Rritja e banorëve në disa qendra urbane e ka bërë të pamundur procesin e vetpastrimit të detit, për shkak të sasisë së madhe të shkarkimeve urbane. Pervec këtyre faktorëve, të cilët duhet të ishin nën menaxhimin dhe kontrollin e qeverive lokale, listës së gjatë i shtohen edhe plehrat e pafundme të lëna kudo përgjatë bregdetit, përfshi këtu edhe një ndër armiqtë kryesorë të gjallesave detare, qeset e plastmasit. Por ndotjet e drejpërdrejta nga shkarkimet në det apo plehrat nuk janë të vetmet. Ndotja e lumenjve, sidomos nëpër zonat rurale, ku luginat e tyre jo rrallë janë vend-depozitimet e mbetjeve janë një tjetër burim papastërtie. Edhe ndotja e ujërave nëntokësore jep ndikimin e saj në këtë vorbull të madhe. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se plazhet shqiptare janë në rrezik të madh. Nëse disa prej tyre ende janë nën kufinjtë e ndotjes, kjo nuk vjen për shkak të menaxhimit të kujdesshëm të tyre, por thjesht për inertësi dhe frenkuentim jo masiv.
Dy nga indikatorët më të rëndësishëm të cilësisë së ujrave detare, të cilë lidhen me mikroorganizma të ndotjes fekale janë: koliformet fekale (Fecal Coliforms – FC) dhe enterokoku intestinal (Intestinal Enterococus – IE). Fokusi bie kryesisht mbi këta dy indikatorë pasi derdhja e papërpunuar e ujërave të zeza në det është burimi më i madh i ndotjes si dhe vatër e sëmundjeve infektive. Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, plazhet më të ndotura janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë. Ndërkohë që me cilësi më të mirë paraqiten Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara.
Plazhi i Durrësit:
Sic mund të shikohet edhe nga grafiku, të gjitha plazhet e monitoruara nga ISHP kanë një prezencë të FC – 50 mbi normën e lejuar prej 100. Shumë të ndotur paraqiten sidomos plazhet pranë Torres, Plepat dhe Ish kampi i pionerëve, rreth 10 herë mbi normën e lejuar. Në raportin e MMPAU 2009, theksohet se nga 21 plazhet e vrojtuara në Durrës, 90% klasifikohen Cilësi e Dobët dhe 10% Cilësi e Mjaftueshme (faqja 90). Këto përfundime e rendisin Durrësin si vendin me plazhet më të ndotura në vend. Ndërkohë, të gjitha plazhet që i përkasin kategorisë Cilësi e Dobët kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, deri në mbyllje të tyre, pasi përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Ndotja në plazhet e qytetit të Durrësit është përkeqësuar shumë nga mungesa e kanalizimeve të ndërtimeve të reja, sidomos në zonën e Plazhit. Në të shumtën e rasteve situata është zgjidhur me gropa septike. Mirëpo ndërtimi i tyre në zona ranore dhe jo sipas parametrave bën që këto ujëra të derdhen krejt të papërpunuara në det.
Plazhi i Kavajës:
Plazhi i Kavajës ka rezultuar në 10% të stacioneve të monitoruara me Cilësi të Shqkëlqyer, 50% me Cilësi të Mirë, ndërsa në 40% të tij me Cilësi të Dobët, me domosdoshmëri për ndërhyrje të menjëhershme (Raporti 2009 MMPAU, fq 91).
Plazhet më të ndotuara janë ai i Golemit dhe zona e Vaporit të Mbytur, që janë gjithashtu edhe ndër plazhet më të populluara.
Plazhi i Vlorës:
Edhe plazhi i qytetit të Vlorës është shumë i ndotur. Sidomos zona e Shkollës së Marinës është jashtë cdo parametri të mundshëm dhe burim i jashtëzakonshëm infeksionesh. Në këtë zonë prej jo më shumë se 800 metrash, mund të numërohen me sy të lirë të paktën 6 kanale të ujërave të zeza, që derdhen drejtpërsëdrejti në det. Ai është 15 herë më i ndotur se norma e megjithatë është mjaft i frenkuetuar në stinën e verës.
Situata nuk është më pak problematike në Plazhin e Ri, që është shpalluar edhe zona e plazhit publik nga Bashkia e Vlorës. Ai administrohet drejtpërsëdrejti nga kjo Bashki, e cila ka siguruar cadra falas, roje bregdetare apo facilitete të tjera. Por ndërkohë në të derdhen 4 kanale të ujërave të zeza, të cilat janë lehtësisht të dallueshme, pasi e përshkojnë mes për mes plazhin.
Burimi: Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (të dhënat i përkasin vitit 2009)
Komentet dhe përpunimi: ODA
Ndërkohë, e ndotur përtej parametrave paraqitet edhe zona e Plazhit të Vjetër.
Jo rastësisht Durrësi, Golemi dhe zona e qytetit të Vlorës janë më të ndoturit. Ndërtimet e shumta, pa kriter, pa plan urbanistik, pa shtrim rrjetesh kanalizimesh kanë qenë kanceri i këtyre plazheve. Miklimi si zona të bukura ishte në të njëjtën kohë edhe mallkim. Ajo cfarë është më shqetësuese është mungesa e planeve konkrete për përmirësim të situatës. Ndërsa ISHP jep sinjalin e alarmit dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme që prej shumë vitesh, masat duket se janë inekzistente.
Situata është problematike edhe në preferencat e reja të shqiptarëve. Ndotja e lartë e plazheve më popullor në vend ka bërë që shqiptarët të eksplorojnë plazhe të reja. Kërkesa në rritje për destinacione si Shëngjini, Gjiri i Lalzit, Jala, etj, si dhe shtrimi i rrugëve ka ngjallur interesin e ndërtuesve edhe për këto zona. Që tani janë shfaqur hotelet e para nëpër plazhe. Mirëpo, nëse këto ndërtime nuk do jenë të kontrolluara dhe fillimisht të ngrihet sistemi i kanalizimeve, atëherë masakra urbane do të vazhdoj pafundësisht dhe 316 kilometra det i kthjellët e i pastër nuk do të ngelen gje tjetër vecse një kujtim i bukur për t’u treguar nëpër fotografi.