Centralet berthamore 10 arsye per t’u thene jo

Centralet berthamore: 10 arsye per t’u thene 'jo'
Kanë një kosto të lartë, janë të rrezikshme, nuk i zgjidhin problemet energjetike. Në të gjithë botën shtetet deri dje pro energjisë bërthamore kanë nisur që të mendohen dhe të ndryshojnë mendim. Kampionët e antibërthamorit janë Gjermania dhe Zvicra.

Është e rrezikshme. Shumë e kushtueshme dhe mund të bëhet shumë mirë edhe pa to. Në fakt, antibërthamorët e kanë thënë një gjë të tillë prej kohësh, por të paktë kanë qenë ata që i kanë dëgjuar ata. Duhet që të ndodhte Çernobili e më pas edhe Fukushima, tragjedi me përmasa dhe pasoja të mëdha që shtete të fuqishme, por dhe vetë njerëzit të zgjoheshin nga gjumi dhe të rimendonin edhe njëherë planet e tyre për energjinë bërthamore. Në krye të listës së vendeve që kanë reaguar menjëherë ndaj këtyre klaneve janë qeveritë e Berlinit dhe Bernës, pra respektivisht qeveria gjermane dhe ajo zvicerane. Javët e fundit ato zyrtarisht kanë deklaruar se do të mbyllin centralet bërthamore në vendet respektive. Nëse shembuj të tillë nuk janë të mjaftueshëm mund të lexoni më poshtë edhe disa motive të tjera shumë të forta për të hequr dorë njëherë e mirë nga planet e një energjie destruktive dhe me pasoja katastrofike.

1)  Energjia bërthamore nuk është e sigurt

Në bazë të përllogaritjeve të probabilitetit probleme me reaktorët bërthamorë, pra me shkrirjet e tyre mund të ndodhin një herë në 250 vjet. Por realiteti flet për shifra dhe afate kohore krejt të tjera. Brenda 50 vitesh kanë ndodhur 5 katastrofa bërthamore në planetin tonë, duke sjellë rreziqe dhe pasoja shumë të rënda. E fillojmë me të parën atë të Therre Mile Island, me Çernobilin dhe tre reaktorë në Fukushima. Pra gjithsej 5 reaktorë. Madje, rasti i Fukushimës është më problematiku nga të gjithë të tjerët. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një problem që ka të bëjë me teknologjinë në përgjithësi, por edhe me përdorimin dhe mirëmbajtjen e përditshme. Raportet e kontrollit të agjencive të ndryshme janë shumë problematike ndaj centraleve të ndryshme, performancës së tyre dhe defekteve me të cilat përballen çdo ditë. Sipas tyre, përditë ekziston rreziku i një tragjedie siç ndodh në të gjitha degët e industrisë me dallimin se industria bërthamore është me pasojat më të rrezikshme se të gjitha industritë e tjera.

2) Rreziku i madh në vendet me aktivitet sizmik

Vendet që nuk kanë një nëntokë të stabilizuar dhe janë cilësuar si vende me aktivitet sizmik të dendur janë disafish më të rrezikshme për ekzistencën e centraleve bërthamore. Japonia është një nga vendet me një aktivitet më të madh nëntokësor dhe pikërisht aty kishte kohë që kishin parashikuar një katastrofë bërthamore. Madje, sipas disa ekspertëve, ka qenë mrekulli që gjëma nuk ka ndodhur disa herë dhe kohë më parë çka do të bënte që pasojat të kishin qenë me të vërtetë shkatërrimtare. Megjithatë, duhet thënë se edhe nëse bëhet një studim sizmik për zonën ku pritet që të ndërtohet një central duhet thënë se shkenca e tërmeteve është një shkencë e re dhe jo gjithmonë e saktë. I tillë është për shembull rasti i Fukushimës vend në të cilin shkencëtarët nuk kishin pritur që do të ndodhte gjëma, sepse e kishin konsideruar atë zonë si përafërsisht të stabilizuar dhe jo shumë aktive.

3) Zhgjëndrra e skorieve

Mbetjet ose skoriet radioaktive ruajnë rrezikshmëri të lartë për qindra mijëra vite. Sot në botë këto “bomba të ndyra” janë vendosur përreth centraleve. Ato ndodhen në të ashtuquajturat “depozita të sigurta e të përhershme”. Francezët janë duke parashikuar një depozitë të tillë për centralet e tyre një ndërtim që do të ketë një kosto prej 15 miliardë dollarësh pak a shumë sa vlera e tre centraleve bërthamore.

4) Bërthamoret që vijnë nga jashtë vendit

Është gjithmonë një rrezik i mundshëm ai që mund t’i vijë një vendi për shkak të një katastrofe bërthamore që mund të ndodhë në një vend tjetër. Në këtë rast, pasoja varet nga largësia e vendit të katastrofës. Në rastin e Fukushimës, Europa nuk u prek thuajse fare nga vala bërthamore, ndërkohë që nuk ka qenë kështu në rastin e shpërthimit të reaktorit të Çernobilit në Ukrainë në vitin 1986. Megjithëse është një rrezik më i vogël se shpërthimi “në shtëpi” edhe ky është një dëm që pësohet dhe nga i cili rrezikojmë shumë.

5) Efekti serë

Është karta më e mirë që kanë në dorë bërthamorët. Por është për t’u parë me kujdes. Pa centrale bërthamore, bota sot do të prodhonte 2 miliardë tonelata Co2 më shumë. Një shifër e rëndësishme, por jo vendimtare.

6) Varësia energjetike

Cila? Makinat do të vazhdojnë që të funksionojnë me karburant dhe karburanti nuk prodhohet nga centrali bërthamor. Për sa i përket energjisë elektrike, gazit, sot me burimet e reja të energjisë  jo konvencionale gjithçka është bërë e bollshme dhe ekonomike. Në të ardhmen vendet mund të importojnë nga njëri-tjetri.

7) Zhvillimi i energjisë së rinovueshme

Centralet e mëdha bërthamore presupozojnë një rrjet  shpërndarjeje shumë të përqendruar që lidh centralet e mëdha me qendrat e mëdha të konsumit. Ndërsa në rastin e energjive të rinovueshme bëhet fjalë për diçka krejt tjetër. Këto të fundit kanë nevojë për një rrjet shpërndarjeje shumë të thjeshtë dhe të lehtë.

8) Kostoja e lartë e centraleve bërthamore

Çmimi i një kilovatori bërthamor varet nga kostoja e ndërtimit të centralit që e prodhon. Kjo kosto vazhdon që të rritet vazhdimisht. Kështu, një central mund të kushtojë 6 deri në 7 miliardë euro çka është mjaftueshëm për ta bërë edhe koston e energjisë bërthamore shumë të shtrenjtë dhe për ta nxjerrë jashtë tregut. Por nëse do të vazhdohet me energjinë bërthamore këtë kosto të lartë do ta gjejmë në faturën e energjisë elektrike që do të na vijë në shtëpi dhe që do të jemi të detyruar që ta paguajmë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës muajt e fundit janë “ngrirë” disa projekte për ndërtimin e centraleve bërthamore. Centralet që janë ngrirë duhet që të furnizonin me energji zona që cilësohen si tregje të lira të elektricitetit. Ndërsa ato centrale që do të vazhdojnë të ndërtohen dhe të ecin përpara do t’i çojnë të gjitha kostot e kësaj energjie në kurriz të përdoruesve. Me pak fjalë, një central bërthamor ka një kosto shumë të madhe. Një impiant ka një kosto disa miliardëshe që për vendet e vogla mund të përbëjë një pjesë të mirë të përqindjes së prodhimit kombëtar bruto.

9) Biznes dhe punësim

Gjysma e mjeteve që shërbejnë për të ndërtuar një central bërthamor ka të bëjë me reaktorin dhe turbinat të cilat prodhohen të gatshme në uzina të përcaktuara në botë. Në përfundim të punës së momentit që një central të vihet në punë dhe të funksionojë ka nevojë vetëm për një numër të vogël punonjësish që mund të përmblidhet në disa qindra. Në Gjermani, në centralet bërthamore punojnë rreth 40 mijë persona, ndërsa në sektorin e energjisë së rinovueshme janë të punësuar 440 mijë vetë.

10) Centralet bërthamore, aspak të domosdoshme

Edhe sikur të gjitha centralet bërthamore të nisin sot nga puna, problemi i energjisë nuk do të zgjidhej aspak. Ndoshta do të ishte një përgjigje për problemet e së nesërmes. Kohët e ndërtimit të një centrali janë të gjata dhe në rang global nëse gjithçka do të shkonte sipas planeve të atyre që i mbështesin centrale të tilla rezultati i pritshëm nuk do të niste të jepej para vitit 2030 çka është shumë larg.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama