MAPO “trokiti” ne deren e Fiks-it, per te kuptuar si funksionon ky institucion i mirefillte brenda Top Channel dhe si munden punonjesit e tij qe te perballen çdo dite me qindra denoncime, e te ndjekin shumicen e tyre, hap pas hapi deri ne fund, duke shkaktuar ne shume raste furtuna te verteta politike, por edhe debate kombetare sociale, si ne rastin e fundit me skandalin “Pango”…
Denisa Haxhiaj, zv/drejtoresha e Fiks-it, eshte personi i pare qe takojme. Na shoqeron fillimisht ne disa zyra, qe duken normale, nje studio montazhi, nje zyre per gazetaret, zyra e drejtorit Filip Çakuli, zyra e drejtuesve te tjere, nje zyre per monitorimet dhe ambiente te tjera, te gjitha te rremujshme ku duket qarte se punohet pa orar.
“Ka rreth 50 persona te punesuar ne kete redaksi”, thote Haxhiaj, e cila ka filluar fillimisht pune si gazetare, 7 vjet me pare prane Fiks Fare, dhe gradualisht ka mundur te behet nje prej drejtueseve te tij.
Pas ketij pohimi, papritur, zyrat qe ne fillim dukeshin normale, tani duken jashtezakonisht te vogla per te ‘strehuar’ nje ushtri te tille gazetaresh, operatoresh, redaktoresh, monitoruesish, inxhinieresh, etj.
Eshte ora 9.15 e mengjesit. Nuk mundem te ishim te pranishem atje ne oren 9.00 per te marre pjese ne mbledhjen e pare te mengjesit, e cila kishte zgjatur vetem 15 minuta! “Nuk zgjatemi shume ne mengjes”, sqaron Haxhiaj, “gazetareve u jane ndare detyrat dhe tani ata ndodhen ne terren” (ndaj qenka e panevojshme ekzistenca e zyrave me te medha, perderisa shumica e gazetareve, ndryshe nga redaksi te tjera, ne kete redaksi punojne jashte, ne terren!).
Ne ambientet e Top Channel, ne katin e pare te Piramides, atje ku eshte edhe redaksia e Fiks Fare, degjon ne menyre konstante nje zhurme te forte qe vjen si pasoje e rikonstruksionit te Qendres Nderkombetare te Kultures, por punonjesit e Fiksit, duken krejt te “imunizuar” nga kjo bezdisje. Ata qe nuk jane ne terren e qe ndodhen brenda ne zyra, vazhdojne te punojne pa u shqetesuar fare.
Ngjitur me zyren e drejtuesve te emisionit, shikojme nje dere qe mbyll nje ambient, brenda te cilit duket se eshte e pamundur te hysh. Atje eshte edhe ambienti i punes se nje inxhinieri te specializuar ne teknikat me te sofistikuara te filmimit me kamera te fshehta. E pyesim Haxhiajn se çfare ka ne ate dhome? “Laboratori i Fiks Fare. Atje nuk mund te hyje dot kushdo”…
Historia e videos se bujshme ku ish ministri i Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve z. Ylli Pango shfaqej ne nje ore te vone ne shtepine e tij duke tentuar te zhveshe nje vajze te re qe i kishte hyre me kamera ne shtepi per te kerkuar pune, pas fteses qe i kishte bere vete ministry, eshte ne te vertete vetem nje prej shume investigimeve te tjera te Fiks Fare, emisioni i cili qe nga dita e transmetimit te pare te tij ne 2002, e deri me sot s’ka patur asnje kallezim penal.
Kryeredaktori Armir Shkurti dhe zv/drejtorja Denisa Haxhiaj rendisin per MAPO, histori te tjera te bujshme qe jane publikuar fillimisht nga Fiks Fare: rasti i trafikimit te femijeve shqiptare jashte kufijve, abuzimet seksuale apo homoseksuale qofte te nje prifti ortodoks ne Korçe qe u shnderrua ne kryelajm edhe te medias greke, apo qofte te nje tjetri prift katolik ne Tirane, i cili gjithashtu u be objekt i kryelajmeve ne Itali.
Haxhiaj kujton edhe te shumeperfoluren “Dosja Stela” ku nje vajze e re u vra nga i dashuri i saj, pasi denoncoi abuzimet e policise dhe trafiqet e ndryshme. Ne serine e historive te bujshme por edhe te çuditshme te realitetit shqiptar te publikuara me pare nga Fiksi, ben pjese edhe rasti i prodhimit te nje patente me te dhenat personale te Alonsos, pilotit te Formula 1, nje histori kjo qe skandalizoi gjithe median dhe opinionin publik ne Spanje. Kujtojme ketu edhe rastin e prodhimit te nje vize fallco shengen me te cilen, Fiks Fare mundi te kaperceje lirisht kufirin shqiptar dhe ate europian, e te perfundonte m’u ne mes te Berlinit!
Kryeredaktori Armir Shkurti, i cili pas nje karriere te gjate ne Televizionin publik Shqiptar, ne TV Klan e ne media te tjera, e konsideron punen ne Fiks si periudhen me te bukur te karrieres se tij, shpjegon per MAPO-n se ka nje proçedure krejt te zakonshme dhe gati te perhershme se si mberrin, pastaj perpunohet, e me pas çohet deri ne fund çdo informacion apo denoncim. “Çdo dite nje gazetar i Fiks Fare pret denoncimet e qytetareve ne ambientet e televizionit. Ne raste te tjera, denoncimet mberrijne permes numrit qe ne kemi vene ne dispozicion per kete gje. Pasi marrim informacionet, qe ne shume raste shoqerohen edhe me dosje te plota dokumentash, ne fillojme investigimin, atje ku duket qarte se kemi te bejme me rast abuzimi apo korrupsioni”.
Nderhyn Haxhiaj: “Por ne rregulloren tone e kemi shume te qarte qe ne nuk nderhyjme sidomos ne rastet qe jane ne mes te nje proçesi gjyqesor, sepse nuk duam te ndikojme ne vendimin final, apo ne çeshtjet te cilat kane nje vendim te prere nga ana e Gjykates”.
Nuk ka nje kod te shkruar etike ne ambientet e ketij emisioni, por ky kod duket se eshte i pervetesuar nga te pakten 30 vjet pervoje e drejtorit te emisionit Filip ÇCakuli dhe e drejtuesve te tjere te tij, por edhe ne pergatitjen profesionale te nje armate tjeter juristesh qe punojne per llogari te Top Channel. “Ne bashkarisht diskutojme çeshtjet e mprehta qe trajtojme dhe ndonjehere ngurrojme per t’i publikuar ato”, thekson Shkurti, “pasi sigurohemi deri ne fund se nuk po shkelim asnje ligj dhe asnje kod etike”.
Por sekreti kryesor se si mundet te mbahet ende e fresket nje industri e tille lajmi si Fiks Fare, ne nje vend ku media qartazi pengohet te veproje lirisht fale nderhyrjeve te bizneseve apo pushteteve te tjera qe fshihen pas saj, duket se eshte siguria financiare! Pyesim drejtuesit e Fiks-it nese jane ne gjendje te na tregojne se sa kushton, ne terma financiare, nje emision ditor dhe duke buzeqeshur - si Haxhiaj, si Shkurti - pohojne: “Shume”…
Sa shume, mund te kuptohet edhe nga nje rast i thjeshte: monitorimet, nje prej rubrikave me te vjetra dhe me gazmore te ketij emisioni, ze ne nje emision Fiks Fare nje hapesire nga 1.40 min, ne maksimumi 2 minuta. Por, per realizimin e asaj rubrike mbahen “seitched on” 24 ore ne 24, dhjetera aparatura dixhitale mbi te cilat 6 persona monitorojne programin 24 oresh te te gjitha televizioneve shqiptare. Keta monitorues punojne ne 3 turne dhe shperblehen me rroga realisht te kenaqshme…
Ndersa brenda emisionit, qe zgjat me pak se nje ore ka te pakten 10 minuta blloqe publicitare…
“Nje arsye shume e forte pse Fiks Fare eshte ky qe eshte, ka qene edhe mbeshtetja e jashtezakonshme qe i ka dhene pronari i TCH, i ndjeri Dritan Hoxha”, pohojne drejtuesit e emisionit. “Ai e imunizoi Fiks-in nga çdo sulm dhe u krijoi gazetareve mundesine te punonin krejt te pavarur”.
Haxhiaj duhet te largohet, per te realizuar nje mbledhje tjeter vetem me realizuesit e kamerave te fshehta… Kjo na rikujton ambientin e mbyllur gati gati hermetikisht ky ndodhet laboratori i Fiks Fare. Kerkojme te marrim pjese ne ate mbledhje, por kjo eshte e pamundur! “Punonjesit e kamerave te fshehta nuk i njeh askush”, pohon ajo. “Madje as edhe drejtues te ndryshem te Top Channel”. Te trainuar veçse per realizimin e kamerave te fshehta ata kane paraqitje te tille qe nuk i dallon dot nga te gjithe njerezit e zakonshem qe shikon neper rruge. Por ndonjehere, edhe me kete paraqitje mund te “depertojne” deri dhe ne fantazite me te thella te nje ministri…
Kryeministri Sali Berisha kishte qene me siguri me pultin e televizorit ne dore, mbremjen kur u publikua skandali i ish ministrit te tij. Mesohet se ai e dinte se çfare do transmetonte Fiks-i, qysh ne oren 14.00 te asaj dite. Disa milione shqiptare, e pane ate emision, ashtu si edhe kryeministri, i cili me siguri duhet te kishte disa ore qe e kishte marre vendimin per shkarkimin e Pangos...
Miliona te tjere u vune para ekraneve edhe gjate ritransmetimit. Ndonese nje perqindje e paperfillshme e shqiptareve e perdorin internetin, pas publikimit te videos “Pango” ne Youtube, brenda 48 oreve pati 17 mije klikime, i barazvlefshem ky numer me numrin e lexuesve te te pakten 4 te perditshmeve shqiptare me te shitura. Per kete arsye, pra per kete pushtet real qe perben ky emision tashme, ambienti ku nuk mund te hysh kollaj brenda redaksise se Fiks Fare do te jete me siguri edhe me hermetik se deri me tani, ndonese syte kurioze jane edhe me te etur per ta zbuluar, sidomos edhe pas pohimit me humor (?) te Filip Çakulit se “kemi video edhe per kryeministrin e ardhshem”…