Cfare i mungon Tiranes?

Cfare i mungon Tiranes?
Po dëgjojmë projekte nga më të çuditshmet, të kushtueshmet e ambiciozet për kryeqytetin. Ndërkohë janë harruar një listë objektesh e institucionesh pa të cilat vetë kryeqyteti s’mund të konsiderohet i tillë. Tregjet e shumicës, muzeu i qytetit, thertorja, fusha e përpunimit të mbeturinave, qendra e panaireve, impianti i ujrave të zeza etj: këto janë disa nga objektet e munguara që i japin fytyrë njerëzore një qyteti

Mund të duket e çuditshme, por nëse numërojmë gjërat që i mungojnë Tiranës, lista do të na dalw shumë e shumë më e gjatë se për çdo qytet tjetër. Epo kryeqytet hesapi, është përgjigjja e parë që mund t’u vijë ndër mend, edhe nevojat i ka më të mëdha se çdo qendër tjetër urbane. Kundërshtarët e Ramës pastaj do i hidhen edhe më keq në grykë, duke ja numëruar edhe këto, ndërsa mbështetësit e tij do përpiqen ta mbrojnë duke thënë avazin e zakonshëm të këtyre rasteve: është bërë shumë dhe do bëjmë edhe të tjerat.

Në fakt, themeli i këtij handikapi të Kryeqytetit, qëndron diku tjetër, shumë më thellë sesa sherret vocërrake të ditëve tona. Problemi i mungesave të Kryeqytetit, ka zënë të formohet që tek planet rreguluese të kohës së mbretit Zog dhe të pushtimit Italian. Shumë nga godinat që asokohe ishin planifikuar për Tiranën, më pas, në vitet e Diktaturës u kthyen në institucione kombëtare, duke e privuar vetë qytetin prej tyre. Edhe në vitet e Dikataturës, shumica e institucioneve që ndërtoheshin në Tiranë, kishin karakter kombëtar, por që përdoreshin edhe nga qyteti. Me shembjen e Diktaturës, shumica e këtyre institucioneve, u shpall­ën edhe zyrtarisht Institucione Kombëtare dhe kaluan kaluan në vartësi të Ministrive përkatëse. Në atë moment, për rrjedhojë Tirana vetë u gjend e zhveshur gati tërësisht nga shumica e institucioneve jetike të një qyteti normal. Por faji i qeverive ndaj qytetit ku kishin selitë e veta, vazhdoi edhe më tej, sepse në këto dy dekada asnjë qeveri nuk ka ndërmarrë ndonjë plan investimesh të nevojave të qytetit.

Në vijim do të rreshtoj disa prej këtyre mungesave, papretenduar se janë të gjitha dhe duke qenë i bindur se çdo qytetar i përgjegjshëm i Tiranës mund të shtojë edhe gjëra të tjera.

Fusha e përpunimit të mbeturinave
(landfield)

Shqipëria është vendi më i prapambetur në Europë, përsa i takon nivelit të përpunimit të mbeturinave urbane dhe, brenda Shqipërisë, Tirana qëndron në vendet e fundit. Përveç një fushe, që tashmë gjendet edhe shumë pranë qytetit dhe ku mbeturinat thjesht stivosen dhe groposen, nuk ka asnjë element sado fillestar të përpunimit të tyre.

Së fundmi, edhe dy qytete si Lezha dhe Berati, filluan një projekt vendor për grumbullimin e diferencuar të mbeturinave, me qëllim riciklimin e pjesshëm dhe si një faze e parë për të shkuar drejt trajtimit në impiante të asgjësimit, ndërsa Tirana as këtë hap nuk e ka hedhur ende.

Impianti i përpunimit të ujrave të zeza

E njëjta situatw si ajo e mbeturinave urbane, ekziston edhe për ujrat e zeza, të cilat pjesërisht derdhen direkt në Lanë që brenda qytetit, ndërsa pjesa tjetër derdhen në Lumin e Tiranës, por që të gjitha përfundojnë në det fare të patrajtuara. Tashmë, në Lezhë po ndërtohet një impiant për trajtimin paraprak të këtyre ujrave, në Kavajë është ndërtuar dhe funksionon, në disa qytete të tjera ka mbaruar faza e projektimit, ndërsa për Tiranën ende nuk ka asnjë gjurmë.

Qendra Historike e Qytetit

Tirana ka një qendër historike ende të ruajtur përgjithësisht mirë, por që rrezikon të zhduket pak e nga pak. Është e gjithë zona midis Bulevardit të Madh, Lanës, rrugës “Punëtorët e Rilindjes” dhe rrugës “Murat Toptani”. Brenda këtij drejtkëndëshi të madh, gjendet Galeria Kombëtare e Arteve, katedralja Katolike, Hotel Dajti, Akademia e Shkencave, Salla e Kuvendit, disa nga lulishtet më të vjetra të Qyteti, ish-Pallati i Mbretit Zog dhe disaobjekte të tjera të tilla. Mbi të gjitha këto, brenda mureve rrethuese të kështjellës mesjetare të Tiranës, gjenden edhe disa prej godinave më të bukura dhe të vjetra të qytetit.

I gjithë ky kompleks, i restauruar dhe i integruar së bashku, realisht mund të kthehet në një prej qendrave historike më të bukura të gjithë arealit shqiptar. Në fakt, sot është i copëtuar poshtë e lart, i rrezikuar nga ndërtime të reja, i braktisur, me godina mbi 200-vjeçare që po rrënohen, me qoshe muresh që përdoren për të urinuar dhe me shkatërrim që mbizorëton ngado. Ç’tju them më shumë se kaq?!

Teatri i Qytetit

Shkodra ka një prej teatrove më të bukura të vendit, të ndërtuar që në vitet ’50 në atë stilin neoklasik sovjetik të asaj kohe. Pak vite më pare, ai teatër u restaurua tërësisht, duke i rikthyer shkëlqimin e dikurshëm. Ka teatër të vetin edhe Vlora, ka edhe Korça, ka edhe … edhe Peza. Po, shkoni në Pezë dhe do të shihni një sallë të madhe që të vjen çudi që gjendet aty. Tirana nuk ka asgjë. As edhe ai i shkretë Teatër i Kulkullave, që mbart aq shumë histori si Parlament i dikurshëm, është në vartësi të MInistrisë së Kulturës. Ka patur projekte për ta spostuar teatrin e kukullave në një vend tjetër dhe për ta kthyer atë godinë në një lloj muzeu të qytetit, ndërsa salla e vjetër historike, pasi të restaurohet të përdoret për mbledhje, takime e shfaqje të qytetit. Vetëm fjalë, fjalë dhe fjalë.

Pallati i Kulturës, ose kampusi kulturor i qytetit

Po të shkosh në Maliq, gjen një pallat Kulture të ndërtuar që në vitet ’50 për atë qytet. E gjen një pallat kulture edhe në shumë qytete të kategorisë së dytë, si në Gramsh e në Pukë, në Librazhd e në Laç, pa zënë në gojw qytete të mëdha si Korça apo Durrësi, që i kanë po se po. Ndërsa Tirana nuk ka asnjë qendër kulturore, sado të vogël. Pallati i Madh i Kulturës, i ndërtuar në vitin 1964, asnjëherë nuk funksionoi si qendër kulturore për Qytetin dhe, pas vitit 1991 ai kaloi tërësisht në vartësi të Ministrisë së Kulturës, duke humbur çdo lidhje me qytetin. Sot, gati 1/3 e këtij Pallati zihet nga Opera, edhe kjo një institucion kombëtar. Një tjetër 1/3-të zihet nga Biblioteka Kombëtare, ndërsa gjithë ç’mbetet janë ambjente të dhëna me qera nga Ministria e Kulturës për lloj-lloj biznesesh.

Muzeu i Qytetit

Në Bajram Curri ka një muze të qytetit. Edhe në Ersekë ka një Muze të qytetit, në qytete të tjera ka edhe muzeume tematikë, si muzeu Etnografik në Elbasan, Muzeu Etrnografik në Kavajë, Muzeu Etnografik në Gjirokastër. Tirana nuk ka absolutisht asgjë, as Muze të Qytetit e as Muze Etnografik. Muzeu Etnografik ka ekzistuar dikur në një nga godinat e sheshit “Avni Rustemi”, por më pas u privatizua dhe sot aty shitet peshk dhe bëhen qofte.

Në ditën që ne flasim, Tirana praktikisht nuk ka asnjë muze të vizi­tueshëm, kombëtar a lokal. Muzeu Kombëtar është gati i paafrueshëm, pasi prej një viti hyrja e tij është shkatë­rruar, mozaiku i madh qëndron i mbuluar dhe disa prej pavioneve të tij janë të mbyllur dhe zhveshur plotësisht. Muzeu i Shkencave të Natyrës u mbyll dhe nga dita në ditë pritet shkatërrimi i tij. Muzeu Arkeologjik, në vartësi të Akademisë së Shkencave është gati inekzistent dhe pak kush e di edhe që ekziston.
Të mos harrojmë se Tirana ka patur muze të vetin të ndërtuar që në vitin 1923!

Galeria e Arteve

Në Fier ka një galeri artesh, në Gjirokastër po bëjnë projektin e një galerie të re, ndërsa në Tiranë ekziston Galeria Kombëtare e Arteve, ndërsa qyteti vetë nuk ka asgjë, as edhe një sallë e vetme ekspozimi nuk ekziston pa le galeri pastaj.

Biblioteka e Qytetit

Kam parw biblioteka qytetesh në Vlorë, në Korçë, në Shkodër, në Pogradec dhe në plot qytete më të vogla. Tirana nuk ka një Bibliotekë të vetën. Projekti për këtë bibliotekë është bërë që në vitin 1928! Në vitet ’30, lordi Karnarvon, ai që zbuloi varrin e Tutankamonit, ndërtoi dhe i dhuroi Tiranës një bibliotekë goxha të pasur. Pas Lufte, fondet e kësaj Biblioteke i kaluan Bibliotekës Kombëtare ndërsa godina u kthye në Kinema (Ali Demi). Sot edhe kinemaja u prish dhe po bëhet pallat!

Çezmat dhe Banjat Publike

Çezmat publike të Tiranës, kanë qenë një nga elementet sociale më elegantë dhe fine të qytetit. Në periudhën osmane, ato ndërtoheshin në formë monumentesh të vërteta me kolona e harqe, me mbulesë plumbi e me mbishkrime të dhuruesve. Në vitet ’30, veç tyre, u përhapën gjithandej qytetit edhe një numër çezmash me trup gize dhe lëfure prej bronxi. Sot absolutisht asnjë prej tyre nuk ekziston. Çezmat monumentale të periudhës osmane u zhdukën, ndërsa çezmat prej gize përfunduan për skrap në Mal të Zi.

Banjat publike, janë një tjetër element i higjenës perëndimore, i futur në Tiranë që në vitet ’30, kur u ndërtuan një seri syresh anekënd qytetit. Dy prej tyre mbijetuan deri në fillim të shekullit XXI, kur e parafundit, që ishte pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, me një operacion të paqartë u dha me qera nga Bashkia dhe u kthye në benzinatë dhe, e fundit, që u shkatërrua gjatë rikonstruksionit të sheshit “Sulejman pasha” në vitin 2008.
Sot, Tirana i bie të jetë i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka asnjë banjë publike, duke ftuar njerëzit të përdorin për këtë punë këmbët e urave.

Qendra e Panaireve

Dikur në kohë të Turqisë, panairet zhvilloheshin në sheshin e Shallvares. Pastaj, në kohë të Zogut e të Italisë, panairet filluan të organizohen nëpër mjediset e Pazarit të Ri dhe përreth tij. Koha e Enverit vërtet nuk kishte nevojë për panaire, por ato i zëvendësoi me ekspozita, për të cilat u ndërtua edhe një godinë gjigande, Ekspozita “Shqipëria e Re”.

Pas viteve ’90 panairet u rikthyen, filli­misht në ambientet e ish-Ekspozitës. Pastaj ekspozita filloi të jepej me qera e të copëtohej, ndaj panairet u zhvendosën tek Piramida e më pas edhe tek Pallati i Kongreseve. Piramida ka nja dy vjet që është mbyllur dhe shenjat janë që do shkatërrohet përfundimisht dhe sot i vetmi vend ku organizohen panaire është Pallati i Kongreseve, kjo nga halli e jo nga malli pasi ai ambient nuk është krijuar për atë punë. Në njërën anë të rrugës kryhen ceremonitë shtetërore nga Presidenti i Republikës, ndërsa në anën tjetër të saj, reklamohet sallam dhe koka dushi në ditë panairesh.

Spitali i Qytetit

Spitaleve të Tiranës, e veçanërisht atë Ushtarak, jua dëgjojmë emrin çdo ditë nëpër media, e veçanërisht në kronikën e zezë. Por edhe vetëm nga ky fakt, kuptohet që dy korpuset e mëdha të spitaleve të Tiranës, kanë karakter kombëtar. Vetë Qyteti nuk e ka një qendër spitalore të vetën. Së fundmi, edhe në Kavajë, me financim të përbashkët qeveri-donator u ndërtuar një spital tërësisht i ri, ndërsa Tirana megjithëse ka vite që flitet për nevojën e ngritjes së një spitali të tillë, deri tani kanë qenë thjesht fjalë.

Stacioni i Trenit

Stacionit i Trenit në Tiranë, megjithëse një nga më të vjetrit në vend, është trajtuar gjithmonë si i përkohshëm, pasi ai do të duhet të zhvendoset nëse do të vazhdojë zgjatimi i Bulevardit të madh drejt Paskuqanit.

Terminali i autobuzave

Nuk ka tiranas të vjetër që nuk e kujton emrin e SATA-s, agjensia e autobuzave që lidhte Tiranën me qytetet e tjera dhe që më pas, në fillim të viteve ’40, filloi të operonte edhe në linja të brendshme të qytetit. Në planin rregullues të asaj kohe, u planifikua edhe ndërtimi i terminalit të Autobuzave, dhe u hartua edhe projekti ekzekutiv i tij. Më pas erdhi lufta dhe gjithçka u harrua...

...Sot autobuzët nga Tirana drejt qyteteve të tjera, nisen nga pika e qoshe rrugësh nga më të pamendueshmet. Nga sheshi para stacionit të Trenit, nga Zogu i Zi, nga Stadiumi Dinamo, nga cepi i rrugës tek Stadiumi Qemal Stafa, nga cepi, nga qoshja, nga ana, e kështu me rradhë.

Thertorja Bashkiake

Në vitin 1908, në Tiranë me nismën e Esat pashës, u rindërtua pazari i qytetit që u quajt “Pazari i Ri”, por që ne më pas e quajtëm “Pazari i Vjetër”, sepse u ndërtua edhe Pazari tjetër që u quajt “Pazari i Ri” që është edhe sot. Konfuzion termash, tipik shqiptar. Nejse, me atë rast për herë të parë në qytet u ndalua therrja e kafshëve nëpër rrugë. Më pas, në vitin 1929, me financim të Bashkisë, u ndërtua Thertorja Bashkiake, ku bëhej therrja dhe përpunimi i mishit, përpara se të lejohej për shitje.

Një shekull pas disiplinimit të parë dhe, treçerek shekulli pas ndërtimit të thertores, në Tiranë viçat e delet theren ku të munden nëpër cepat e rrugëve. Shkoni në disa prej rrugëve të periferisë, apo në rrugën e Burgut dhe ajo që do shihni, ku përzihen zorrët e viçave me ujrat e zeza dhe me gjakun që shkelet ngado, midis atyre që po aty tregëtojnë vjetërsira, do t’ju lerë pa mend. Thertorja e vjetër, natyrisht që u privatizua dhe sot është bërë pallat.

Të tjera

Mund të vazhdohet të flitet për një seri objektesh e funksionesh që i mungojnë qytetit të Tiranës por kam frikë se nuk do të mjaftonte një numër i tërë i revistës. Kështu po rreshtoj shkurtimisht:

Kopshti Zoologjik, që është katandisur në ditë të hallit, dhe ku përvec rikonstruksionit të tijnduhet menduar edhe për strehën e qenve për të shpëtuar edhe ne prej tyre në rrugë por edhe ata prej trajtimitarbar që ju bëjmë.

Tregjet e shumicës, Tregu i produkteve bujqësore-blegtorale, Tregu industrial, nga ku duhet të furnizohen më tej tregjet e brendshme të qytetit.
Zgjidhja e problemit të Varrezave, sepse aktualisht varrimet po kryhen midis varreve ekzistues, duke zënë rrugicat midis parcelave, sipërfaqet poshtë shtyllave elektrike, e deri duke ripërdorur varre të vjetra që nuk u del njeri për zot.

Parku i Automjeteve të Bashkisë.

Unaza e Madhe.

Hapja e Bulevardit të Madh drejt Paskuqanit

Rrjeti i telefonisë, për të cilin duhet hartuar një projekt i përgjithshëm për futjen e tyre nën tokë se janë kthyer në një rrjetë merimange mbi kokat tona.
Kolektorët kryesorë të Qytetit.

Pa të mos harrojmë pastaj se Tiranës i mungon një azil, një qendër sociale për fëmijët e rrugës, që Tirana nuk ka një televizion një radio apo një gazetë të vetën.
Dhe të mos harrojmë se të gjitha këto që u përmendën, janë objekte që i mungojnë qytetit, pasi Tirana duke qenë edhe qendër administrative e vendit, në të duhet parashikuar edhe ndërtimi i shumë objekteve të qeverisjes qendrore, që ende kanë nevojë për t’u ndërtuar. Duhet parashikuar ndërtimi i një numër institucionesh shtetërore, kompleksi i gjykatave, Bursa, e plot të tjera, sepse ka plot syresh që, ose janë të stivosura në objekte të papërshtatshme, ose qëndrojnë nëpër godina me qera, apo në kate të para të pallateve të reja, duke kompromentuar rëndë dinjitetin e shtetit.

Dhe midis kësaj nevoje ulëritëse për institucione vendore dhe qendrore, duket absurd fakti që qeveria nxjerr për privatizim prona publike, të cilat më e pakta është t’ia kalojnë në pronësi me destinacion të përcaktuar qartë Bashkisë së Tiranës, për të mbyllur ndonjë prej shumë halleve të mësipërme.

Të gjitha këto që u rreshtuan më sipër, janë mungesa të Qytetit tonë që historia, duke e bërë kryeqytet, deri tani ja ka mohuar që t’i ketë. Duke njohur përgjegjësinë e periudhës së Diktaturës në krijimin e kësaj situate absurde, është e pafalshme nga ana tjetër që në këto 20 vjet asnjë prej administrave që kanë qeverisur qytetin, nuk e ka vënë ujët në zjarr për të vënë gurin e themelit në ndonjërën prej mungesave të qytetit.

Më thotë mendja se prej tyre duhet të zerë fill një fushatë normale premtimesh elektorale midis bashkëqytetarëve të mi. Sa për shtrime trotuarësh e asfaltime rrugësh, besoj se tashmë që jemi në shekullin XXI, nuk mund të shërbejë më si premtim serioz për një kandidat.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama