Ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dëshmuar lidhur me çështjen ‘Doshi’. Prifti mbërriti në organin e akuzës rreth orës 09:05 të mëngjesit të kësaj të marte.
Ai është thirrur nga Prokuroria për të dëshmuar para hetuesve, si një person i cili ka dijeni për ngjarjen. Prifti do pyetet për akuzat e deputetit të përjashtuar të PS-së, Tom Doshi, i cili ka deklaruar se kryeparlamentari Ilir Meta ka urdhëruar vrasjen e tij dhe të demokratit Mhill Fufi, gjashtë muaj më parë.
Akuzat e rënda nga deputeti Doshi, erdhën menjëherë pasi Partisa Sociliste vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, pas deklaratave të forta kundër qeverisë dhe disa prej ministrave të kabinetit.
Sot dëshmon edhe shoferi i Tom Doshit
Po ditën e sotme, pritet që para prokurorëve të dëshmojë edhe shoferi i deputetit të Shkodrës, Tom Doshi. Shoferi i këtij të fundit pritet të dëshmojë si një person i cili ka dijeni për ngjarjen.
Një ditë më parë në organin e akuzës dëshmuan katër zyrtarë, ku i pari u paraqit ish-kryeministri Sali Berisha, më pas u mbajt përballja mes Tom Doshit dhe deputetit Mark Frroku, ky i fundit u zbulua nga Doshi si personi që e kishte informuar lidhur me atentatin e mundshëm, si dhe deputeti demokrat Mhill Fufi, për të cilën dyshohet se ishte paramenduar një vrasje edhe ndaj tij.