Ceremonia per Olldashin mungojne Berisha & CO

Ceremonia per Olldashin, mungojne Berisha & CO

Mbrëmë është mbajtur ceremonia përkujtimore e 1 vjetorit të ndarjes nga jeta të deputetit demokrat Sokol Olldashi. Në ceremoninë e organizuar nga familjarët e tij, morën pjesë shumë miq, kolegë dhe njerëz të medias, ndërkohë që munguan gati të gjithë krerët kryesor të PD-së. Një vit nga ndarja nga jeta e Sokol Olldashit, njërit nga zërat më të fortë dhe më individualë brenda PD-së, boshllëku i lënë nga ai, përkujtimorja për të nuk "joshi" demokratët që të bëhen bashkë. E në fakt as ceremonia e një vjetorit nuk ka qenë e mjaftueshme për të bërë bashkë demokratët që dikur i bashkonte i njëjti ideal. Mungesë e pajustifikueshme ka qenë ajo e ish-kryetarit të PDsë Sali Berisha, i cili ka shfrytëzuar ditën për të bërë apel për protestën e 22 nëntorit, ndërkohë që përvjetorin e njërit prej “ushtarëve” të tij më të hershëm dhe më të fuqishëm, shpesh herë dhe të pabindur e ka kaluar vetëm me një postim përkujtimor në rrjetet sociale. Njësoj si ish-lideri i PD-së dhe kreu aktual i opozitës Lulzim Basha, që dikur e pati rival kryesor për drejtimin e PD-së, është mjaftuar me një citim të thjeshtë që sipas tij ka qenë një mënyrë pjesëmarrjeje në ceremoninë përkujtimore për ndarjen nga jeta të Olldashit. Të pranishëm qenë disa nga kolegët më të afërt të tij. Një ceremoni që duhej të shërbente për të kujtuar një njeri të ndarë nga jeta para kohe, një figurë të fortë politike, një baba dhe një bashkëshort, një djalë dhe një vëlla që i mungon familjarëve, kjo ceremoni jo vetëm konfirmoi përçarjet brenda PDsë, por edhe bëri të qartë se kjo situatë është e parikuperueshme. Në ceremoni, përveç mungesës së Berishës dhe Bashës mungonin Topalli dhe ish-kryetarët e PDsë Eduart Selami dhe Tritan Shehu. Po ashtu, është vënë re dhe mungesa e koordinatorëve të sapo zgjedhur të Bashës si dhe mungesa e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar.

Të pranishëm

Pjesë e ceremonisë ishin demokratët: Genc Ruli, Ridvan Bode, Florion Mima, Arben Ristani, Astrit Patozi, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Shaban Memia, Majlinda Bregu, Fatmir Mediu, Eduard Halimi, Gjergj Lezhja , Ridvan Bode, Dashamir Tahiri, Igli Cara, Gjergji Papa, Keltis Kruja, Rajmonda Bulku, Mesila Doda, afër së cilës ishte ulur ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe figura të njohura të së majtës si Andis Harasani, por dhe njerëz të njohur të medies. Në këtë ceremoni nuk munguan lotët e familjarëve, të nënës, vëllezërve dhe bashkëshortes, por edhe të Majlinda Bregut, Astrit Patozit, Ridvan Bodes e Genc Rulit. Në fjalën e saj, Majlinda Bregu u shpreh se “miku ynë i shtrenjtë e la PD-në në zbrazëti. Një natë si kjo s’do kishim dashur kurrë ta pranonim. Kënga që dëgjuam ishte krijim miqsh për Sokolin. Ne nuk i gjejmë dot asnjë gabim këngës, vetëm Sokoli mund t’ia gjente po të ishte gjallë” është shprehur Majlinda Bregu. Ndërsa deputeti i PDsë, Genc Ruli përmes një fjalimi prekës dhe të sinqertë tregoi anët e forta dhe të brishta të Sokol Olldashit. “Koli asnjëherë nuk e pranonte dështimin, por shpesh herë dëgjonte nga ata që dinin më shumë edhe pse kishte një karakter të fortë dhe të pa bindur”, u shpreh Ruli. Ai tha se Olldashi në PD hyri me pantallona të shkurtra e doli për saj kur e thirri ai lart. Sipas Rulit, Olldashi nuk ka bërë koncesione si ne të tjerët. “Me ty Koli flisja lehtë, për ty nuk flas dot aq lehtë. Ne që të ishim të afërt kur ishe gjallë do të të kujtojmë ashtu siç ke qenë. Sa kohe ishe mes nesh nuk e kisha kuotuar mirë që më ishe aq i çmuar dhe i nevojshëm.

Detaje nga ceremonia

Gjatë ceremonisë, krahas bashkëshortes, nënës dhe vëllait të Sokol Oldashit, në radhën e parë qenë ulur tre nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, Ruli, Patozi dhe Bode. Ndërkohë radha e dytë dominohej gati e gjitha nga deputetët e PD-së, mes të cilëve binte në sy dhe prania e ambasadorit Arvizu. Një pjesë e deputetëve të PD-së e ka ndjekur ceremoninë në këmbë, aty ku qëndronin dhe njerëz të medias dhe jo vetëm. Mes figurave të njohura që qëndronin në këmbë është parë dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama, e cila ka pasur njohje të hershme me Olldashin. Pika e referimit gjatë përkujtimit të Olldashit ishin Patozi dhe Ruli, të cilët herë pas herë i jepnin kurajo nënës dhe bashkëshortes së ish-deputetit demokrat Olldashi. Ndërkohë që ato që rreshtën asnjëherë gjatë gjithë ceremonisë përkujtimore ishin lotët e mikeshave Mesila Doda dhe Majlinda Bregut, kjo e fundit luajti dhe rolin e moderatores së ceremonisë.

Basha dhe Berisha e kujtojnë Olldashin vetëm përmes Facebook-ut

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka kujtuar Sokol Olldashin vetëm përmes një postimi në facebook. “Të dashur miq, si sot një vit më parë u nda nga jeta në një aksident tragjik njëri nga drejtuesit më të talentuar, bashkëpunëtorët e mi më të afërt, Sokol Olldashi. Duke u përkulur me nderim të madh para kujtimit dhe veprës së pavdekshme të Sokol Olldashit për PD dhe vendin në tërësi, shpreh dhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe të afërmve të Sokolit dhe mbarë demokratëve shqiptar. Vepra dhe kujtimi i tij do të nderohen gjithmonë”, shkruan Sali Berisha. Njësoj si ish-lideri histori Berisha, edhe kreu i PD-së Lulzim Basha e ka përkujtuar Sokol Olldashin me anë të një postimi. “Ditët dhe muajt ikën rrufeshëm dhe ja ku jemi një vit pa Sokolin. Më ka munguar fjala dhe vendosmëria e tij prej një luftëtari të paepur të shumë betejave politike. Sokoli nuk e pranonte kompromisin me antivlerën në kurriz të qytetarëve, të lirive, të drejtave dhe dinjitetit të tyre. Ai dinte të rezistonte e të rrezatonte kurajo dhe forcë në ditë jo të mira si këto që po kalojnë qytetarët tanë”, ka shkruar Basha në Facebook.

Familjarët dhe miqtë kujtojnë Sokol Olldashin mes lotëve dhe tingujve të kitarës

 Ceremonia në kujtim të një vjetorit të ndarjes nga jeta të Sokol Olldashit mblodhi deputetët e PD-së, miq, artistë dhe personalitete të shquar të huaj të politikës dhe jo vetëm. Mes lotësh e përkujtuan Olldashin jo vetëm familjarët por edhe miqtë e tij më të mirë. Ceremonia nisi nën tingujt e kitarës së Sokol Olldashit. Kantautori, Aleksandër Gjoka performoi këngën e kompozuar në kujtim të Olldashit me tekst të Astrit Patozit dhe Florion Mimës dhe nën orkestrimin e mjeshtrit Shpëtim Saraçi. E veçanta e kësaj përkujtimoreje ishte se mes lotëve të hidhërimit të ndarjes nga Sokoli miqtë dhe të afërmit sollën anën e panjohur të Sokol Olldashit. “Unë do të sjell Kolin me pizhame” u shpreh vëllai i tij Ardi. Ndërsa një nga miqtë e tij më të mirë Astrit Patozi u shpreh se krahas miqve dhe familjarëve, sot Olldashi i mungon shumë jetës politike në vend, si një zë ndryshe. Nën performancën virtuoze të mjeshtrit violinist Qerimi, aktori Xhelal Tafaj solli pjesë nga fryma poetike e Sokol Olldashit. “Kisha përgatitur edhe unë një fjalimi” u shpreh i vëllai Ardi. “Por një zë i Kolit më thërret ashtu siç me thërriste vetëm ai, zullap edhe ti do i bësh të qajnë. Trego diçka tjetër, trego një barsoletë. Por unë nuk do tregoj një barsoletë por anën e Kolit që pakkush e njeh” tha Ardi. Nën vargjet e Dritëro Agollit “Kur të jesh mërzitur shumë” dhe nën tingujt e një prej kitarave të tij, një nga miqtë e Sokolit solli mbrëmjet e vona të tij me kitara dhe cigare. Pjesë nga batutat më të bukura të Sokolit nga jeta e tij politike bënë që mes të pranishmëve të harrohen për disa çaste vuajtjet dhe lotët. Një nga miqtë e tij, Enkel Demi solli për të pranishmit anë e Sokol Olldashit si gazetar. Demi mes batutash kujtoi shkrimet virtuoze të Sokolit gjatë “luftës” civile të vitet 1997. Ndër të tjera Enkel Demi nënvizoi “I thashë shpesh Kolit qëndro tek profesioni i gazetarit se në fund të fundit nuk të lë pa bukë por ai zgjodhi atë profesionin tjetër që e la pa jetë”.

Astrit Patozi: “Sokoli nuk ishte një politikan i realizuar, por një fenomen”

Në fjalën e tij përkujtimore, deputeti demokrat Astrit Patozi, theksoi se krahas miqve dhe familjarëve, sot Olldashi i mungon shumë jetës politike në vend, si një zë ndryshe. Patozi kujtoi fjalët e fundit që Olldashi tha në foltoren e Kuvendit, kur denoncoi se në radhët e deputetëve parlamentarë ka persona të inkrimunar, duke nënvizuar se ato fjalë janë sipas tij aktuale edhe sot. “Sepse Koli shkon shumë përtej nesh. Ai i mungon shesheve, jo vetëm të Tiranës, por edhe rrugicave me baltë. Sallave dhe salloneve, por edhe klubeve me tym. Debateve të forta televizive, por edhe tavolinave, ku jo domosdoshmërish diskutohet për politikë. I mungon poezisë shqipe, megjithëse shkroi shumë pak. Por edhe muzikës, të cilën e njihte, e luante dhe e ndjente në thellësi, ndonëse nuk guxoi kurrë të kompozonte, dhe për këtë nuk e kam gjetur dot arsyen. Nuk besoj se do habitej njeri po të thoja se në një farë mënyre, i mungon edhe qeverisë, ndonëse ajo e ka një kryeministër.

Dhe, natyrisht, që i mungon tmerrësisht shumë Partisë Demokratike, megjithëse ajo e ka një kryetar. Pa asnjë dyshim që ka lënë një zbrazëti të thellë në parlament, ndonëse aty punojnë dhe marrin rrogën shumë deputetë. Me fjalë të tjera i mungon kësaj shoqërie, me të gjitha vlerat dhe antivlerat e saj. Sepse Sokol Olldashi nuk ishte thjesht një politikan i realizuar, ai ishte një fenomen. Sokol Olldashi nuk kishte një ëndërr. Ai kishte disa. Ai, jo vetëm e dinte, por e kishte provuar nën lëkurë se në këtë botë ndodh shpesh, që mund të fitosh duke humbur, por edhe mund të humbasësh, duke fituar. Dhe, po ashtu, se të gjitha gjërat e mëdha nisin gjithmonë nga një ëndërr e vogël. Por ndryshe nga ëndërrimtarët depresivë, që mbyten në trishtimin e vet, Sokol Olldashi ndiqte me një logjikë gati perfekte pasionet e tij, duke jetuar me entuziazëm çdo çast. Ne kemi shumë nevojë për atë lloj modeli, sidomos në kushtet kur po shtohet perceptimi se politika është një batak, ku sa më thellë të shkosh, aq më pis bëhesh.

Sokolin siç e njohin vetëm miqtë

Pakkush e di se pas debatuesit agresiv, i cili e kishte shpartalluar kundërshtarin në studio, fshihej një zemërbutë, që pas pak do të përlotej, duke parë filma në shtëpi. Që pas një fjalimi tërësisht racional, gati matematik, në parlament, i njëjti person do të ulej dhe shkruante lirikat më të ndjera dhe delikate. Që shëtiste darkave, pas ditëve të lodhshme të punës pa orar, nëpër galeri dhe atelie për të parë dhe njohur çdo piktor dhe pikturë me vlerë, që shfaqej në horizont. Që edhe në kulmin e fushatave elektorale, kur bridhte fshat me fshat e rrugë më rrugë, gjente, gjithsesi, ca minuta për t'u çmallur me kitarat e tij. Kush ka një gjë për të thënë, të mos heshtë. Edhe në pastë thjesht një batutë, mos ta kursejë. Kush ka një ide në kokë, të dalë në shesh dhe ta mbrojë. Por edhe në i vjen në mendje veç një motiv, le ta luajë apo ta këndojë. Kush ka një projekt, le ta zhvillojë dhe ta nxjerrë në breg. Kush ka një sfidë përpara, të mos ngurrojë, por ta kapërcejë. Ky është Sokol Olldashi, që kam njohur - ëndërrimtar i përjetshëm, që jeton çdo sekondë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama