Humbja kundër Flamurtarit ka komplikuar pozitat e Laçit në renditje. Skuadra, e cila gjeti golin e avantazhit me një perlë të Cetkoviçit, e pa veten në vështirësi në fraksionin e dytë, aq sa miqtë arritën të dominonin dhe konkretizonin me dy gola. Skuadra është lënë pushim dhe vetëm sot pritet që kurbinasit të ndalen gjatë në analizën e kësaj humbje. Marko Cetkoviç e cilëson dështim këtë ecuri, ndaj bën apel që skuadra të nisë të bëjë llogaritë. Malazezi thotë që supergoli që ai shënoi nuk ka vlerë, derisa skuadra pësoi dy gola.
"Çfarë shërben ai gol. Ne morëm goditje të rëndë në të dytën dhe lamë të gjitha pikët e ndeshjes. Më vjen vërtet keq që ngjau ashtu. Skuadra nuk e ruajti ritmin dhe kundërshtari na goditi rëndë. Humbja për më tepër na rrezikon deri në fund të garës.
Edhe pse ne jemi të fokusuar te kupa, lënia e pikëve në shtëpi është dështim i madh dhe ne duhet të fillojmë të bëjmë llogari për mbijetesën", u shpreh mesfushori me tipare sulmuese. Por edhe trajneri Ndreu që pati ndeshjen e parë në rolin e trajnerit duket se është në një linjë me malazezin.
Edhe tekniku, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, pakënaqësitë e tij lidhur me formën e lojtarëve në pjesën e dytë. "Të gjithë jemi përfshirë nga detyra për të siguruar sa më shpejt qëndrimin.
Do të ndalemi gjatë me skuadrën pasi në prag është dhe ndeshja e kthimit të gjysmëfinales së Kupës atje ku ne kemi përqendruar bateritë", u shpreh Ndreu. Sakaq, gazeta tentoi të marrë një reagim nga klubi për akuzat e Agron Kapllanajt, por deri në mbrëmje të paktën e ka pasur të pamundur.