të mos kesh besim te klasa punëtore e vendit tënd”, që ishte lënë në libër me shpresën se të vërtetave kaq të qarta ishte vështirë edhe t`u kundërviheshe.

Se përndryshe do të dilte në pah thelbi i vërtetë i variantit shqiptar të “diktaturës së proletariatit”. Shpresë që u përligj. Se, pas një ndalimi të përkohshëm, librit iu dha më së fundi leja e qarkullimit. Me të njëjtën logjikë u botua edhe “Tmerr dhe mjerim në Rajhun e Tretë”, dramë e fortë antinaziste e Brehtit. Kush mund të ngrihej e të thoshte se ato që ndodhnin në Gjermaninë naziste ndodhnin edhe në Shqipërinë e udhëhequr nga Partia e Punës? Me ç’arsyetim do të ndalohej një vepër e tillë?

Megjithatë, as kjo vepër kaq e fuqishme demaskuese ndaj regjimit nacional-socialist gjerman nuk shpëtoi pa ndonjë heqje, që e nxirrte tepër zbuluar regjimin tonë totalitar. Ndërkohë, na u tha troç e me nervozizëm nga ndonjë anëtar byroje se mjaft më me romane që kishin në qendër diktaturat, siç ishte psh Zoti President i Asturiasit e romane të tjerë latino-amerikanë.

Ideologjia fetare, fryma mistike ishin një shkak tjetër për të bërë heqje në veprat. Siç ka ndodhur p.sh. me romanin e shkrimtarit skandinav të klasës punëtore M.Andersen Nekse Dita-bijë njeriu, ku shkurtimet kanë synuar të shmangin ndjenjat mistiko-fetare. Por kujtojmë me këtë rast se e kanë pësuar ndonjëherë edhe vepra që nuk e kanë pasur këtë frymë. Nuk ishte e drejtë psh të mos përfshihej në ribotimin e përmbledhjes

Tregimet e Italisë të Gorkit tregimi aq i bukur Nata e Krishtlindjeve, ku kjo festë fetare është përshkruar më shumë si një festë popullore pagane. Shpjegimi për heqje të tilla nganjëherë është qesharak. Redaktori, me një baba ish-dhjak, por vetë ai me pozita të forta partiake, ruhej, duke e tepruar shumë, se mos akuzohej për simpati ndaj fesë. Aq trembej saqë në poemën Kush rron mirë në Rusi, të Nekrasovit, hiqte edhe fjalën “kishë”.

Diçka tjetër që s`lejohej ishte fjalori licencioz dhe skenat e seksit. Në romanin e bukur të shkrimtarit jugafrikan Andre Brink Një stinë e thatë dhe e bardhë, është hequr një skenë dashurie, ku ndjenja e thellë në marrëdhënien mes dy të dashuruarve shmang çdo vulgaritet. Po kështu, për përkthimin e Njëmijë e një netëve u zgjodh jo origjinali, por botimi “i pastruar” i përkthyesit francez Galand, i fillimit të shek. XVIII. Madje edhe Konica, kur përktheu Në hijen e hurmave nuk zgjodhi origjinalin, por përsëri një botim “të pastruar”, në këtë rast nga puritanizmi anglez. Shpjegimi i zgjedhjes së bërë nga redaksia ishte puritanizmi i diktuar jo vetëm nga orientimet e partisë, por edhe nga konservatorizmi i opinionit publik.

Siç u përmend, botimi i një libri të mirë duhet të jetë një akt dashurie. Kur kushtet e botimit janë bërë të qarta, (udhëzimi 3 të mira e 5 të këqija) duhen kërkuar mënyra si të shmangësh, me aq sa është e mundur, cënimin e librit, pra, si t`ia kursesh shkurtimet. Nëse ishte puna për të hequr vërtet pesë të këqia e për të lënë vetëm tre të mira, kuptohet ç`do të mbetej nga vepra.

Kështu që një libër i tillë më mirë të mos botohej fare. Problemi ishte për libra që mund të shpëtoheshin. Pra, që mund t`i shkonin lexuesit, por me kujdesin që këtij të mos i ngjalleshin “ide të gabuara”, ato që me gjuhën e kohës quheshin “lakra”. Një mënyrë për t`i shmangur shkurtimet, ishte pajisja e librit me parathënie, të bëra me qëllim që të përligjnin botimin.

Kryevepra të tilla si Të mjerët e V.Hygoit, që “shembnin natën atë që Partia ndërtonte ditën”, mund të botoheshin pothuajse pa asnjë humbje vetëm në disa kushte. Së pari, në çaste zbutjeje të diktaturës, së cilës i ndodh si me sëmundjen e rëndë, që pas paroksizmit i vjen faza e lodhjes. Së dyti, me ndonjë heqje të vogël e me një parathënie të madhe shpjeguese për lexuesin, që duhej të ishte i paralajmëruar për rrezikun e “pilulave të hidhura të lyera me sheqer”.

Një barkë tjetër shpëtimi ishin shënimet. Një shembull: Në botimin e Mizantropit të Molierit, në një shënim poshtë faqes është shpjeguar se përse Molieri, me gojën e protagonistit, ia kursen monarkut kritikën e fortë që i bën tërë shoqërisë së lartë franceze. Në romanin Iluzionet e humbura, Balzaku mban si “Shqiponja të mendimit” dy nga autorët më reaksionarë të kohës së vet. Çka u kapërcye jo me shkurtim, por me një shënim sqarues për lexuesin. Dhe kështu vepra, në botimin e dytë, mundi të botohej pa asnjë heqje. Në periudha paksa më liberale përfitohej nga rasti që të bëheshin ribotime të veprave shumë të cunguara në botimin e parë, siç ishte rasti i romanit të mësipërm, që u ribotua i plotë më 1988.

Një mënyrë tjetër kompromisi ishte ndërrimi i titujve: Notre Dame de Paris (Shënmëria e Parisit) u bë Katedralja e Parisit, dhe lexuesi duhej ta merrte me mend vetë se për cilën katedrale të Parisit bëhej fjalë, mjaft që të mos përmendej emri i nënës së Krishtit. Po kështu Krishti u ndal në Eboli (K.Levi) u zëvendësua me Tokë e mohuar etj. Sidoqoftë, ndërrimi i titullit të një vepre është një praktikë botuese e njohur kudo në botë, vetëm se arsyet përse bëhet kjo ndryshojnë.

Është e qartë se nga heqjet e shkurtimet veprat humbisnin pak ose shumë nga natyra e tyre e vërtetë. Por në kushtet kur shqiptarëve nuk u kishte mbetur dritare tjetër nga mund të shihnin pakëz nga bota, një vepër e mirë, qoftë edhe në një botim jointegral, ishte mjeti për ta arritur këtë. Botimet nga letërsia e huaj i vlenin diktaturës si një alibi ndaj hapjes me botën.

Por lexuesi s’kishte veç të përfitonte nga kjo. Dhe shpesh kam menduar atëherë se, përndryshe, sa shumë vepra me vlerë do të mbeteshin pa u botuar. Se s’mund të botohej psh Të mjerët me pohimin e autorit se “Komunizmi e bën si kasapi: e vret atë që ndan.” Apo: “Komunizmi është një pushtim turk”. Gjithashtu, nuk mund të botohej Don Kishoti me atë lëvdatë që i bën autori Inkuizicionit spanjoll, (ku ishte e qartë se fshihej frika e tij nga ky institucion i kobshëm, si edhe synimi që me atë lëvdatë të siguronte një lejekalimi për librin e tij të mbushur me herezi).

Në kohën e një thatësire të gjithanshme letrare-artistike në mediat nën diktat, në kinematë, në spektaklet monotone që na i bënë të mërzitshëm folklorin tonë, të rezervimit të librave në bibliotekat, botimi i një libri të mirë nga letërsia e huaj ishte një gëzim i vërtetë. Dhe lexuesi kështu i priste veprat e autorëve të mëdhenj të shekujve të shkuar e disa autorë të shquar të shekullit XX. Botimi i këtyre të fundit ishte më i vështirë, jo vetëm për arsye të “lakrave” që kishin në kokë, (që për më tepër ishin të freskëta, bashkëkohore), por edhe nga biografia.

A kishte zell të tepërt për të zbatuar fjalë për fjalë udhëzimet? Gjatëperiudhës 1973-90, kur di se si veprohej në redaksinë e përkthimeve, ngaqë e drejtoja vetë, mund të them se qoftë përsa i përket zgjedhjes, qoftë për problemin e heqjevekujdeseshim të mos ishim subjektivë. Kjo arrihej duke i diskutuar rastet, zakonisht redaktor-shef redaksie, por, në raste të veçanta, edhe me të gjithë redaksinë.

Në vetë mënyrën si procedohej kishte një punë kolegjiale. Pasi zgjidheshin veprat nga katalogë librash të huaj ose revista letrare të huaja, pasi recensionoheshin nga recensentë të jashtëm, pasi shqyrtohej në redaksi mundësia e botimit, ato miratoheshin nga drejtoria e pastaj nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Pastaj jepeshin për përkthim në përkthyes të brendshëm e pak edhe në të jashtëm.

Përkthyesit nuk i lejohej të merrte përsipër vetë heqje e shkurtime. Vepra duhej përkthyer e plotë. Përndryshe si mund të gjykohej për synimin e autorit, synim që ndodh të bëhet i qartë edhe me pak fjalë? Kjo detyrë, pra, ta vlerësonte ideologjikisht veprën, i takonte redaktorit dhe përgjegjëses së redaksisë. Natyrisht që vendimi përfundimtar, ose pothuajse, i mbetej kësaj të fundit.

Ishte një terren ku duhej shkelur me shumë kujdes. Të mos qenit i matur, përveç ndëshkimit të përgjegjësve për lëshimet, mund të sillte një kthim të fortë pas, një humbje të asaj hapjeje që ishte fituar dalëngadalë, me kujdes e duke marrë në sy rrezikime të mundshme, në vitet pas plenumit aq shtrëngues të 1973-shit. Hapje që kishte lejuar të dilej shumë jashtë kornizës fare të ngushtë të përcaktuar nga ky plenum: të botoheshin vetëm “veprat më revolucionare, të autorëve të periudhave më revolucionare”. Hapje që kishte bërë të përmbysej raporti absurd në planifikimin e faqeve të botuara, përcaktuar nga Ministria: letërsia shqipe tri të katërtat, letërsia e huaj një të katërtën!

…..Vijon nesër


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama