Rritet kontrolli për cilësinë e naftës edhe në pikat e tregtimit me pakicë. Ka mbërritur tashmë në kuvend projektligji i qeverisë, i cili ndryshon ligjin e 1999-ës “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”. Ky draft parashikon që cilësia e naftës dhe nënproduktet e saj, që ofrohen nga tregtarët me pakicë dhe njësitë e lëndëve djegëse, do t'i nënshtrohen kontrollit. Mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve do të garantohet nëpërmjet strukturës së posaçme që do të krijohet pranë Ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe do të ketë kompetenca vetëm për sa i përket shërbimeve që u ofrohen konsumatorëve.
Projektligji
Ndryshon ligji për “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve fundorë. Këshilli i Ministrave në draftin e përgatitur parashikon shtrimin e kontrolleve nëpërmjet inspektoratit shtetëror i cili është në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Ky inspektorat përveç kompetencave që ka aktualisht do ketë të drejtën e kontrolleve, të tregtarët me pakicë dhe njësitë e tregtimit të lëndëve djegëse për ngrohje dhe gatim, edhe në aspekte të tjera teknike. Ky projektligj synon në këtë mënyrë garantimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, nëpërmjet strukturës së posaçme që do të krijohet pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë, dhe do të ketë kompetenca vetëm për sa i përket shërbimeve që u ofrohen konsumatorëve.
Është parashikuar që bashkërendimi i veprimtarisë, ndërmjet inspektoratit shtetëror përgjegjës dhe strukturës së mbikëqyrjes së tregut, të rregullohet me një udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për hidrokarburet dhe ministrit përgjegjës për tregtinë, duke marrë në konsideratë se ligji nr. 8450, datë 24.2.1999, përcakton marrëdhënie të tilla ndërmjet pjesëmarrësve të tregut, të cilët nuk mund të ndahen nga njëri - tjetri. “Kontrolli i cilësisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, që ofrohet nga subjektet e përcaktuara në ligj, për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, realizohet nga struktura e mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë. Bashkërendimi i veprimtarisë, ndërmjet inspektoratit shtetëror përgjegjës dhe strukturës së mbikëqyrjes së tregut, rregullohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për hidrokarburet dhe ministrit përgjegjës për tregtinë”, - thuhet në ndryshimet e bëra në nenin 23 të ligjit bazë. Në këtë kuptim, me qëllim respektimin e ligjit dhe sigurimin e cilësisë dhe standardeve të shoqërive të tregtimit me shumicë, është e nevojshme që inspektorati përgjegjës, në varësi të MEI-t, të kontrollojë edhe mostra përfaqësuese të shoqërive tregtuese me pakicë, apo njësive të lëndëve djegëse.
Me qëllim finalizimin e inspektimeve si dhe ndëshkimin e subjekteve abuzive është parashikuar që, për qëllim të cilësisë së produkteve, struktura e mbikëqyrjes së tregut të vendosë gjoba nga 4 000 000 lekë deri ne 5 000 000 lekë për rafineritë e naftës, impiantet e përpunimit, naftësjellësit e gazsjellësit, instalimet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë si edhe nga 700 000 lekë deri në 1 000 000 lekë për stacionet e shitjes së karburanteve dhe stacionet e njësitë e shitjes se lëndëve djegëse. Ndërsa, për çështjet e tjera të përcaktuara në ligj, gjobat do vijohet të vendosen nga inspektorati shtetëror përgjegjës. Gjithashtu, është parashikuar një dispozitë tranzitore, që i lejon inspektoratit shtetëror përgjegjës, në varësi të ministrit përgjegjës për hidrokarburet, të kryejë funksionet e inspektimit për kontrollin e respektimit të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj deri në krijimin e strukturës përgjegjëse së mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë, duke qenë se kjo strukturë nuk është krijuar akoma.
Gjobat
j) Ushtrimi i veprimtarisë pa leje ose pa autorizim, konform dispozitave te këtij ligji përbën shkelje dhe subjekti gjobitet si me poshtë:
i) nga 4 000 000 leke deri në 5 000 000 lekë për rafineritë e naftës, impiantet e përpunimit, naftësjellësit e gazsjellësit, instalimet bregdetare dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë
ii) nga 700 000 leke deri në 1 000 000 lekë për stacionet e shitjes së karburanteve dhe stacionet e njësitë e shitjes së lëndëve djegëse.