Ministria e Financave dhe Administrata Fiskale kanë filluar kontrollet e përbashkëta në sektorin e hidrokarbureve për të luftuar informalitetitn dhe evazionin fiskal.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Shërbimit Doganor Shqiptar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, do të bëhet një kontroll ligjor për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar me veprimtari prodhimin, përpunimin, transportimin dhe shitjen e hidrokarbureve.
Ministria e Financave bën të ditur se kontrolli i përbashkët tatimor-doganor do të ketë objektiv tatimpaguesit në sektorin e hidrokarbureve, pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, prodhuesit dhe përpunuesit e nënprodukteve të naftës, etj., me qëllim vlerësimin e zbatimit të detyrimit të tyre ligjor për të deklaruar dhe paguar në kohë detyrimet tatimore dhe doganore.
Administrata fiskale ka evidentuar tashmë të gjitha subjektet me risk, përfshirë edhe ato subjekte që janë regjistruar si tatimpagues të biznesit të vogël, por që kanë kryer importe të mallrave, në mënyrë të përsëritur,në vlera që i kalojnë kufijtë e tyre të regjistrimit.
Ministria e Financave dhe administrata fiskale fton të gjithë tatimpaguesit të jenë bashkëpunues dhe të zbatojnë me korrektësi detyrimin e tyre ligjor për ofrimin e informacionit, sikundër e parashikon legjislacioni fiskal.