Censusi i fut ne uje Romet protestojne

Censusi 'i fut ne uje', Romet protestojne
Të gjithë e kanë me censusin. Arumunët nuk janë të kënaqur. Romët po kështu. Minoriteti grek po e po. Censusi i fundit i kryer nga Instituti i Statistikave, jo vetëm që nuk i ka shuar, por i ka nxehur edhe njëherë gjakrat, në debatin se sa është numri i vërtetë i pjesëtarëve të komuniteteve etno-kulturore në Shqipëri. Romët e morën iniciativën të dalin në protestë, Dje ata u mblodhën përpara zyrave të Institutit të Statistikave duke kontestuar rezultatin e Censusit mbi popullsinë rome që jeton në Shqipëri.

Emiliano Aliu, student në Fakultetin Juridik, përfaqësues i komunitetit rom, i indinjuar tha se romët janë më shumë se ç’ka publikuar raporti i INSTAT-it. “Rezultati i Censusit thotë që në Shqipëri jetojnë 8301 romë, shifër që nuk përkon me rezultatet e nxjerra në 22 vitet e fundit nga organizatat rome. Nga bashkëpunimi që kemi me organizatat rome dhe studimet që kemi kryer lidhur me vendet ku jetojnë ata, mënyrën e jetesës, mund të themi që janë në shifrat 80 mijë deri në 120 mijë”, u shpreh Aliu.

I kujt është faji? “Gjatë periudhës maj-nëntor një pjesë e madhe e popullsisë rome migron jashtë Shqipërisë për punësim sezonal por ka edhe lëvizje brenda vendit, nga një qytet në tjetrin për arsye punësimi. Komunikimi i intervistuesve nuk ka qenë i përshtatshëm pasi komuniteti rom nuk ka një nivel të lartë arsimimi dhe shoqëruesit e anketuesve nuk kanë qenë banues të zonave ku po intervistonin.

Pyetjes mbi përkatësinë etno-kulturore ata nuk i përgjigjeshin ose thoshin mbiemrin dhe nga intervistuesit shënohej si “të tjerë”. Të pakënaqur janë edhe arumunët.

Koçi Janku, është kryetar i Shoqatës së Vllehëve. “Të dhënat e Censusit të publikuara nga INSTAT, për sa i përket Arumunëve në Shqipëri, nuk janë të sakta. Komuniteti ynë është shumë herë më i lartë se shifrat e publikuara. Në Censusin e 2011-s kemi një shifër prej 0.3% ose rreth 8500 persona. Ne kemi kryer sondazhet tona dhe shifra e popullsisë arumune në Shqipëri është rreth 140 mijë”, shprehet Janku teksa llogaritë i dalin mangët. 

Nuk ka se si Censusi të ketë lënë të kënaqur minoritetin grek në Shqipëri. Përfaqësues të shoqatës OMONIA thanë se “bëhet fjalë për të dhëna artificiale, të cilat janë përpunuar pa mbledhje reale në terren. Ky është provokim i rëndë në dëm të minoritetit etnik grek, minoriteteve të tjera dhe komunitetit ortodoks në vend”. Kreu i shoqatës së Vllehëve, Koço Janku ia faturon, reduktimin e komunitetit që përfaqëson, neglizhencës së anketuesve në terren. Ndërsa përfaqësues të komuniteteve të tjera e kanë parë anketimin tendencioz, me qëllimin e vetëm për të ulur numrin e popullsisë minoritare në Shqipëri.

Në vitin 2003 Atlasi Gjeografik i Popullsisë, fliste ndryshe

Prof.Arqile Bërxholi është punues i Atlasit Gjeografik të Popullsisë së Shqipërisë. Ai thotë se shifrat e publikuara në Census janë shumë larg të vërtetës që është botuar nga Akademia e Shkencave në vitin 2003. Ai ka kundërshtuar në veçanti shifrat të cilat i përkasin pakicave kombëtare dhe termit “përkatësi etno-kulturore”, i cili, sipas tij, është i gabuar. Numri i popullsisë së pakicave kombëtare është shumë herë më i lartë dhe rezultatet e Censusit nuk kanë sjellë asnjë rezultat të saktë, por vetëm sa kanë hapur një debat politik dhe kanë sjellë pakënaqësi në komunitetet fetare dhe etnike që jetojnë në Shqipëri”, u shpreh Bërxholi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama