Cilen makine te zgjedhesh per kete vit

Cilen makine te zgjedhesh per kete vit
Në Shqipëri koncensionarët e makinave janë të shumtë. Blerjet e makinave nga ana tjetër kanë shënuar një rritje të ndjeshme, ndoshta bazuar edhe në problemet me transportin publik. Por cilat janë makinat që pritet të hyjnë në treg për këtë vit? Në një bashkëpunim me koncensionarët në Tiranë, “Shekulli” ju prezanton më poshtë modelet që do të gjeni së shpejti në sallonet e automjeteve. Çmimet nga ana tjetër, mbeten ende një problem për faktin se nuk janë përcaktuar për Evropën dhe koncensionarët presin për të dhënë shifrën e plotë. Automjetet e reja nisin nga më të voglat e deri tek të mëdhatë që i shërbejnë si trafikut të ngarkuar të Tiranës, ashtu edhe transportit inerurban. Të rejat janë përqendruar tek të qenët më ekonomike në harxhimin e karburantit, në uljen e emetimit të gazrave e patjetër, me një pamje për të të lënë me gojë hapur.

Mercedez-Benz Ml dhe B Class

Klasi B i Mercedezit tashmë është fitimtar në çdo front. Me një dizajn të ri na jep një pamje tepër të bukur të makinës. Me përmasa të cilat janë të ndryshme nga pararendëset, gjatësi 4.4 metra, gjerësi 1.8 metra dhe lartësi 1.5 metra. Klientët në këtë makinë do të arrijnë të gjejnë më shumë hapësirë në brendësi. Një konsum të karburantit më të ulët dhe një emetim më të ulët të CO2 në ambient. Por, mbi të gjitha, teknologjia “avangardë” e automjetit Mercedes-Benz do t’i japë B Klasit një siguri në ngarje dhe një kënaqësi shumë më të madhe të të udhëtuarit.

Në krahun tjetër është SUV-i i ri, Klasi M. Një gjeneratë e tretë e këtyre makinave. Një gjeneratë që na dhuron një makinë brilante. Teknologjia e Mercedes-Benz e ndërthurur me dezajnin tepër të bukur. Por jo vetëm kaq. ML-ja e re na paraqitet më ekonomike se kurrë. Plotë 28% më ekonomike se versionet e tjera. ML 250 BlueTEC 4Matic është një shembull konkret. Një konsum të karburantit prej 6 litrash për 100 kilometra dhe një emetim prej 158 gramëve të gazit CO2 për kilometër. Një makinë kjo fantastike në çdo aspekt. Bukuri, teknologji, cilësi, siguri dhe mbi të gjitha për xhepat e shqiptarëve, ekonomike më shumë se një makinë e vogël.

Honda CR-V dhe Civic

Honda, një nga firmat që vitet e fundit ka filluar të pëlqehet së tepërmi në Shqipëri, këtë vit do të ofrojë në koncensionarin e tij dy nga makinat që po vlerësohen më së shumti nëpër botë. Pas një 4-vjeçari ku Honda iu përkushtua teknologjisë, dhe mbi të gjitha teknologjisë së makinave Hibrid, ajo do të sjellë makina me ndryshime të ndjeshme në pamjen e jashtme. Ndryshime të cilat të ndërthurura me teknologjinë brilante japoneze e çojnë Hondën në statusin që zënë sot në botë, në atë që e ka çuar si makina më e shitur së bashku me Tojotën. Njëra nga makinat e reja është Honda CR-V, e cila ofron një model makine 4×4, perfekt për përdorimin brenda në qytet. Një makinë e cila vjen në 6 tipe të ndryshme nën një petk të vetëm, atë të SUV-it CR-V. Me një motor prej 150 kuajsh fuqi apo motor 2.2 nafte me 6 marshe. Me një teknologji moderne, me blututh (Bluetooth), internet të brendshëm, me portë USB-je dhe një risi me kamera të cilat ndihmojnë në dhënien e makinës. Por jo vetëm kaq, dizajni i kësaj makine me një gjatësi prej 4.5 metrash, lartësi 1.6 metrash dhe gjërësi prej 71.6 metrash, dhuron mundësinë për të udhëtuar në qytet në kushte perfekte me një 4×4.

Ndërkohë, në krahun tjetër qëndron Honda Civic. Makina e cila ka çuar shumë lartë emrin e Hondës në botë. Një legjendë për garat me makina dhe një legjendë e re për rrugët urbane të qytetit. Civic 2012 do t’i dhurojë të apasionuarve një makinë sa sportive, aq edhe të dobishme. Duke u bazuar në historinë sportive, Honda sjell një version krejt sportiv të sajin në dizajnin e pamjes së jashtme. Një dizajn ky i ndryshuar pas katër viteve. Por në brendësi nuk ka si të mungojë teknologjia japoneze. Sediljet e pasme tashmë nuk janë më të palëvizshme, ato mund të mbyllen për të krijuar më shumë hapësirë. Një tjetër detaj është butoni i ri i shtuar, i cili mundëson ndezjen dhe fikjen e motorit. Një motor që vjen në dy versione atë 2.2 DTEC me 6 marshe dhe 1.8 i-VTEC, me 6 marshe (manuale) dhe 5 marshe (automatike) si dhe 1.4 i-VTEC me 6 marshe manuale. Teknologjia japoneze dhe dizajni i ndërthurur sport me urban duhen pritur deri në daljen e tyre në koncesionar.

Seat Mii

SEAT me anë të modelit të saj më të ri që pritet të vijë në koncesionarit e “Porsche Albania”, do të ofrojë një makinë perfekte për lëvizjen urbane. Me një stil mesdhetar të SEAT-it dhe duke e ndërthurur atë me teknologjinë gjermane të grupit Volksvagen, vjen modeli SEAT Mii. Me një gjatësi prej 3.56 metrash, ai mundëson një përmasë perfekte për lëvizjen brenda qytetit. Motori i ri 1.0 benzine me 44 dhe 55 kË (69 dhe 75 kf) dhe peshës së saj tepër të lehtë, vetëm 854 kilogramë i dhuron një dinamikë dhe efikasitet të përkryer. Modeli “Ecomotive” ka një normë çlirimi të gazit CO2 prej 97 gramëve për kilometër. Gjithashtu nuk ka si të mungojë edhe teknologjia e kohës, e ofruar në paketën “SEAT Portable Sistem”, e cila krijon lehtësira në udhëtim, mundëson argëtim, navigim, telefoni dhe funksione të makinës në mënyrën perfekte. Modeli SEAT Mii pritet të jetë në koncesionar në gjysmën e dytë të këtij viti dhe çmimi mendohet të jetë një surprizë e madhe për të gjithë.

Volkswagen Crafter

Modeli voluminoz Krafter (Crafter) vjen tashmë jo vetëm me një fytyrë të re, por edhe me risi teknologjike, të cilat mundësojnë një fleksibilitet më të madh, duke ulur dukshëm kostot e shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes. Një ndryshim në gamën e motorit, pasi përveç motorit prej 5 cilindrash apo 2.5 TDI, tashmë Krafter mund të porositet edhe me motorin 2.0 TDI, me 4 cilindra. Në disa nga versionet “BlueMotion” të këtij motori, konsumi i karburantit ulet deri në 33%. Krafteri 3 ton mundet të mbajë një ngarkesë në deri 1 096 kg apo mbi 160 kg nga modeli pararendës. Ndërkohë, Krafteri 3.5 ton mund të mbajë deri në 1 345 kg ose 166 kg më shumë se modeli pararendës. Në ndryshimet e pamjes, do të vijë me një grilë e cila ndjek edhe shembullin e formave të modeleve të tjera të familjes, duke qenë e pandarë në të gjithë gjerësinë e saj.

Audi A1 Sportback

Audi A1 Sportbek (Sportback) do të vijë këtë vit për herë të parë në Shqipëri. Një model mbresëlënës i Audit, i cili në këtë model do të kalojë nga 3 porta në 5. Makina do të jetë adapte për një publik rinor dhe urban. Dizajni i qëndron besnik modelit të “motrës” së tij prej 3 portash, por na jep një gjatësi prej 3.95 metrash dhe më shumë gjerësi. Këto detaje ofrojnë një hapësirë më të madhe në sediljet e pasme të makinës. Megjithatë, modeli bazë do të vijë me 4 sedilje, megjithëse për ata që duan një sedilje tjetër shtesë, duhet vetëm ta porosisin dhe me kosto zero. Ndërkohë, A1 Sportback ofron tre tipe motorësh në benzinë TFSI dhe naftë TDI. Motorët do të jenë: 63 KW (86KF) dhe 136 KW (185KF). Në disa Audi, motori do të ketë edhe një kambio tip tronik me 7 marshe të kategorisë S. Ndërkohë teknologjia e brendshme do të sjellë një risi në lidhjen “bluetooth” me telefonin celular, si dhe makina mundet të jetë e lidhur me internet.

Renault Twingo

Reno (Reanult) do të vijë këtë vit me një dizajn të ri, por edhe me 2 tipe motorësh të rinj. Në tregun shqiptar falë koncesionarit, Reno do të sjellë motorët 1.6 nafte DCI me 130 kuaj fuqi. Një motor ky i gjeneratës së re, i cili është adaptuar vetëm në makinat Nisan, Reno dhe Honda. Por motori gjithashtu vjen edhe me risinë e dopio freksionit dhe kamion automatike, një tipar ky që siguron një ndryshim në shpejtësinë e ndryshimit të marsheve dhe një ulje të ndjeshme të konsumit. Por duke iu rikthyer Tuingos, ai na risjell në vëmendje makinën e vogël tepër të çmuar të gamës Reno, e cila është një mjet perfekt për të lëvizuar në qytet. Dizajni dhe format e reja i japin asaj një pamje të mrekullueshme dhe na vërteton faktin se kjo makinë është vërtet një ikonë dhe një shëmbëlltyre e suksesit të Renosë. Një nga specifikat vërtet interesante të saj është se në një makinë që paraqitet e vogël, ndodhet një serbator i cili arrin të përballojë një udhëtim deri në 1 000 km për motorët me naftë dhe 750 km për motorët me benzinë, një detaj që e kthen imazhin e Tuingos nga makinë urbane edhe jashtë këtij konteksti. Por në të njëjtën kohë nuk ka se si të mungojë edhe mendimi për ambientin, ku Tuingo paraqitet një reduktim drastik të emetimit të gazit CO2. Çmimi që koncesionari mendon se mund të ofrohet, do të rrotullohet rreth çmimit të versionit pararendës, atij ku baza fillonte nga 8 500 euro. Jo keq për një makinë qyteti që të kursen xhepin në konsum nafte apo benzine.

Femrat kanë monopolin

Nëse mendoni se makina është një temë vetëm për meshkuj, gaboheni. Kjo për faktin se vitet e fundit janë rritur së tepërmi jo vetëm përdorueset femra të makinave, por edhe blerëset. Në njërin nga koncesionarët e makinave në Tiranë tregojnë se rreth 60% e blerësve apo të paktën atyre që kanë marrë një makinë në atë koncensionar, kanë qenë femra. Duhet pasur parasysh fakti që me paratë apo pagesat mundet të merret një mashkull, por makina blihet dhe pronare është një femër. Një ndryshim ky i rëndësishëm për tregun e makinave. Tashmë “monopoli” i meshkujve ka rënë.

Rritje të shitjeve të makinave deri në 10%-20%

Nga informacioni i marrë nëpër koncensionarët e ndryshëm të kryeqytetit, tregohet se janë rritur shitjet e makinave. Një rritje kjo e cila prek shifrat e 10% – 20%. Kjo rritje e shitjeve të makinave të reja në koncensionare tregon edhe spostimin e tregut nga makinat e përdorura drejt atyre të reja. Një spostim ky tepër i rëndësishëm edhe për ekonominë e vendit, për faktin se luftohet ekonomia informale dhe largohet ndotja që mundet të shkaktojnë ato makina të vjetra dhe në gjendje jo shumë të mira. Pritshmëria për këtë vit të ri është akoma dhe më e lartë dhe koncensionarët janë të sigurt për një shtim të blerjeve.

2011, më shumë individët blejnë makina se kompanitë

Ata që i drejtohen më shumë një koncensionari për të blerë një makinë janë individët. Janë ata që vitin e kaluar kanë shpenzuar më shumë para se kompanitë. Megjithatë, nëpër koncensionarë të ndryshëm kompanitë për të përmbushur të gjitha nevojat e punonjësve, kanë filluar të pajisin punëtorë të veçantë me makina të cilat i blejnë në një koncensionar të caktuar dhe me logot e kompanisë. Por në vitin 2011 kjo gjë ishtë shumë e vogël dhe kompanitë nuk zgjodhën të rinovonin makinat e tyre ose të merrnin makina për shërbimet. Mos ndoshta kanë filluar të marrin makina të përdorura?!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama