Ceshtja Dajti ngelet pezull ne listen e avokateve emra te vdekur

Ceshtja 'Dajti' ngelet pezull, ne listen e avokateve emra te vdekur

Gjyqi ndaj Dritan Dajtit, ka mbetur pa zgjidhje ende, pasi asnjë nga avokatët që ndodhen në listën e Dhomës së Avokatisë së Tiranës, nuk e kanë marrë përsipër mbrojtien. Gjykata e Krimeve të Rënda ka lexuar përgjigjen e sjellë nga Dhoma e Avokatisë, ku thuhej se, gjykata duhej të zgjidhte avokatët që janë në listën e tyre, pasi nuk ka avokatë të tjerë.

Gjykata e Krimeve të Rënda më parë ka thirrur ndihmën e Dhomës Kombëtarë të Avokatisë, për shkak se asnjë nga 119 avokatët e listës kryesisht nuk ka marrë përsipër mbrojtjen e të pandehurit.

Këshilli i Avokatisë i ka dorëzuar sot Gjykatës një listë me emrat e avokatëve. Por sipas Gjykatës, lista e avokatëve e dorëzuar nga Këshilli i Avokatisë është jo funksionale pasi në të figurojnë edhe persona që kanë vdekur. Gjykata thekson se në listën e dorëzuar shumë nga avokatët kanë filluar punë në administratë ndërsa shumë të tjerëve nuk u ka numrat e telefonit.

Në këtë mënyrë edhe seanca e sotme ndaj Dritan Dajtit në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dështuar. Trupi gjykues ka vendosur që të seanca tjetër ndaj Dritan Dajtit të zhvillohet në datën 30 tetor.

Në seancën e kaluar Dritan Dajti i kërkoi Gjykatës që ti vinte ne dispozicion si prova, rrobat e katër policëve të vrarë. Ai ka insistuar se efektivët e policisë, ditën e ngjarjes nuk kanë pasur veshje policie dhe se kanë qëlluar në drejtim të tij. “Policët kanë qenë të veshur civil dhe kanë qëlluar ndaj meje. Nuk kanë pasur të veshur asnjë rrobë policie”, ka deklaruar Dajti gjatë seancës së kaluar. Por, përfaqësuesit e policisë deklaruan se nuk i kanë më rrobat e viktimave, pasi ua kanë dorëzuar familjarëve.

Dritan Dajti akuzohet se në datën 9 gusht të vitit 2009, në Durrës ka vrarë katër efektivë policie të cilët kishin shkuar për ta arrestuar atë. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të pistës Iliria në qytetin bregdetar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama