Nga Ismail Kadare
Gjatë sistemimit të arkivit vetjak, për gëzimin tim të madh, gjeta midis dorëshkrimeve, dy nga letrat e Lasgush Poradecit. I kam kujtuar të humbura, pas ikjes në Francë në vitin 1990, ashtu siç kam menduar për një pjesë të dorëshkrimeve, hamendje e natyrshme për një arkiv që pasi u sekuestrua, ka kaluar, siç dihet, nga zyrat e Prokurorisë në ato të Gjykatës, për të përfunduar për fat të mirë në Arkivin e Shtetit.
Me sa jam në dijeni, Lasgush Poradeci, më i madhi poet i gjallë i Shqipërisë, gjatë kohës së diktaturës komuniste, ka lënë pak letra të datuara në këtë kohë. Poet i rrallë në historinë e letërsisë botërore, të cilit i ra fati tragjik që, duke qenë ende gjallë, të përjetojë vdekjen e tij në kuptimin e plotë të fjalës, Lasgush Poradeci, për një kohë të gjatë do të vërë në skajim të vështirë ndërgjegjen e kombit të vet. Mënjanimi nga jeta dhe lënia në harresë të plotë e poetit, i cili do t’i bënte nder çdo letërsie evropiane, ka qenë një nga mizoritë më të mëdha të epokës.
Këto dy letra janë vetëm një copëz nga mozaiku i zymtë që dëshmon se si poeti më elitar i letrave shqipe, ai që e kishte shpallur veten Zog i qiejve, do të detyrohej të ecte nëpër baltrat e burokracisë komuniste, të trokiste në zyrat e saj shterpa, t’u kërkonte një shkresë a një telegram nëpunësve kokëtrashë e cinikë, që ngazëlleheshin ngaqë e kishin në dorë e mund ta bënin të vuante.
Letrat që po botohen janë të dyja të vitit 1978. Kishin kaluar dy vjet qysh nga një përpjekje e dështuar për t’i dhënë Poradecit statusin e shkrimtarit profesionist, gjë që praktikisht do të lejonte ribotimin, me fjalë të tjera, rikthimin e tij në jetë. Ana tjetër e problemit do të ishte lehtësimi i halleve të tij të përditshme. Duke u prerë çdo shpresë për çështjen madhore, atë të lejimit të krijimtarisë së tij, mbeti problemi i vështirësive të jetës. Siç shihet qartë nga dy letrat e poetit, regjimi dinte të dënonte edhe në mënyra të tjera. Duke mos u mjaftuar me krimin e parë, ndalimin e veprës, shteti komunist vazhdonte të torturonte poetin pa bujë, duke ia helmuar ditët e pleqërisë. Ky helmim bëhej në mënyrë cinike: me veshin shurdh, me mosdëgjimin e kërkesës së tij modeste për emërimin e vajzës si mësuese në Pogradec, me vonesën e një shkrese, të një telegrami. Sa shpejt e sa ngutshëm mbërrinin në administratën e diktaturës letrat denoncuese, shkresat për arrestime, dëbime, burgime! Dhe sa ngadalë shkresat e tjera, sidomos ato që mund ta lehtësonin disi jetën njerëzore!
Çdo artdashësi e sidomos çdo adhuruesi të poetit të madh, do t’i dhembi në zemër kur të lexojë këto tekste, kur dëshpërimi dhe mungesa e shpresës shfaqen në mënyrë ciklike, nëpërmjet një thatësire frazash, si vijat e rërës në shkretëtirë. Është bota e dhunshme e burokracisë, e kundërta e krejt e botës së poetit, që, duke e detyruar të bjerë në mëshirën e saj, hakmerret me poetin për qiellsinë e tij. Një analizë e thjeshtë e tekstit e jep këtë dhunim. Në më pak se dy faqe gjenden më shumë se 50 fjalë e terma administrative: 10 herë fjala ministria, 11 herë emërim, 7 herë telegram (zyrtar), 6 herë Komitet ekzekutiv, 6 herë Kuadër ose shef kuadri, 4 herë dosje, përveç fjalëve transferim, administratë, pasaportizim, dokument, shkresë zyrtare, kompetencë etj. Pasioni për t’u ulur kokën shkrimtarëve e poetëve ka qenë i njohur, jo vetëm në të gjithë regjimet totalitare, por edhe në sistemet e të menduarit që kanë lidhje me to. Këto sisteme të menduari vazhdojnë ende të jetojnë edhe kur regjimet bien. Sic u tha pak më lart, eksperimenti shqiptar me Lasgush Poradecin shkoi edhe më larg. Regjimi u përpoq dhe në njëfarë mënyre ia arriti, qe ta vdiste për së gjalli më të madhin poet të vendit. Në këtë kah letrat e tij të rralla e të ftohta qysh në atë kohë dukej sikur vinin që poshtë pllakës së mermertë të varrit.
Tiranë, nëntor 2002
———————–
Letra e parë
Merr: Ismail Kadare
Pogradec, 8 korrik 197
I dashur Kadare
Nuk di ç’u bë me emërimin e çupës sime (Kostandina Gusho) si Mësonjëse në Pogradec pasi u fjalosmë në Tiranë më 25 maj. Në mbrojtjen e Diplomës në letërsi ajo mori notën 9. Pas dëshirës sime, e cila është një nevojë imja e madhe (fort shumë e madhe siç të fola në Tiranë), më gëzove dhe mora një kurajë që në dëshpërimin tim më the përnjëherësh do t’i thuash Ministrit. Mora kurajë meqë unë këtu në Pogradec ku ri për shëndet në shtëpi të babajt ku kam lindur jam i vetëm pa asnjeri familjeje dhe pa asnjë shërbim prej asnjeriu. Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam, fort shumë të madhe jam. Këtu në Pogradec Mësonjësja e letërsisë Ana Jovan duke i vdekur bashkëshorti u transferua me kërkesën e saj për në Shkodër ku ka prindërit shkodranë. Posti i Ana-s si Mësonjëse letërsie mbeti në Pogradec vakant. Lutem folë ku duhet, që të destinohet për Kostandinën ky post vakant, duke u emëruar ajo provizorisht Mësonjëse për në Pogradec pa ia hequr pasaportizimin prej Tirane- ashtu siç është praktika e administratës, sikundër praktikisht që dërgohen provizorisht, që transferohen provizorisht nëpunësit për në tjetër vend, për në tjetër post pa jua hequr pasaportizimin prej vendit origjinar, prej postit origjinar. Shtoj se këtu në Komitetin ekzekutiv Kryetari (që vendos për transferimet) me pranoi me gatishmëri për dëshirën dhe nevojën time, dhe pret pa kundërshtim – Shkresën e Ministrisë.
Të fala edhe të përqafoj
Lasgushi
Poradec, 1 Shtator 1978
—————
Letra e dytë
I dashur Kadare,
Sot në mëngjes më 1 Shtator vajta në Komitetin ekz., pyeta Shefin e Kuadrit të Arësimit, Nella Çobanin: pse nuk m’a emëruat çupën në Mbledhjen e caktimit të Kuadrit, kur se më kini pritur gjer më sot kaq mirë, më kini thënë se do t’a emëroni edhe në një vend sa më të mirë?. Shefi i Kuadrit më tha: Në mbledhjen e djeshme muarmë në shqyrtim më parë emërimin e çupës suaj, por me qenë se s’kishin ndonjë Shkresë ose ndonjë Telegram nga ana e Ministrisë së Arësimit, ndonjë Dokument nga ana e Ministrisë mbi të cilin të bazohemi për emërimin – nuk mundim të vendosim për emërimin. Po të na bëjë Ministria qoftë edhe një telegram që: emëroj aty në Pogradec si Mësonjëse vajzën e Lasgush Poradecit, neve e emërojmë menjëherë duke patur ku bazohemi në një Shkresë zyrtare, në një dokument zyrtar, sepse edhe telegrami është për neve një bazë zyrtare, një Shkresë zyrtare, një dokument zyrtar. Ne s’kemi këtu në Komitet kompetencë që të bëjmë asnjë emërim pa urdhërin e Ministrisë së Arësimit. Kështu më tha, Kadare, sot në mëngjes më 1 Shtator Shefi i Kuadrit të arësimit.
Lutem, le të bëjë Ministria një telegram – telegram sa më urgjent për emërimin e çupës sime, Konstandina Gusho, si Mësonjëse në Pogradec, le t’a bëjë Telegramin sa më urgjentisht, meqë shkollat sot më 1 Shtator filluan, dhe mua këtu në Kuadër, sot më thanë që i kanë ruajtur cupës sime një vend vakant, vend të krijuar duke nxjerrë në prituni, me të drejtë rroge, një Mësues shumë të merituar po që vuan prej vitesh nga nervat e tronditura gjatë shërbimit të tij ushtarak nënëdetësor. Unë po përsëris, që, më parë se nga çdo gjë tjetër, Ministria të dërgojë këtu një telegram, në mbështetjen e të cilit Kuadri i Pogradecit të mund të bëjë pa vonesë emërimin. Pastaj, pas dërgimit të telegramit, Ministria le të kërkojë Dosjen e studentes së diplomuar Kostandina Gusho në Seksionin e arësimit të komitetit ekz. të Tiranës, për t’a dërguar Ministria Dosjen këtu në Pogradec; ose, në qoftë se Dosja dërgohet prej vetë Seksionit të Arësimit të Komitetit ekz. të Tiranës, le t’a dërgojë këtu Dosjen Komiteti ekz. i Tiranës. Unë, i dashur Ismail, po e dërgoj çupën në Tiranë në datën 2 Shtator, ditë e Djelë, ka këtë letër, për t’jua dhënë juve çupa letrën në dorë që sot të Djelën me këto shpjegime të hollësishme nga ana ime, shpjegime të cilat edhe nuk janë të nevojshme pas fjalimeve tona këtu në Pogradec, veç se ato janë shprehje e shqetësimit tim, e shqetësimit tim të madh si edhe e shpresës sime të madhe (shpresës absolute) për emërimin e çupës pas ndërhyrjes sate kaq mirëdashëse për mua.
Me dashuri dhe mirënjohje të përqafon
Lasgushi