Ciceronet moderne te qytetit te gurte

Ciceronët , modernë  të qytetit të gurtë

Gjithçka nisi krej rastësisht”, pohon Ermali, një i ri gjimnazist në lidhje me lindjen e këtij pasioni. “Unë aktivizohem në organizime të ndryshme rinore në qytet-vijon ai. Shpesh pjesë e tyre janë edhe të rinj, të cilët vijnë nga jashtë vendit”. Në rolin e ciceronit, Ermalit i ka rënë rasti që të shoqërojë bashkëmoshatarët e tij të huaj në zonën muzeale të Gjirokastrës.


Hapat e para si ciceron
“ Fillimisht krejt rastësisht iu flisja atyre për atë çfarë dija në lidhje me Pazarin e gurtë, Kalanë e qytetit, disa banesa karakteristike etj”. Por me kalimin e kohës dhe rritjen e kontakteve me grupe të tilla vizitorësh i riu gjirokastrit nisi të interesohej për të mësuar diçka më shumë për vlerat arkitektonike dhe kulturore të vendlindjes së tij të gurtë.
“Fillova të shfletoj botime për Gjirokastrën dhe veçanërisht për zonën muzeale të qytetit madje të kërkoj informacion edhe në sitet e ndryshme në internet”, vijon rrëfimin e tij Ermali. Me materialet që i dukeshin interesante, ai nisi të krijojë arkivën e vet personale e cila falë vullnetit dhe këmbënguljes së tij rritej çdo ditë dhe më shumë. “Aktualisht disponoj materiale interesante në lidhje me vlerat e zonës historike të Gjirokastrës, informacion, i cili është interesant edhe për grupet turistike që mbrrijnë në qytet”, thotë ciceroni Ermal, ndërkohë që me plot pasion dhe dëshirë vazhdon t’iu rrëfejë vizitorëve historikun dhe arkitekturën e Gjirokastrës së gurtë.



Kush i trajnon
ciceronët e rinj
Pasioni dhe dëshira e të rinjve për të orientuar grupet e organizuara turistike në zonën muzeale të Gjirokastrës ka tërhequr vëmendjen e zyrës së fondacionit “Packard” në qytetin e gurtë. “Me dashamirësi ne konstatuam pasionin e të rinjtve gjirokastritë për të qenë udhërëfyes të grupeve të vizitorëve në zonën historike të Gjirokastrës”, pohon koordinatori i “Packard”, Sadi Petrela. Në këtë kuadër ky fondacion sapo ka përfunduar në Gjirokastër një trajnim me të rinj, të cilët në të ardhmen do të shërbejnë si ciceronë të qytetit të gurtë. “Qëllimi i këtij trajnimi është aftësimi i të rinjve gjirokastritë për orientimin e vizitorëve të huaj dhe vendas që kërkojnë të vizitojnë zonën historike të qytetit”, pohon studiuesi dhe lektori Oliver Xhilks.

Ndër objektivat kryesore të trajnimit është aftësimi i të rinjve pjesmarrës me elementët bazë për orientimin dhe komunikimin me grupet turistike të organizuara”. “ Programi i trajnimit-vijon Xhilks- synon tu mësojë të rinjve gjirokastritë elementët kryesorë të profesonit të ciceronit në zonën historike të Gjirokastrës duke i dhënë kështu një mbështetje rinore zhvillimit të turizmit historik dhe kulturor në pjesën karakteristike të qytetit”. Orët teorike të programit të trajnimit janë të gërshetuara edhe me orë praktike të mënyrës së pasqyrimit për vizitorët të vlerave historike dhe arkitektonike të zonës historike të Gjirokastrës si dhe banesave të veçanta “Monument Kulture”.

Kënaqësi të jesh ciceron
Të rinjtë pjesmarës në trajnim shprehen të kënaqur për mënyrën e organizimit dhe tematikën e përzgjedhur. Laura Gaçe, njëra prej pjesëmarseve në trajnim shprehet se “ka mbaruar universitetin e Gjirokastrës përpara 5 vitesh në degën e gjuhës angleze”.
“Aktualisht-vijon ajo-jam punësuar në një organizatë të rinjsh këtu në Gjirokastër dhe gjatë sezonit të verës jam e lirë për të punuar si guidë me grupet turistike”.
“Është diçka që jo vetëm Gjirokastra por edhe Saranda kanë nevojë”, pohon Laura në lidhje me interesimin për ciceronët dhe udhërëfyesit turistikë. Sipas saj “ janë  dy zona kufitare, dy pika doganore, ku turistët mund të vijnë më kollaj edhe jo të gjithë turistët kanë dëgjuar apo mësuar se kush është Shqipëria dhe çfarë ofron në këtë drejtim një guidë është personi i duhur për ta bërë këtë”. Por për Laurën të jesh cicerone nuk është thjesht pasion por edhe një profesion interesant. “Është një punë e bukur dhe fitimprurëse që të sjellë shumë kënaqësi për të komunikuar me njerëz, për të treguar historinë, traditat që në Shqipëri janë mjaft të pasura dhe interesante për të huajt”, thotë Laura

Të rinjtë kthejnë sytë nga Gjirokastra e gurtë
Ndërkohë zona historike e Gjirokastrës dhe komplekset e banesave të gurta vazhdojnë të tërheqin gjithomonë e më tepër kuriozitetin dhe kërshërinë e të rinjve të qytetit.
“Në bashkëpunim edhe me qeveritë e nxënësve në gjimnazet e qytetit tonë ne kemi organizuar aktivitete të ndryshme në banesat karakteristike”, pohon drejtori i Monumenteve të Kulturës, Sparta Drasa. Grupe të rinjsh, kryesisht gjimnazistë, nën shoqërinë e specialistëve të monumenteve të kulturës kanë nisur një sërë aktivitetesh njohëse në lidhje me vlerat historike dhe arkitektonike të Gjirokastrës së gurtë. “Aktivitete të tilla janë mjaft të pëlqyera nga nxënësit pasi ata mësojnë diçka të veçantë në lidhje me vlerat e Gjirokastrës, kryesisht ato arkitektonike dhe kulturore”, thotë koordinatorja e qeverisë së nxënësve në gjimnazin “Asim Zeneli”, mesuesja Mira Çoçoli. Vetë nxënësit mendojnë se aktivitete të tilla krahas vlerave njohëse kanë edhe vlera të edukimit të tyre estetik.

“Përpara disa ditësh kemi qenë tek banesa e restauruar e Babaramove”, thotë Eri, gjimnazist në vitin e dytë. “Ishte diçka e veçantë dhe tërheqëse ndërkohë që specialistët e monumenteve të kulturës na shpjeguan me detaje elementët e kësaj banese të gurtë-vijon ai. Në kuadër të këtyre inisiativave rinore për rijetëzimin e Gjirokastrës së gurtë fondacioni “Packard” pa realizon pasqyrimin e “Vitrinës qytetare”. Bëhet fjalë për ekspozimin e punimeve artistike të të rinjve me motive nga Gjirokastra e gurtë në mjediset e Pazarit karakteristik. Në këtë “Vitrinë qytetare” janë ekspozuar rreth 30 punime në pikturë, grafike, shkrime të shkurtra të realizuara nga të rinjtë gjirokastritë. Në të gjitha punimet janë të pranishme motivet nga zona muzeale e qytetit dhe kërkesa e të rinjve për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave të papërsëritshme. Sipas Z. Petrela “për realizimin e kësaj vitrine qytetare është ideuar një konkurs gjatë të cilit janë përzgjedhur punimet me të mirë artistike të nxënësve të gjimnazve të qytetit”.

Inisiativave rinore në zonën historike nuk i kanë mungur edhe nismat e vullnetarëve të rinj të “Kryqit të Kuq” për higjenizimin dhe pastrimin e kalldrëmeve të gurta.
“Në disa raste ne jemi angazhuar për largimin e mbetjeve urbane nga zona të ndryshme të zonës historike duke i bërë këto mjedise sa më të përshtatshme dhe funksionale për turizmin kulturor”, pohon përfaqësuesja e “Kryqit të Kuq” në Gjirokastër, Aida Hysi. Së fundi vullnetarët e rinj kanë sistemuar dhe larguar mbetjet urbane nga rruga që të çon në banesën e gurtë të Zekatëve, në lagjen Palorto të qytetit.

Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama