Sjellim për kujtesë: Vendbanimin e fortifikuar të kalasë Qytezë të Cerjes, ..., të cilët në lidhje me dhjetëra qendra të tjera të Lumit të Vlorës bëjnë të tërën e një zone tepër të populluar qysh nga lashtësia e hershme.Të parët, që vijnë prej fiseve ilire, shtrihen që nga Cerja, përgjatë Ultësirës së Lumit të Smokthinës, rrëzë kodrave në Mesaplik e deri në Gërmadha. E vërteton si fakt të pamohueshëm se së bashku me 15 objektet e kultit e dhjetëra gjetje, si: Mozaikët e Mesaplikut e të Kaçorrit, toponimet e shumta flasin shkoqur se vendbanimi i hershëm i Smokthinjotëve ka qenë pikërisht kjo trevë. Si qendër e rëndësishme e vendbanimit të hershëm ilir, është Kalaja Qytezë e Cerjes. E vendosur në majën e një kodre piramidale me bazë katërkëndëshe. Edhe sot dallohen muret rrethues me blloqe gëlqeror, ndërtuar në shek. III para erës sonë.
Gurët e shumtë të dimensioneve 70 x 100 cm janë të skalitur me mjeshtëri. Brenda saj gjatë kohërave janë gjetur objekte enësh metalike, si: thika të periudhës së bronzit, fibula, kapëse, figura njerëzish etj. Në anën jugore të kalasë, në një lartësi 300 m, komunikohet me Urën e Bogdanit, mbeturinat e së cilës ndodhen rrëzë Kodrës së Cerjes, Buzë lumit Shushicë që shërbente për të lidhur Amantien me Kaoninë. Po aty ndodhen edhe mbeturinat e një kishe që sot flitet Kisha e Cerjes. Cerja ka qenë një vendbanim me një kulturë qytetare.
Kalaja dhe vet ura ka ekzistuar deri në pushtimin romak dhe siguronte lidhjen dhe mbrojtjen e rrugës së Amantia-Horë dhe Kaninë-Olympia-Cerje-Horë. U shkatërruan nga ekspedita e legjioneve romake të rekomanduara nga Pal Emili, që sipas kronikanëve të kohës, kaloi lumin Shushicë në vendin e quajtur Vau I Palit. Nënvizojmë se në pjesën e parë të shek. II para erës Iliria ra nën sundimin e egër të pushtimit romak. Ata kryen kundër fiseve ilire të Shqipërisë së Jugut barbarizma ç'njerëzore, dogjën dhe shkatërruan qytete dhe qendra vendbanimi, përfshirë dhe kalanë e Cerjes. Kjo periudhë, afërsisht viti 167 para erës sonë karakterizohej nga një rënie e thellë ekonomike e morale.Duhet përmendur gjithashtu se në vendin e quajtur "Gërmadha", buzë lumit të Smokthinës, përfund fshatrave Matogjin e Bashaj, ndodhet një vend me emërtim "Pazari i Goricës", ku gjenden shenjat e një qytetërimi të lashtë, si p.sh.gur mermeri,1 m i lartë, të punuar për kolona, si dhe tulla me përmasa 60 x 80 cm, furra të vjetra për pjekje tullash, poçeri etj. Vetë emri "Gërmadha" që është një fjalë shqipe, si dhe emrat toponim:Hunda e Shënmillit, Dede, Gjini, Brahimi, Sheshi i Qishës, Varrezat e Kaurëve etj, flasin për gjurmë të lashtësisë.
Ajo që ka rëndësi është se emrat e Kalasë së Cerjes, Maricës dhe Guri i Prerë i Mesaplikut dhe në vende të tjera si të Urës së Bogdanit ekzistojnë gurë të mëdhenj mbi 1 ton dhe të gdhendur në formë katrore e rombi. Këto janë të njëjtat me muret e kalave të tjera, si: të Sopotit, Butrintit, Himarës dhe Kaonisë. Ato dëshmojnë se u ngritën nga një popullsi autoktone me kultura të zhvilluara ndërtimore. Eshtë i rëndësishëm fakti i gjetjeve arkeologjike. Nivel të lartë të zhvillimit qytetar e kulturor për këtë zonë dëshmojnë mozaikët e gjetur: Mozaiku i parë u zbulua në vitin 1964, tek vendi i quajtur Kisha e Kacorrit, pranë burimit me të njëjtin emër, buzë lumit apo Përroit të Smokthinës. Në një sipërfaqe pothuaj 80 m katrore. Ky mozaik u shkatërrua gjatë punimeve bujqësore.
Mozaiku i dytë u zbulua në vitin 1979, në qendër të fshatit Mesaplik, në vendin e quajtur "Kisha e Murre", është një bazilikë, e një province të largët të perandorisë bizantine...objekt kulti i tipit të sheshtë. Mozaiku i përket kultit paleokristian dhe është disi i veçantë për nga kompozimi. Një e katërta e tij që u gjend në gjendje të mirë, me përmasat 138 x 11, u vlerësua si pasuri kulturore kombëtare, vendosur në Muzeun Kombëtar. Ky mozaik i përket shek. VI-IX të erës sonë. Dhe sipas studiuesit Dh. Budina ishte një gërshetim i traditave greko-romake me ato ilire. Ka në qendër motive etnografike-figura e labit në profil me flokë të gjatë, të lëshuara prapa deri në qafë, në kokë një kapele në trajtë shumë sferike. Sipas Dh. Budina, paraqitja e kësaj figure duhet lidhur me figurën që personifikon "erën e veriut", gjë që shpjegohet dhe me besimin popullor se të këqijat dhe të mirat vijnë nga një forcë natyrore, e veshur me atributet e njeriut.
Pushtimet e shumta së të huajve i kanë rrënuar këto kultura. Mbeturinat nëntokësore të tyre të çojnë në mendimin se në këto treva jeta ka vazhduar në rrjedhën e saj . Dëshmi e kësaj hershmërie dhe vazhdimësie është lagjja "Parikë" dhe qyteza e Boderit.Lidhur me periudhën që analizojmë Parika dhe qyteza e Boderit, kjo e dyta njihet si një kala e rrënuar që ndodhet në bregun e majtë të lumit të Smokthinës. Aty shfaqen mbeturinat e një fortifikimi mesjetar që është vazhdimi i jetës ilire-arbëreshe dhe që shërben ndofta në mbrojtje të parisë së familjes së fundit të Parikajve.