Edhe pse e kemi të vështirë ta pranojmë, jemi të ndërgjegjshëm se asnjëri prej nesh nuk dashuron deri në “çmenduri”; na pëlqen ose jo, ndjenjat e të gjithëve ne janë të përziera. Nuk ka kuptim që në dashuri të kërkosh vazhdimësi absolute, sepse sa herë që pëlqejmë dikë, e duam në mënyra të ndryshme, asnjëherë nuk është njësoj. Fatkeqësisht, miti gënjeshtar i “dashurisë së përjetshme” (gjithmonë i njëjtë dhe i mrekullueshëm) është aq i pranishëm në kulturën popullore, saqë shpesh na nxit të arrijmë atë që duam. Ndoshta nuk kuptojmë, por ky është një qëndrim i rrezikshëm, pavarësisht se kërkohet me ngulm për mirëqenien e çiftit.
Rreziku më i madh është mospërballimi i ulje-ngritjeve që ka çdo marrëdhënie, apo shfaqja e ndonjë shenje mosbesimi, ku në fakt ndodh që të ketë edhe momente boshllëku. Gjatë këtyre momenteve, shumë prej nesh mund të mendojnë kështu: “Nëse dashuria që ndiejmë për njëri-tjetrin nuk është gjithmonë në maksimum, a nuk do të ishte më mirë që të merrte fund, sepse herët ose vonë do të gjejmë personat e duhur që do të na duan me të vërtetë”. Ndërkohë, teksa presim njeriun e përsosur, vetëvlerësimi që ndiejmë nuk varet më prej nesh, por prej atij që do të hyjë në lojë. Duke u sjellë kështu nuk bëjmë gjë tjetër veçse e lëmë veten në duart e të tjerëve.
Çdo njeri dashuron në mënyrën e vet
Zakonisht kur themi: “Ai (ose ajo) nuk më thotë kurrë të dua” nënkuptojmë: “Nuk më do ashtu siç e dua unë”, a thua se mendimi që kemi në kokë është i vetmi i vërtetë; ose “Duhet të më duash, por ashtu siç të them unë” (pra të sillesh dhe të thuash gjërat që do partneri/ja). Personat që e jetojnë dashurinë në të tillë mënyrë, padyshim që i çojnë drejt fundit lidhjet e tyre dhe rrallëherë bashkëjetojnë, sepse e kanë pothuajse të pamundur të gjejnë dikë që t’i dojë “ashtu siç duhet”. Pra nuk bëjnë gjë tjetër veçse jetojnë me vuajtje, duke ua hedhur fajin dashakeqësisë së të tjerëve dhe është pikërisht kjo bindje që nxit t’i hapin krahët vuajtjes.
Dëmet e ideales: “Dashuria e vërtetë duhet të jetë e përsosur”
“Çifti duhet të ketë një marrëdhënie të përkryer, pa ulje-ngritje, sepse atëherë ç’kuptim ka që rrinë bashkë. Në këtë rast nuk është dashuri ideale”: kjo bindje është produkt i vizionit ideologjik të ndjenjave. Pra gjatë periudhës së dashurisë lidhja duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm të pasionit, vëmendjes, ledhatimeve…
“Lumturia ime varet prej atij (ose asaj)”
Gjatë periudhës së dashurisë, vëmendja është totalisht e fokusuar te tjetri, te gjërat që thotë ose bën ai/ajo. Prandaj shpeshherë kur nuk shqiptohet fjala “ne”, lindin keqkuptimet dhe kontradiktat, sepse partnerit/es i duket sikur është lënë pas dore, apo që kjo periudhë e bukur po merr fund. Kështu sulmon sistematikisht personin që ka në krah, sepse bëhet vartësi i vuajtjeve që i shkakton ai/ajo.
Tri këshilla të arta
Bëni kujdes me ato që thoni
Hiqini menjëherë nga fjalori këto shprehje: “Nuk më thotë kurrë të dua”, “Nuk më do ashtu siç e dua unë”: janë shumë të dëmshme, por jo të vetmet. Ka shprehje të tjera po kaq të dëmshme që tregojnë sesi mirëqenia jonë varet pikërisht prej tyre dhe ato janë: “Nuk m’i hedh as sytë”; “Për atë nuk ekzistoj”; “Nuk mendon për mua dhe ndjenjat e mia”; “Nuk e shikon sesi vuaj kur nuk më përkëdhel”. Nëse e doni vërtetë partnerin/en tuaj, dryshoni dhe do të shikoni rezultatet.
Shmangni modelimin e partnerit
Çfarë na shtyn që ta duam partnerin ndryshe nga ai që është, përveç bindjeve “të gabuara” që kemi për dashurinë? Duke u nisur nga ky mendim i thjeshtë, duhet të arrijmë të kuptojmë sesa energji shpenzojmë çdo ditë që të modelojmë partnerin sipas idealit tonë të dashurisë; dhe sa shumë vuajtje, lodhje, mundim shkakton te ne kjo përpjekje…
“Jo” skemave në dashuri
Zakonisht kur mendojmë se partneri/ja nuk sillet mirë me ne, përpiqemi që t’ia kthejmë me të njëjtën mënyrë. Kjo është gjëja më e keqe dhe më e gabuar. Por jo vetëm kaq: në qoftë se do të braktisni modelet e dashurisë që keni në kokë, do të vëreni aspekte të tjera që nuk ia kishit vënë re më parë. Pse ndodh kjo? Sepse duke e idealizuar partnerin/en nuk bëjmë gjë tjetër veçse humbasim nga sytë karakteristikat dhe cilësitë e tij/saj.