Me shumë gjasa buzë detit, me erën që shfleton pa të marrë leje. Volume të tëra që shkojnë dhe ata me pushime, për të kënaqur nevojat e të gjithë atyre që mendojnë se një udhëtim është gjithmonë më i mirë nëse në valixhe ka diçka për të lexuar.
Për fat, ka nga ata, madje, që përpara se të nisen, së bashku me pazaret e një mijë e një çikërrimave që duhen blerë, zgjedhjen e një libri të mirë për pushime e konsiderojnë një rit më vete. Dhe riti ka tekat e veta, në varësi të preferencave, në autorë, në zhanër, në kohë, në ngjyrime letrare e tituj që godasin. Tituj të rinj që ngjallin kërshëri, e klasikët e vjetër për të gjithë nostalgjikët. Libraritë e bibliotekat mund të jenë edhe përplot. Por si paraqitet lexuesi i kësaj vere? Në një kohë kur nuk janë të paktë ata që heqin dorë edhe nga pushimet, për shkak të ngushtësisë financiare, si paraqitet tregu i librit tek ne? Cilët janë disa nga titujt më të shitur, dhe çfarë të rejash paraqesin vitrinat e kësaj vere.
Në një intervistë për “Java”-n drejtuesja e shtëpisë botuese “Dudaj”, tregon se si projektohet vëmendja e lexuesit në tregun e librit gjatë këtij sezoni veror, cilët janë titujt më të kërkuar dhe autorët që kanë thyer rekorde shitjesh.
Keni mbajtur gjithmonë alert kërshërinë e gjithë dashamirësve të librit, sidomos në sezonet e verës, ku edhe ata më ‹indiferentët› gjejnë kohë për librin dhe i kthehen kënaqësisë së leximit nën çadër. Si paraqitet ky sezon për shtëpinë tuaj të librit?
Po, është e vërtetë, gjatë kohës së verës njerëzit shprehin përherë më shumë interes, edhe pse koha në dispozicion bëhet më e bollshme, bie paksa vala e punës dhe mund të përqendrohesh më shumë në të bërit e gjërave që të japin kënaqësi të pakrahasueshme. Siç është të lexuarit për shembull.
Edhe për ne ky sezon është i mirë në përgjithësi, duke pasur parasysh edhe krizën që ka pllakosur në tregun e librit që nga janari i këtij viti, po sidoqoftë ne kemi disa autorë dhe tituj të mirë nga të cilët lexuesi nuk heq dorë gjithsesi. Në fakt jemi përpjekur që të sjellim një konstelacion të kompletuar librash për këtë stinë ose gjashtëmujor le të themi, ku përfshihet letërsi e përzgjedhur me shumë kujdes, nga ata që na japin një kënaqësi të mirëfilltë dhe mbase pa u lodhur edhe shumë.
Çfarë titujsh të rinj keni sjellë për lexuesin e verës 2012?
Titujt e rinj që do të përmendja: janë letërsia thriller, romane si “Sekreti i mijëvjeçarit” nga Katherine Neville, “Vejushat e së enjtes” nga shkrimtarja argjentinase Claudia Pinero, romane me temën universale të dashurisë, të përditshmes dhe dilemave njerëzore të gjithkujt nga ne, “Koha që do të doja” nga Fabio Volo, “Jetët e pa rrëfyera të Pipa Li” nga Rebeça Miller, “Ai që nuk dinte të dashuronte” nga Harold Robbins, “Gruaja e munguar” nga Karen Gillece, “Ti je e nesërmja” nga Brunilda Zllami dhe në fund, (sigurisht jo për nga rëndësia) do të përmend ata libra që nuk duhet të mbeten pa u lexuar në jetë, “Eleganca e iriqit” nga Muriel Barbery, “Versioni i Barnit” nga Mordecai Richler, “Kaini” nga Jose Saramago, “Magjistrica e Firences” nga Salman Rushdie, “Gruaja qe i arratisej lajmit te keq” nga shkrimtari izraelit David Grossman dhe “Nëse një natë dimri një udhëtar” nga Italo Calvino. Janë shumë, po secili prej tyre ka rëndësinë e një margaritari, në vargun e gjatë të kolanës që zbukuron mendjen.
Po midis autorëve kë do të veçonit, cili është më i spikaturi?
Po zakonisht librat thriller ose të verdhë do të thoja, romane me histori dashurie dhe biografitë gjithashtu. Për mua, Stieg Larsson me trilogjinë e tij të famshme, e kryeson listën e shitjeve të 5 viteve të fundit, gjithashtu Roberto Saviano me të dy librat e tij, “Gomorra” dhe “Eja me mua”, Dan Broën, Sveva Casati Modignani dhe Brunilda Zllami, janë shkrimtaret më të dashura për gratë. Gjithashtu edhe shkrimtarja e njohur Elvira Dones, është shumë e parapëlqyer, në të gjitha trevat shqiptare. Me romanin e saj “Luftë e vogël e përkorë”, që trajton luftën e Kosovës, ajo i kaloi pa frikë gjithë barrierat e mundshme.
Duke qenë se titujt e verës kryesisht sjellin tema të lehta, rozë, a mund të thuhet, nisur nga kjo, se numrin më të madh të lexuesve të sezonit e përbëjnë femrat?
Numrin më të madh të lexuesve e përbëjnë femrat, kjo është e vërtetë, po jo për shkak të temave rozë, po për faktin e thjeshtë se gratë lexojnë më shumë se burrat në përgjithësi. Po sigurisht që prurjet tona janë kaq shumë të larmishme, saqë edhe burrat do të gjejnë patjetër një libër të bukur për t’iu kushtuar.
Një vend të veçantë në botimet tuaja kanë zënë pa diskutim edhe trilologjitë. Nisur edhe nga tematikat e veçanta dhe efektin e fortë thriller që përcillnin tek lexuesi, kush lexonte njërin, pak gjasa kishte t›iu «shpëtonte», të tjerëve. Mund të thuhet që triologjitë kryesojnë, por edhe nxisin shitjet?
E keni kapur shumë bukur këtë dukuri, është e vërtetë, trilogjia Millenium p.sh e Stieg Larsson, siç e thashë dhe pak më lart, rezultoi shumë e suksesshme. Në përgjithësi unë preferoj të ndjek librat e shkrimtarëve që po i quaj të mi, dhe t’i botoj në vazhdimësi. Kjo funksionon, sepse ti dashurohesh pas stilit, historive dhe temave që ata trajtojnë dhe priresh t’i ndjekësh. Një prurje e re, megjithëse do ta quaja surprizë, është ardhja në shqip e shkrimtares suedeze Camilla Lackberg, e jashtëzakonshme, histori thriller, plot suspans, nga ato që ta mbajnë shpirtin pezull dhe që të jep një kënaqësi të mirëfilltë leximi, ajo ka një varg librash që ndjekin njëri-tjetrin dhe fillon me “Princesha e akullit”, del në shtator.
A pajtoheni ju me idenë se dixhitalizimi i librit dhe bibliotekat online po e «sfidojnë» leximin klasik në letër, dhe se ndoshta në një ta ardhme të afërt printi do të kujtohet me nostalgji?
Tek ne, e kam fjalën për botuesit shqiptarë, nuk është ndjerë akoma, po libri sërish është i yni, edhe nëse është në variant elektronik. Unë vijoj të mbetem adhuruese dhe stoike e librit klasik, në letër, me atë aromën e saj karakteristike. Po nuk jam kategorike, nëse koha do ta kërkojë me ngulm, do të përshtatemi, ç’na mbetet tjetër?