Sokol Cikalleshi ka luajtur sot 33 minuta për Basaksehirin. Ekipi ku aktivizohet sulmuesi shqiptar u ndal në barazim në shtëpi në sfidën ndaj Sivaspor. Cikalleshi e nisi ndeshjen nga stoli, por u hodh në fushë në pjesën e dytë kur rezultati ishte 1-2 për miqtë. Futbollisti kavajas nuk ka arritur të gjejë dot rrugën e rrjetës, por i është gëzuar golit të Napoleonit në minutën e 82-të që barazoi shifrat dhe shpëtoi Basaksehirin nga humbja.
Me rezultatin e sotëm Basakshehiri mbetet në vendin e katërt në kampionat, por shkurtohet diferenca me ndjeksit.
Ndërkohë në Bundesligë, Mërgim Mavraj dhe ekipi i tij Këln kanë festuar zyrtarisht qëndrimin në elitën e futbollit gjerman. Ditën e sotme ata kanë mundur me rezultatin e thellë 4-1 Darmshtadin.
Në takimin e sotëm titullar ka qenë dhe mbrojtësi kuqezi Mërgim Mavraj, i cili ka festuar bashkë me ekipin e tij qëndrimin edhe për një sezon tjetër mes më të mirëve të Gjermanisë. Prej disa javësh Mavraj luan si një titullar i padiskutueshëm me ekipin gjerman.