Një strategji gjithëpërfshirëse. Jo më injorim i përgatitjes së përgjithshme të gjimnazit. Mesatarja e tre viteve merr sërish fuqinë e humbur. 50-60 pikë nga 100 të mundshmet. Sistemi “10 preferencial”, një dështim që solli vetëm kaos. Flet për JAVA dekani i Fakultetit te Histori Filologjisë, prof. Dr. Shezai Rrokaj
Pas gjurulldisë zgjedhore, verës së nxehtë dhe pushimeve të cunguara të shqiptarëve, pas ditëve të mbushura me kronika lajmesh që më së shumti tronditën, ato që rrinë pezull janë vetëm pritshmëritë. Shqiptarët nga kudo po mbajnë frymën deri në shtator. Një qeveri e re pritet të mbledhë Parlamentin e saj të parë dhe t’ju tregojë votëbesuesve, dhe jo vetëm, se cilat janë strategjitë që do të bëjnë ndryshimin në ditët e tyre këto katër vitet e ardhshme. Kambanat e papunësisë vazhdojnë të bien.
Janë të rinjtë ata që vuajnë më së shumti, të sapo diplomuarit. Ata që dolën nga auditorë të një kohe konfuze për t’u hedhur në një treg që s’i pret, madje shpesh i pështyn jashtë tij.
Pas tyre, të tjerë gjimnazistë sapo kanë likuiduar detyrimet e fundit ndaj maturës dhe presin në ankth rrotën e fatit. Janë edhe ata ndër të parët që kanë rreshtuar pritshmëritë për një sistem më të mirë arsimor. Në mos ata vetë, prindërit e tyre. Ku do t’i hedhë sistemi? Çfarë morën me vete nga gjimnazi? Për çfarë do t’ju vlejë? A janë vërtet gati gjysma analfabetë funksionalë, siç u tha? A ju vjen keq për këtë? I kujt është faji?
Të vërteta ka shumë, ndërsa faji mund të jetë edhe jetim. “Një sistem arsimor difektoz”, do ta quante Dekani i Fakultetit te Histori Filologjisë, prof. Dr. Shezai Rrokaj, duke rreshtuar arsyet se pse e sheh si të tillë. Ndërkaq studimet e bëra iu kanë kohë që kanë njoftuar dështimin e plotë të tij. Sipas tij, në vitin 2008, i binte që vetëm 23% e nxënësve shkonin në degën që ata donin. Edhe pse në dukje një sistem i liberalizuar.
Por çfarë ka përgatitur kjo qeveri e re për ata më të rinjtë që e votuan? Çfarë propozojnë grupet e interesit dhe cila është reforma që pritet të ndryshojë përfundimisht sistemin e arsimit të lartë në pikat ku ky i fundit kishte kohë që çalonte? Çfarë i pret 18-vjeçarët e këtij brezi në tetor?
Në një intervistë dhënë për revistën, Dekani Rrokaj, njëkohësisht edhe kryetar i Degës së Tiranës për LSI-në.
Profesor, ju jeni shprehur edhe më parë rreth atij që deri më tani e keni quajtur sistem arsimor “difektoz”. Çfarë do të rendisnit si problemet kryesore të tij?
Implementimi i Maturës Shtetërore nisi mbi bazën e një parimi të përgjithshëm që kishte të bënte me vendosjen e pranimeve në universitete mbi një sistem kombëtar vlerësimi, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për të eliminuar të ashtuquajturin korrupsion, i cili, sipas qeverisë në atë kohë, ishte shumë i dukshëm në pranimet që bëheshin në shkollat e larta. Po ta shikosh sot, pas disa vitesh, shikojmë se asnjë nga këto objektiva të qeverisë së atëhershme, nuk u realizua. Objektivi i parë u cungua për shkak të defekteve që shfaqën testimet dhe konkurrimet për pranimet në universitet, ku kopjimet filluan të bëheshin kaq masive sa u përhapën njësoj si ato metastazat e kancerit në të gjitha shkollat. Kjo bëri që në universitetet të vinin studentë jo për shkak të meritës, por shumë prej tyre janë prurje e kopjimeve që bëjnë në konkurrime. Si objektiv i dytë i dështuar mund të konsiderohet mos eliminimi i të ashtuquajturit korrupsion, sepse, po ta shikojmë në shumë raste, kishim që nga mësuesit që u kthyen në policë e deri tek ata që u bënë pjesë e kopjimit, suke u treguar vetë nxënësve nëpër salla ku zhvilloheshin provimet.
Nga ana tjetër, dëmi më i madh i erdhi shkollës nga matura, sepse u vlerësua e gjithë përgatitja e nxënësve nga vetëm katër lëndë, që do të thotë se u neglizhuan pothuajse plotësisht gjithë lëndët e tjera që kanë të bëjnë me formimin bazë të një fëmije.
Në kushtet e një koncepti liberalizues, që u pretendua shumë nga qeveria e mëparshme, i gjithë sistemi u fut në një rrotë të mundimshme, mbi sistemin 10 preferencial, ku fëmijët duhet të zgjidhnin 10 preferenca profesionesh, gjë që e çoroditi gjithë sistemin, duke i zhvendosur fëmijët e Tiranës në Korçë, ata të Korçës në Shkodër e kështu me radhë. U krijua një kaos. Parimi se duke vendosur një sistem kombëtar do të kishim një mënyrë vlerësimi të barabartë për të gjithë nxënësit që vinin nga periferia në qendër dhe anasjelltas, nuk solli asgjë të dobishme.
Çfarë mendoni se do ta nxirrte sistemin nga ky kaos dhe nëse mund t’iu shpjegohej, çfarë i pret tani e tutje studentët e rinj të auditorëve tanë?
Së pari, mendimi im është që Matura Shtetërore duhet të ndahet nga pranimet në universitete. Kjo do të thotë që provimi i letërsisë e i gjuhës dhe i matematikës, duhet të jenë pjesë e përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, duhet të llogariten në pikët e shkollës së mesme dhe jo të lidhen me pranimet në universitete. Pra, duhet të mbyllet një cikël që ka të bëjë me provimet bazë dhe më pas, e gjithë mesatarja e të tre viteve duhet të ketë një pikë aderazh shumë më të lartë, 50-60 për qind, që duhet t’i ketë me vete një nxënës, sipas rezultateve që ka arritur në vite.
Së dyti, sipas orientimeve të studimeve që ka çdo individ, atij mund t’i mblidhen gruplëndësh të caktuara që të shërbejnë si element i dytë për të llogaritur pikë. Të shkencave të natyrës për shembull, - nëse ai ka dëshirë të studiojë shkenca natyre, - apo gruplëndësh shoqërore, nëse ai dëshiron të studiojë në këto shkenca.
E fundit, mund të jepet provim vetëm për një lëndë në sistem kombëtar, e cila do të jetë sipas orientimit ku kërkon të shkojë çdo nxënës.
Pra, duke pasur këto tre elemente, mesataren e të gjithë lëndëve të shkollës së mesme, mesataren e gruplëndëve dhe 20 pikë për shembull që mund t’i jepet një lënde specifike, çdo fëmijë krijon një databazë kombëtare dhe çdo nxënës ka një sasi pikësh të caktuara dhe ai shkon dhe aplikon vetë ku të dojë, në fakultetin që dëshiron. Në këtë mënyrë askujt nuk mund t’i hahen pikët, sepse do të jetë i ndërtuar tashmë një sistem kombëtar konkurrimi.
E them këtë, sepse, i ashtuquajturi sistem “10 preferencial” ka deformuar komplet gjithë dëshirat e mjaft nxënësve, të cilët ndryshe nga ç’e kishin menduar, sistemi i konkurrimit me “bingo” i hedh në profesione që nuk përshtaten fare as me preferencat e as me prirjet e tyre. kjo ka deformuar gjithçka. Nga një studim që unë bëra në vitin 2008, i binte që vetëm 23% e nxënësve shkonin në degën që ata donin. Imagjinonin një sistem që aplikohet dhe është i suksesshëm vetëm 23%. Është komplet i dështuar.
Ku e bazoni suksesin e një reforme të tillë dhe cilat janë pikat ky qeveria e re pritet të mbështesë strategjinë e saj për arsimin e lartë?
Ndryshime të tilla do të jenë patjetër të suksesshme. Së pari ato do ta detyrojnë nxënësin të mësojë të gjitha lëndët dhe do ta thjeshtojë vlerësimin. Përveç kësaj, do t’i jepet më shumë rëndësi punës së përditshme të mësuesit. Në funksion të kësaj, duhet marrë në konsideratë bërja e kontrolleve kombëtare gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në fund të tij. Mësuesit duhet të mësohen të vlerësojnë objektivisht. Kjo, mendoj unë, - dhe nuk jam i vetmi, - është një gjë që duhet rregulluar në këtë mënyrë.
Së dyti, një tjetër pikë ku çaloi sistemi është moskthimi i universiteteve në qendra shkencore, për shkak edhe të mungesës së fondeve. Qeveria e pa universitetin si një fëmijë që e braktisi dhe i tha, bëj ç’të duash, vetëm mua mos më bjer në qafë. Kjo i bëri universitetet të pamotivuara për t’u involvuar në projekte të mëtejshme kombëtare dhe globale.
E treta që duhet të ndryshojë, është që universitetet private duhet të akreditohen së bashku me universitetet publike, në mënyrë që të shohim se cila nga shkollat larta i plotësojnë kushtet e akreditimit. Sistemi i deritanishëm i akreditimit që është bërë ishte vetëm demagogjik. Ne propozojmë një sistem të ri akreditimi nga një agjenci ndërkombëtare, që mbi të gjitha të mos ketë lidhje me qeverinë. Se e keqja është pikërisht kjo, që këtu u ndërtua një sistem akreditimi që është në funksion të qeverisë. Po qe në funksion të saj, ai vepron njësoj si Instituti i Statistikave, duke i bërë qejfin qeverisë. Në të gjitha vendet e zhvilluara, për vetë natyrën që kanë universitetet, sistemet e akreditimit janë jashtë kontrollit të Ministrisë së Arsimit.
Për të quajtur i suksesshëm mendoj se matësi më i mirë është më pas përballja e këtyre të rinjve me tregun e punës. Ju, si një prej hartuesve të kësaj strategjie, si e keni parashikuar këtë?
Problemi i agonisë që i priste të sapo diplomuarit në sistemin e deritanishëm, ishte pasqyra që tregonte dështimin e tij. Mendoj se edhe kjo ka zgjidhjet e veta në strategjinë e re që pritet të implementojmë. Mbi të gjitha, kjo ka të bëjë me vendosjen e institucioneve të karrierës. Pra, ideja është se si ne, këta nxënës që përgatisim t’i bëjmë të gatshëm për ekonominë e tregut. Sa të lidhur e të orientuar e kemi ne universitetin me tregun? Sa do ta ndihmojmë ne studentin që ai të ketë akses sa më shpejt në tregun e punës? E gjithë kjo ka nevojë për ngritjen e një sistemi të tërë, që quhet sistemi i karrierës.
Këto mendime dhe ide janë hartuar, shkruar dhe dorëzuar në të gjitha programet tona elektorale dhe i janë bërë të njohura publikut të gjerë. Tani thjesht duhen njerëzit dhe ngritja e strukturave të duhura për t’i vënë në lëvizje këto ide. Unë mendoj se këtë vit apo tjetrin, këto ndryshime duhen bërë, sepse realisht nuk ka alternativë tjetër.
Përvoja e gjithë këtyre viteve na ka shërbyer të kuptojmë se, në qoftë se do të kemi vullnet, në tetorin e këtij viti ne duhet t’u themi maturantëve se çfarë synojmë të bëjmë një vit më pas. Nuk duhen ndërmarrë reforma një muaj apo dy muaj përpara. Këtë fillimviti akademik ne duhet të lëshojmë idetë tona, në mënyrë që njerëzit të jenë të qartë që qershorin që vjen gjërat duhen bërë në këtë apo atë mënyrë. Mbi të gjitha duhet vlerësuar gjithëpërfshirja e grupeve të interesit, në mënyrë që sistemi të jetë sa më i plotë dhe sa më koherent. Ky tetor është tetori i lançimit të ideve që duhet të realizohen vitin që vjen.