Është organizuar një varrim formal për shkrimtarin më të madh të Spanjës, Miguel de Cervantes, afro 400 vjet pas vdekjes së tij. Në ceremoninë përkujtimore, u zbulua përmendorja në të cilën aktualisht mbaheshin copa të eshtrave të pavarrosura, ku besohet se përfshihen edhe ato të autorit të “Don Kishotit”.
Gjatë ceremonisë së zbulimit, kryetarja e qytetit të Madridit, Ana Botella, ka vendosur kurorë dafinash në pjesën e poshtme të monumentit, në një manastir të Madridit. Nuk munguan nderimet ushtarake për Miguel de Cervantes, i cili ishte ushtar i Spanjës dhe që konsiderohet si Shekspiri i letërsisë spanjolle.
Eshtrat janë gjetur këtë vit nga ekspertët pas kërkimit gati njëvjeçar në një manastir, ku thuhej se Cervantesi ishte varrosur në vitin 1616.
Në muajin janar, arkeologët thanë se kishin gjetur pjesë të arkivolit me inicialet “M.C” dhe eshtra. Ata arritën në përfundimin se ishin të shkrimtarit, madje edhe pa dëshmi përfundimtare.
Zonja Botella u shpreh se monumenti i zbuluar paraqet një borxh shumë të gjatë ndaj shkrimtarit Cervantes dhe kulturës spanjolle.
Cervantes u bë i njohur për lexuesin shqiptar me librin “Don Kishoti”. Don Kishoti, qoftë si një libër, qoftë si një karakter i vërtetë, u bë kaq popullor në Shqipëri, a thua se ai qe shkruar për vendin tonë.