Cfare bete ju sot per shqipen?

Cfare bete ju sot per shqipen?

Roli i prindërve në mësimin e gjuhës amtare në emigracion

 

Emigrimi nga vendi i origjinës në vende të tjera, do të thotë edhe ndryshimi i kushteve sociale ku njerëzit ftohen të bashkëveprojnë në vazhdim, domethënë i fushës së kontaktit, domains, sipas Joshua  Fishman (Fishman 1971), siç janë: familja, tregu i punës, organizimi, feja etj. Ato tani paraqesin një karakter të ri në lidhje me ato të përpara emigrimit. Gjithashtu, komunikimi është një funksion i vazhdueshmërisë kulturore dhe gjuhësore të vendit të origjinës dhe përshtatjes me kulturën dhe gjuhën e vendit pritës.

 

Gjuha e vendit pritës është edhe problemi i parë që duhet zgjidhur, pasi shërben për t’u përshtatur dhe mbijetuar në kushtet e reja. Kjo sjell si pasojë familje dygjuhëshe dhe bashkë me to edhe problemin e ruajtjes, apo të humbjes së gjuhës amtare në brezin e dytë.

 

Rolin kryesor këtu e ka vendi pritës, rëndësia që i jep ai dygjuhësisë. Shteti pritës kujdeset për shkollimin e fëmijëve të emigrantëve në sistemin e vet arsimor, por ai rrallëherë kujdeset edhe për mësimin e gjuhës amtare. Shumë marrëdhënie të emigrantit me vendin pritës nuk janë shtet-qytetar, por janë i huaj-shtet, siç ndodh në Greqi. Gjithashtu, edhe nga një studim i bërë për emigrantët e Gjermanisë (Gogovos 1997) këta emigrantë edhe pse kanë 40 vjet atje, jozyrtarisht quhen “punëtorët e huaj “(Gustarbeiter) dhe në gjuhën zyrtare “të huaj” (Austander).

 

Rol në humbjen, apo ruajtjen e gjuhës amtare ka edhe vendi i origjinës. Në qoftë se dikush vjen nga një vend i një niveli të lartë ndërkombëtar, gjuha amtare përdoret nga të gjithë zotëruesit, pa hasur asnjë pengesë, apo rrezik, ndërsa në të kundërtën, kur vendi i origjinës është në një nivel më të ulët ndërkombëtar nga vendi pritës, gjuha e origjinës përbën një problem dhe rreziku i humbjes së saj në brezin e dytë është fakt.

 

Dhe një rol, po aq të rëndësishëm, e luan familja dhe prindërit. Por prindërit shpesh nuk e kuptojnë rolin që ata kanë në ruajtjen e gjuhës. Ata i japin shumë rëndësi arsimimit të fëmijëve në gjuhën e vendit pritës dhe përpiqen të integrohen sa më shpejt. Ndonjëherë ata e quajnë mbingarkesë ndjekjen nga fëmijët e tyre të një kursi në gjuhën amtare. Por ekzistojnë edhe ato raste ku prindërit e kuptojnë shumë mirë këtë rol dhe ata janë nxitës dhe protagonistë. Po marr tre shembuj të ndryshëm:

 

 

 

***

 

Duke kërkuar materiale të ndryshme rreth bilingualizmit dhe duke studiuar Joshua Fishman, këtë sociolinguist të madh, më bëri përshtypje një fragment i jetës së tij si fëmijë: Babai i tij ishte kujdesur që fëmijët të mësonin paralelisht me gjuhën angleze edhe gjuhën amtare, jidishten (një dialekt i hebrenjve të Gjermanisë).

 

Çdo ditë kur ai ulej me fëmijët e tij rreth tryezës, i pyeste ata: “Ëhat did you do for yiddish today?”. Dhe Fishmani duke qenë vetë një bilingual dhe duke e njohur mirë gjuhën amtare, arriti të na japë një vepër shumë të rëndësishme në lidhje me bilingualizmin dhe diglosinë dhe gjithashtu studime të shumta për gjuhën e vet.

 

 

 

***

 

Në Turqi ndodhet një ishull i vogël i quajtur Imvro. Në vitin 1964 aty kishte rreth 6000 banorë me kombësi greke dhe gjithashtu një shkollë greke. Ky vit ishte edhe viti i fundit ku në bankat e kësaj shkolle do të uleshin nxënës grekë. Nxënësit ishin të detyruar të ndiqnin mësimet vetëm në gjuhën turke. E vetmja mënyrë për të mësuar dikush greqisht, ishte të ndiqte mësimet në shkollën greke të Stambollit. Po për një fëmijë gjashtëvjeçar ishte shumë e vështirë të shkëputej nga gjiri i familjes dhe të studionte larg. Ana Kuçomali kujton me dhimbje momentin kur babai i lëshoi dorën dhe e la atë në oborrin e shkollës greke në Stamboll. Ajo ishte vetëm gjashtë vjeçe. “Por kështu vendosi babai”, thotë ajo. Dhe pas 50 vjetësh nga mbyllja e shkollës, Ana është ajo që bëri të mundur që në fshatin Agji Theodhori të këtij ishulli (sot vetëm me 300 banorë me origjinë greke) të mësohet përsëri gjuha amtare.

 

 

 

***

 

Në 20 vitet e fundit me shtimin e numrit të emigrantëve nga shumë vende të botës dhe kryesisht nga shqiptarët, të cilët zënë edhe vendin e parë në numër, në Greqi është krijuar një shoqëri multikulturore. Kjo shoqëri karakterizohet nga individë dhe komunitete, që, përveç gjuhës greke, përdorin edhe gjuhën amtare, por vetëm ndërmjet tyre dhe jo zyrtarisht. Kjo sjell si pasojë krijimin e individëve bilingualë, por jo komuniteteve dygjuhëshe, të cilën Fishman e ka cilësuar: “bilingualism ëithout diglosia” (Fishman, 1975). Kur një shoqëri është dygjuhëshe, si p.sh. Kanadaja, problemi është i zgjidhur nga vetë shteti, kurse kur kemi vetëm individë bilingualë, atëherë problemi është në dëshirën e mirë të shtetit pritës dhe roli kryesor u bie prindërve dhe komunitetit që e flet këtë gjuhë.

 

Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve në Greqi, por me një numër shumë të vogël fëmijësh që ndjekin kurset e gjuhës amtare, të hapura nga përpjekjet e mësuesve shqiptarë dhe të komunitetit shqiptar (këtu mungon plotësisht ndihma e shtetit pritës, por edhe ajo e vendit të origjinës).

 

Për të gjetur arsyen e kësaj duhet një studim i thellë i të gjithë faktorëve që ndikojnë në të, por këtu po marrim vetëm rolin e prindërve, duke studiuar një rast specifik, të qytetit të Artemisës, në lindje të kryeqytetit grek.

 

E mora për ta studiuar dhe analizuar, pasi duke jetuar prej 17 vitesh këtu, kam vënë re një fenomen: Megjithëse në qytet nuk ka pasur kurrë një kurs të gjuhës shqipe dhe një pjesë e madhe e fëmijëve kanë lindur në Greqi, gjuha amtare jo vetëm që nuk po humbet, por është e gjallë dhe flitet në të gjitha mjediset sociale të qytetit, si nga fëmijët, ashtu edhe nga prindërit e tyre.

 

Ky është një qytet relativisht i vogël, me një numër të madh familjesh shqiptare (pothuajse 200). Familjet shpesh kanë lidhje farefisnore me njëra-tjetrën dhe jetojnë pranë. Në kohën e lirë ata mblidhen në grupe, duke biseduar ose duke luajtur. Prindërit me arsim të lartë numërohen me gishtat e njërës dorë, ndërsa punët që ata bëjnë janë kryesisht ndërtimi për burrat dhe kujdesi për të moshuarit apo pastrimi për gratë.

 

Në bazë të këtyre të dhënave paraprake përgatita një pyetësor me 17 pyetje për prindërit e këtij qyteti, me qëllim që të kuptoja më mirë rolin e tyre në ruajtjen e gjuhës amtare.

 

Dhe nga ky anketim, të cilit iu nënshtrua gati një e katërta e prindërve shqiptarë që jetojnë në Artemisa, dalin në pah disa faktorë të rëndësishëm që ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës në këtë qytet: Një numër i madh folësish që jetojnë pranë njëri-tjetrit; Lidhja e ngushtë me familjen; Kontakti i përditshëm me gjuhën; Dëshira për t’u kthyer në atdhe; Krenaria kombëtare; Vizitat e shpeshta në atdhe.

 

Prindërit, përgjithësisht nuk kanë qëllim në vetvete t’u mësojnë fëmijëve gjuhën amtare, pasi asnjëri prej tyre nuk i ka çuar fëmijët në kurse apo shkolla për ta mësuar atë. Mësimi i gjuhës amtare ka ardhur në mënyrë spontane, kryesisht për shkak të mungesës së dëshirës për integrim në shoqërinë greke, apo për shkak të zotërimit të keq të greqishtes nga prindërit, çka i detyron të flasin shqip. Edhe teknologjia, sidomos përdorimi i facebook dhe i Skype, ka ndihmuar për t’i mbajtur fëmijët në kontakt me gjuhën e folur dhe atë të shkruar. Rol të rëndësishëm luan ndjekja e televizioneve shqiptare dhe dëgjimi i muzikës shqiptare.

 

Megjithëse shumica me arsim tetëvjeçar dhe të mesëm dhe megjithëse nuk ndjekin një taktikë për t’u mësuar fëmijëve gjuhën amtare, prindërit e kuptojnë rëndësinë e saj. Pyetjes: “A është e nevojshme gjuha shqipe” ata i janë përgjigjur 100% “Po”. Po ashtu 100% e të anketuarve janë krenarë për origjinën e tyre. Në këtë qytezë bregdetare greke prindërit flasin shqip me fëmijët e tyre në mjediset sociale dhe shumica e tyre flasin vetëm shqip në shtëpi. Të gjithë do të dëshironin të kishte një shkollë shqipe në qytetin e tyre.

 

 

 

***

 

Roli i prindërve në mësimin e gjuhës është shumë i rëndësishëm dhe do të thosha është një nga rolet kryesore. Sa më të vetëdijshëm të jenë prindërit për rolin e tyre, aq më të mira do të jenë rezultatet dhe do të kemi bilingë të vërtetë, që do të jenë përfaqësues të denjë të komunitetit të tyre. “Çfarë bëtë ju sot për shqipen?”, kjo është pyetja që duhet të ketë dendurinë më të lartë në përdorim çdo ditë në familjet shqiptare të emigracionit, sepse brezi i dytë nuk duhet ta harrojë gjuhën. Kjo është pyetja që duhet t’i bëjnë prindërit, sidomos vetes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama