Rasti Bettencourt
E kemi fjalën për njerëz gra dhe burra që nuk duan të heqin dorë nga rinia, që kërkojnë madje me ngulm dhe me të gjitha mënyrat rininë e përjetshme dhe të gjitha të mirat që ka një moshë e tillë, çka nuk është një ndërmarrje edhe kaq e lehtë. Mbi të gjitha janë njerëz që nuk duan që koha që kalon t’u heqë njëherë e mirë të drejtën për të dashuruar personat që u pëlqen zemra, qofshin këta edhe të moshës së nipërve të tyre. Pra bëhet fjalë për “makina” që dëshirojnë dashurinë e përjetshme. E tillë është për shembull një zonjë që është lakuar shumë në shtypin francez të kohëve të fundit dhe se jo për çështjet e zemrës, por për ato të parave. Por në rastin tonë të shohim një tjetër aspekt të kësaj zonje. Në kulmin e akuzave që i bën shtypi për financim të padrejtë dhe të paligjshëm të partisë së Presidentit aktual, kjo zonjë që është ndër më të pasurat në botë duke qenë se është trashëgimtarja e linjës kozmetike me famë “L’oreal”, jep një intervistë të papritur në gazetën “Le Mond” një intervistë që më shumë se gjithçka e jep për të mbrojtur djaloshin me të cilin është e dashuruar. Ai quhet Fransua Mari Barnier dhe është pikërisht vajza e trashëgimtares së pasur që e ka akuzuar këtë djalosh për “zhvatje” të zonjës së pasur dhe të jo pak, por të plot 1 miliard eurove të gjitha në formën e veprave të artit, çeqeve dhe sigurimeve të jetës. Por mbi të gjitha, intervista e çuditshme e zonjës së pasur ngulmonte në të drejtën e saj të ligjshme dhe të patjetërsueshme që të jetonte jetën siç dëshironte dhe të gëzonte të gjitha qejfet dhe tekat dashurore deri ditën e fundit të jetës. Kuptohet që fjalën e kishte për dashurinë e saj me një djalosh që është shumë më i ri në moshë se zonja e moçme, Liljan. “Jeta është më e bukur nëse e jeton e lirë të bësh gjërat që do, nëse nuk ke merake të lëna pas. Unë e dua veprimin, ndjenjën si dhe fantazinë”, deklaroi në intervistën e saj 87-vjeçarja e etur për jetë dhe për qejfe.
Mbi 80
Por kjo zonjë për të cilën folëm deri më tani nuk është e vetmja që ka pasur guximin, por mbi të gjitha edhe paratë për të gëzuar jetën në mënyrën e saj. Të tilla ndjesi dhe teka karakterizojnë edhe dukeshën pak më të re në moshë, Cayetana d’Alba, emri i shkurtuar i 20 emrave të gjatë fisnikë që përbëjnë në fakt atë që quhet emër i saj i vërtetë. Madje, me këtë emër kaq të gjatë ajo është pjesë e librit “Guinness”. Zonja në fjalë është 84 vjeçe dhe tërësisht e dashuruar me një shitës shumë të thjeshtë antikuarësh thuajse rreth të 60-tave, Alfonso Diez. Të dy, pavarësisht moshës e kalojnë kohën nëpër ishujt e Ibizës duke bërë të gjitha qejfet e dy të rinjve, madje më shumë akoma dhe duke bërë gjithashtu edhe të gjitha operacionet plastike të mundshme që në fakt i kanë shndërruar të dy në dy kukulla llastiku pa asnjë identitet. Edhe pse është tërësisht e dhënë pas “djaloshit”, dukesha ia ka bërë të ditur atij dhe mbi të gjitha fëmijëve të saj të shumtë për t’i qetësuar se nuk do të martohet kurrë, pra pasuria e saj do të vazhdojë të mbetet pas vdekjes e tëra e fëmijëve. Por nga ana tjetër do të mbajë deri në fund të shtrënguar pas vetes, sepse ky person e bën të lumtur dhe lumturia është luksi dhe pasuria më e madhe që mund të kemi.
Në arte
Por për sa u takon rasteve të mësipërme dhe mbi të gjitha dashurive me diferenca shumë të mëdha mes partnerëve mund të thuhet se një gjë e tillë nuk është aspak e re, por ka ndodhur gjithmonë edhe pse jo në përmasat që po ndodh sot. Kur burri, ose gruaja e ndiejnë se po u ikën energjia e rinisë, atëherë ata për ta zëvendësuar sadopak këtë energji të ikur tentojnë që të lidhen me persona më të rinj në moshë për t’u ndier më të rinj për sa është e mundur. Kjo mbi të gjitha vjen nga dëshira për të qenë sërish vitalë si dikur dhe pse jo më përmes vetes, por përmes shoqërizimit me të rinjtë. Këtë ndjesi dhe fenomen e ka rrëfyer më së miri një klasik i letërsisë japoneze, Yasunari Kawabata, në librin “Shtëpia e bukurosheve të fjetura”. Kjo ishte një shtëpi në të cilën pleqtë shkonin dhe në mënyrë poetike u afroheshin disa virgjëreshave që flinin në mënyrë që vetëm përmes këtij afrimi të fitonin forcë dhe energji për të jetuar. Por dashuritë me diferencë të madhe moshe janë të famshme për sa i takon të shkuarës. E tillë është historia mes Arturo Toskaninit dhe pianistes së tij, Ada Mainardi, i pari 66 vjeç, ndërsa e dyta 36. Ajo u bombardua nga letrat e maestros së madh që fshihte në veten e tij një pasion të madh dhe të zjarrtë për Adën. Apo rasti i të famshmit Pablo Pikaso, mjeshtrit të madh të pikturës që ishte 70 vjeç dhe 24-vjeçares, Geneveve Laporte. Apo rasti i Paola Borbonit dhe djaloshit Bruno, pavarësisht se ajo ishte 70 dhe ai 30. Ishte një lidhje që zgjati, sepse aktorja u martua me djaloshin dhe ndenjën së bashku deri në vdekjen e saj. Ndërsa sot është një histori dhe lidhje që e gjejmë te lidhja mes aktorit të famshëm francez, Zhan Pol Belmondo dhe ish-modeles shumë të re, Barbara Gandlfi, e cila është akuzuar në fakt se është duke e manipuluar dhe përdorur situatën e rëndë shëndetësore të aktorit që kaloi një hemorragji të rëndë cerebrale pak kohë më parë. Po kemi edhe rastin e një tjetër aktori të shquar, Alen Delon, të cilit ende nuk i ka perënduar plotësisht ajo bukuria fizike me të cilën u bë i famshëm. Nëpër darka dhe festivale ai del krah përkrah me vajza të reja, të panjohura dhe thuajse të zhveshura. Janë pamje të një bote perëndimore që në fakt të kujtojnë pamjet karakteristike për Afganistanin me pleqtë që dalin në fotografi me nuset e tyre të mitura, sipas zakonit të mbrapshtë të vendit. Por në këto raste pyetja është a duhet t’i dënojmë lidhje të tilla, apo të jemi më mirëkuptues? Në fund të fundit të gjitha këto lidhje kanë në bazë të tyre atë sloganin për të kaluarën që ka ikur dhe nuk kthehet më, për rininë që disa aludojnë se do ta rikthejnë e lidhjet me persona shumë më të rinj, por që ata vetë më pas duhen pyetur nëse ia arritën qëllimit, apo pësuan një tjetër zhgënjim?
Mënyrat e reja
Në këto raste të përmendura nga qytetërimi perëndimor ka diçka që është në fakt përtej dëshirës për të rikthyer të shkuarën. Duket në këtë rast se më e madhe është dëshira për t’u nxjerrë fundin gjërave, për të konsumuar gjithçka deri në kufijtë maksimalë, një dëshirë e shfrenuar për konsumizëm. Është diçka që ka të bëjë me dëshirën dhe grykësinë në të njëjtën kohë. Dhe në këtë mënyrë burri plak dhe vajza e re nuk përbëjnë më një turp. Një shkrimtar francez dy shekuj m]ë parë shkruante: Rinia e bën të dashur çdo gjë, ndërsa pleqëria shëmton edhe vetë lumturinë. Sot ajo që psikologu Heinz Hartman përcaktoi për herë të parë si “lidhjet e zhbalancuara” nuk është më një rast i arkivuar, por përbën një sfidë për t’u eksperimentuar, për t’u jetuar dhe për t’u komunikuar. Sot dashuria romantike u lejohet të gjitha moshave. Madje, një gjë të tillë e kishte parashikuar dhe ai që konsiderohet si interpretuesi më i madh i epokës moderne dhe sentimentit modern, Johan Woflfgang Goethe që parashikoi se njeriu do të marrë në dorë ndjenjat e tij duke kërkuar të çlirohet nga hallkat dhe lidhjet e martesës tradicionale.
Goethe
Ai, poeti i madh dhe teorik, këngëtari i dhimbjeve të dashurisë së re nuk u tërhoq nga dëshira në moshë të madhe, përkundrazi vazhdoi të kultivonte zakonet e rinisë. Në moshën 72-vjeçare Goethe u dashurua dhe nuk u tërhoq nga një ndjenjë e tillë. Kështu ai takoi një ditë 17-vjeçaren Ulrike von Levetzov dhe u dashurua marrëzisht me të dhe madje ishte një dashuri që iu rikthye nga vajza e cila u mrekullua nga ndjenja e këtij vejani me një sukses të jashtëzakonshëm. Këtë e dëshmojnë disa letra që pas vdekjes së Ulrikes në vitin 1899 u dogjën, sepse e tillë ishte dëshira e saj. T’i rikthehemi historisë. Dy vjet pas njohjes së vajzës, Goethe u kërkoi prindërve të saj dorën e Ulrikes, por prindërit nuk ia dhanë. Kjo e hidhëroi shumë Goethen, i cili u largua nga lokaliteti termal ku jetonte dhe në këto e sipër shkroi edhe “Elegjia e Marienbad” që mbetet një nga dëshmitë dashurore më të jashtëzakonshme.
Egoizmi
Por nëse çdo moshë ka të drejtën që të ketë pasionet e saj vallë a nuk rrezikojmë që të gjendemi të rrethuar nga njerëz të moçëm egoistë që mendojnë vetëm se si të rifitojnë rininë dhe janë tërësisht të dhënë pas egoizmit të të jetuarit deri në fund të kënaqësive të jetës? Në këtë epokë moderne numri i të moshuarve është shumë më i madh se në çdo epokë tjetër. Pleqëria është një moshë e vështirë për disa. Në fakt, këtë e dinte mirë edhe vetë Goethe që në “Faust” thotë: “Djalli është plak. Edhe ju kur të plakeni do ta kuptoni atë më mirë”.